Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

9 Mars 2025

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë


Më shumë se 1,000 të vrarë në Siri

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Numri i viktimave nga përplasjet mes forcave të sigurisë siriane dhe mbështetësve të ish-presidentit Bashar al-Assad, si dhe hakmarrjet që pasuan, ka arritur mbi 1,000 të shtunën. Kjo e bën një nga aktet më vdekjeprurëse të dhunës në Siri gjatë më shumë se një dekade.

Sipas raportimeve, mes viktimave janë pothuajse 750 civilë, shumica të vrarë në ekzekutime me armë nga afër. Po ashtu, janë vrarë 125 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe rreth 150 militantë të grupeve të armatosura të lidhura me Assad-in.

Gjithashtu, raportohet se energjia elektrike dhe furnizimi me ujë të pijshëm janë ndërprerë në pjesë të mëdha të qytetit bregdetar të Latakias.

Sulmet ajrore ruse në Ukrainën lindore vrasin të paktën 14 persona

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Forcat ruse sulmuan qytetin Dobropillja me raketa dhe dronë gjatë natës së premte, duke dëmtuar tetë pallate dhe duke vrarë të paktën 11 persona. Më shumë se 30 të tjerë mbetën të plagosur. Sipas autoriteteve lokale, një ndërtesë administrative dhe 30 automjete u dëmtuan nga sulmi.

Ndërkohë, teksa zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin flakët në dy ndërtesa të goditura, rusët sulmuan përsëri, duke dëmtuar një makinë zjarrfikëse.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy reagoi përmes një postimi në Facebook: “Pasi shërbimet tona të emergjencës mbërritën në vendngjarje, ata kryen një tjetër sulm, duke shënjestruar qëllimisht ekipet e shpëtimit. Ky është një akt i poshtër dhe çnjerëzor, një taktikë frikësuese që rusët e përdorin shpesh.”

Franca nis procesin e tërheqjes nga Senegali duke dorëzuar dy baza ushtarake

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Franca ka nisur zyrtarisht procedurat për tërheqjen nga Senegali, duke dorëzuar dy baza ushtarake në duart e autoriteteve të vendit afrikan. Dorëzimi vjen pas vendimit të presidentit të Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, i cili vitin e kaluar urdhëroi largimin e të gjitha trupave të huaja nga territori senegalez.

“Palës senegaleze i janë dorëzuar zyrtarisht objektet dhe banesat ushtarake në lagjet Maréchal dhe Saint-Exupéry të premten, më 7 mars 2025,” thuhet në një deklaratë të Ambasadës Franceze në Senegal.

Këto zona, të cilat ndodhen pranë Parkut Hann, ishin gati për t’u kthyer që nga vera e vitit 2024.

Marshime në mbarë botën për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Mijëra njerëz dolën në rrugë në qytete të ndryshme të botës më 8 mars, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Në Madrid, dhjetëra mijëra persona marshuan për të mbrojtur të drejtat e grave dhe për të kërkuar një axhendë feministe dhe anti-raciste.

Marshimi, i organizuar nga rrjeti feminist “Komisioni 8M”, sfidoi edhe motin me shi, ndërsa pjesëmarrësit brohorisnin kundër pabarazisë gjinore dhe racizmit. Sipas qeverisë spanjolle, protestës iu bashkuan rreth 25,000 persona, një rritje nga 20,000 që ishin në vitin 2024, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri i pjesëmarrësve ishte afër 80,000.

Në Romë, protesta u përqendrua në luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe mbylljen e hendekut mes gjinive. Ishte demonstrata më e madhe në Itali, por protesta të tjera u mbajtën në 60 qytete të vendit, nën sloganin “Asnjë më pak”, duke theksuar nevojën urgjente për të ndaluar femicidin dhe dhunën ndaj grave.

Ndërsa në Stamboll të Turqisë, mijëra protestues dolën në rrugë për të denoncuar dhunën ndaj grave dhe presionet e shtuara shoqërore ndaj tyre. Protesta në lagjen Kadikoy u shoqërua me fjalime, muzikë dhe valle, duke festuar forcën e grave dhe duke kërkuar ndryshime të menjëhershme në shoqëri. Megjithatë, prania e madhe e policisë, përfshirë njësi me pajisje të rënda dhe automjete me ujë, mbikëqyri rreptësisht tubimin.