Përshëndetje njerëz kuriozë!
Shumë prej jush që lexoni për filmat në Anabel, tanimë më njihni. Unë jam A. Shehu dhe nuk kënaqem thuajse kurrë nga prodhimet kinematografike. Gjithnjë gjej diçka që nuk më pëlqen dhe di t’ia prishë terezinë çdokujt që më pyet se ç’mendim kam mbi një film/serial të caktuar. Megjithatë, ka disa prodhime që dalin nga rreshti dhe më mahnisin. I tillë është “Adolescence”, një serial rrëmbyes, i cili më la pa frymë dhe me qindra mendime në kokë.
Kujdes! Ky artikull përmban spoilers!
Unë i kam vlerësuar gjithnjë filmat dhe serialet ‘one shot’, e di që është një punë madhështore dhe e tregon qartë se sa i aftë është një aktor. Në këtë rast, Owen Cooper (Jamie Miller) ka një rol fenomenal dhe për mua, është ylli më i ri i kinemasë.
View this post on Instagram
Seriali nis në mënyrë dramatike, kur policia hyn në shtëpinë e Jamie-t (adoleshent) dhe e arrestojnë se dyshohet për vrasjen e bashkëmoshatares, Katie. Ngjarja ndodh një natë më parë. Më tej, dy episodet na rrëfejnë burokracirat, rajonin e policisë, si dhe këmbënguljen dhe kryeneçësinë e djalit për të pranuar krimin makabër.
Ndërkohë, Eddie (Stephen Graham), i ati i djalit, qëndron si dëshmitari i gjithë ngjarjeve dhe kalon në një tranzicion, i cili vjen te shikuesi në një mënyrë shumë tronditëse, por edhe njerëzore e të prekshme, ku për mbi 1 vit, kalon në një vorbull mosbesimi, për të përfunduar në dështim dhe pikëllim të tejskajshëm. Ndërkohë, ndonëse ne na tregohet qartazi se djali e ka kryer krimin dhe provat janë të pakundërshtueshme, sërish, Eddie dhe Jamie e mohojnë me zë të lartë përfshirjen. Në serialin në fjalë, trajtohen tema si mizogjinia dhe lundrimi i adoleshentëve të ndikuar thellësisht nga përmbajtja në rrjetet sociale dhe marrëdhënia e tyre me të rriturit, shpesh të verbër dhe të paditur nga ky ndikim kaq i madh dhe rrënjësor në trurin dhe shpirtin e fëmijëve të tyre.
Për mendimin tim, episodi i katërt veçanërisht, është një kryevepër kinematografike. Në të, na shfaqet biseda e psikologes Briony (Erin Doherty) dhe Jamie-t. Psikologia duhet të bëjë vlerësimet e saj para gjyqit dhe falë eksperiencës dhe mençurisë, e nxit dhe e drejton adoleshentin drejt të vërtetave.
Më lini t’ju them edhe diçka që më la aq shumë mbresa, sa kur mbylla laptopin, thjesht nuk po e merrja më veten! Aktrimi i Cooper, i cili është vetëm 15 vjeç, por një fenomen i jashtëzakonshëm, më bëri të besoj sërish në kinemanë e mirëfilltë. Ai u përzgjodh për këtë rol me 500 djemve të tjerë dhe sjell një performancë të paparë të një adoleshenti mizogjen, i cili është radikalizuar dhe mendon se të gjitha gratë jetojnë në botën dhe thembrën e burrave.
Një ‘bravo’ të madhe më duhet t’i them edhe skenaristit, i cili nuk ka servir një serial të zakonshëm. Arsyet pse djali kreu krimin nuk janë ato që ne hasim përherë (dhuna në familje, abuzimi, sekretet e errëta në familje, bullizmi ekstrem), por janë të vagullta dhe nuk ka një shpjegim pse djali vret vajzën. Ndonjëherë, rrënjët mund të jenë shumë të mira, por janë faktorët e jashtëm ato që e vyshkin një trëndafil. Kjo është një gjetje shumë e guximshme dhe e vlerësuar prej meje.
Seriali është varka që na çon në ujërat e turbullt të një bote toksike, të mbushur me diferenca gjinore dhe një maskilitet i cili është kaq radikal sa të vret. Ndërkohë, ne të mahnitur nga lundrimi, duhet të dëshmojmë me sinqeritetin brutal të gjitha dramat që sillen në mënyrë kaq fantastike.
Vlerësimi im: 10/10! (Bëjini screenshot, pasi me shumë gjasa nuk do shihni më një vlerësim të tillë). Serialin e gjeni në Netflix.
Artikuj të sugjeruar: