Marredhenie

6 shenja që tregojnë se është koha për të ndërprerë çdo kontakt

Shkruar nga Anabel

17 Mars 2025

6 shenja që tregojnë se është koha për të

 

Nuk ka asgjë më të vështirë sesa të shkëputesh nga dikush që ka qenë pjesë e jetës tënde për një kohë të gjatë. E megjithatë, ndonjëherë, distancimi i plotë - ose siç njihet, “no contact” mund të jetë mënyra e vetme për të mbrojtur shëndetin tënd mendor dhe emocional.

Për disa, ky vendim vjen natyrshëm pas një serie përvojash negative, ndërsa për të tjerë është një luftë e brendshme mes ndjenjës së fajit dhe nevojës për t’u çliruar nga një marrëdhënie toksike. Nëse je në dilemë, ja disa shenja që tregojnë se ndoshta është koha të largohesh përfundimisht.

1. Marrëdhënia është abuzive - fizikisht, emocionalisht apo verbalisht

Nëse një person të trajton me mungesë respekti, të manipulon apo të dëmton emocionalisht dhe fizikisht, ke çdo arsye për të prerë kontaktet. Askush nuk ka të drejtë të të trajtojë keq, pavarësisht se kush janë apo çfarë raporti keni pasur më parë.

2. Takimet me ta të çojnë në shkatërrimin e vetes

Nëse çdo herë që je me këtë person ndihesh i/e shtyrë drejt sjelljeve të dëmshme, si vetëlëndimi, varësitë apo vendime të rrezikshme, atëherë diçka nuk shkon. Një mik që të shtyn të rrezikosh veten apo një familjar që të detyron të mbash një peshë emocionale që s’është e jotja nuk janë njerëz që e meritojnë vendin në jetën tënde.

3. Ndikon keq në shëndetin tënd mendor

Nëse pas çdo komunikimi me këtë person ndihesh më keq se më parë, është koha të vësh në pikëpyetje rolin e tyre në jetën tënde. Marrëdhëniet duhet të të ndihmojnë të ndihesh mirë dhe jo të të lënë me ankth, stres apo faj.

4. Nuk respekton kufijtë e tu dhe nuk pranon të marrë përgjegjësi

Vendosja e kufijve është thelbësore në çdo marrëdhënie të shëndetshme. Por nëse një person vazhdimisht i shkel ato, pavarësisht paralajmërimeve dhe përpjekjeve të tua, kjo tregon qartë se nuk ka ndërmend të ndryshojë.

5. Ke provuar gjithçka për ta rregulluar marrëdhënien, por asgjë s’ka ndryshuar

Shkëputja e plotë nga një person nuk ndodh për një incident të vetëm. Zakonisht, është rezultat i shumë përpjekjeve të dështuara për të përmirësuar gjërat. Nëse ke provuar të vësh kufij, të sqarohesh dhe të reduktosh kontaktin, por situata vazhdon të jetë e njëjta, ndoshta është koha të largohesh.

6. Je i/e vetëdijshëm/e për pasojat dhe je gati t’i përballosh

Shkëputja totale mund të sjellë pasoja të mëdha, jo vetëm për marrëdhënien me personin në fjalë, por edhe për lidhjet e tua me të tjerë, si miqtë e përbashkët apo pjesëtarët e tjerë të familjes. Nëse e ke analizuar këtë skenar dhe e di që është vendimi më i mirë për ty, atëherë është momenti të vendosësh veten si prioritet.

Largimi nga një marrëdhënie e dëmshme nuk është egoizëm, por kujdes. Në fund të ditës, askush nuk ka të drejtë të të bëjë të ndihesh keq në emër të “familjes” apo “miqësisë.” Më mirë i/e qetë, sesa i/e rraskapitur.