Postimi i fundit i ish-banores së "Big Brother VIP Albania", Amber, për Laert Vasilin vërteton edhe një herë se spekulimet janë një trend i preferuar në “Big Brother”. Për të kuptuar pse ky postim është kaq i gabuar, fillimisht sqarojmë disa detaje për këdo që nuk është i informuar.
Një muaj më parë, banorëve iu kërkua nga produksioni që të tregonin dy të vërteta dhe një gënjeshtër për veten, pa zbuluar se cilat ishin të vërtetat dhe cilat gënjeshtra. Laerti tha:
1. ”Kam shitur peshk.”
2. “Kam qenë i lidhur me një transgjinore.”
3. “Refuzova karrierën në Amerikë për të dashurën.”
Me çfarë u zbulua më vonë, gënjeshtra ishte lidhja me një transgjinore, por Laertit iu dha një mision nga Vëllai i Madh që të pretendonte sikur kjo ishte e vërtetë.
Në një postim në Instagram pak orë më parë – pasi nisi një diskutim absurd për biseksualitetin e pretenduar të Laertit thjesht sepse u puth në buzë me dy djem – ish-banorja e BBVA, Amber postoi në Instagram:
“Përveç pjesës së misionit nga Vëllai i Madh, Lart Vasili ka patur vërtet eksperiencë me një shoqen time shqiptare transgjinore. Nuk ka asgjë të keqe ta pranojë.”
Sikur të mos mjaftonte kjo, Amber publikoi gjithashtu imazhin e vajzës transgjinore për të cilën pretendon se Laerti ka qenë dikur në një lidhje.
“Kjo është goca që ka qenë Laerti i lidhur një vit e gjysmë në Greqi. [Ajo] është transgjinore e famshme në Greqi. Dhe pavarësisht që e ka thënë që ishte mision, historia është e vërtetë!”
Anabel ka vendosur të mos e publikojë këtë foto, pasi shpërndarja e saj do të shkelte parimet e privatësisë dhe respektit për individët e përfshirë dhe për ne është e rëndësishme të mbajmë një qëndrim të kujdesshëm dhe etik në lidhje me shpërndarjen e informacionit të tillë në publik.
Tani, pse këto pretendime janë kaq të gabuara?
Së pari, komentet publike mbi seksualitetin dhe historinë personale të dikujt, sidomos kur ai person nuk ka zgjedhur ta ndajë këtë informacion vetë, është shkelje e privatësisë. Pavarësisht nëse pretendimi i Amberit është i vërtetë apo jo, fakti që Laerti nuk e ka pranuar vetë, tregon se ky informacion nuk duhej ndarë nga dikush tjetër. Të flasësh për jetën intime të një personi kundër dëshirës së tij është një veprim që nuk mund të justifikohet. Nëse është e vërtetë, kemi shkelje të privatësisë; nëse është gënjeshtër, kemi shpifje. Të dyja rastet dënohen.
Së dyti, ky lloj spekulimi forcon një kulturë të dëmshme që përqendrohet te seksualiteti i dikujt si temë debati publik. Nëse dikush është ose jo biseksual, heteroseksual, homoseksual apo ka pasur përvoja të caktuara me individë të caktuar, ky është një aspekt personal që nuk duhet të diskutohet.
Për më tepër, është ironike që një person transgjinor, si Amber, e cila më shumë se kushdo tjetër duhet ta kuptojë rëndësinë e privatësisë dhe seksualitetit, zgjedh të publikojë një informacion të tillë (i vërtetë ose jo). Përpjekja për të "zbuluar" apo për të "konfirmuar" një pjesë të identitetit të dikujt kundër vullnetit të tij është e papranueshme, aq më tepër që, siç e thamë, vjen nga dikush që duhet të jetë më e ndjeshme ndaj këtyre detajeve.
Së fundmi, kjo situatë është edhe një shembull i qartë i hipokrizisë mediatike: në vend që të përqendrohemi te mesazhe të rëndësishme për respektin dhe gjithëpërfshirjen, po i japim hapësirë thashethemeve dhe përpjekjeve për të ekspozuar jetën e dikujt.
Në fund të ditës, pavarësisht se sa mund të mendojmë se një individ nuk po tregon të vërtetën, nuk është e drejta e askujt të ndajë apo të konfirmojë diçka që nuk i përket.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.