Kinema & TV

“Luli & Goni i Lemes" thyen rekorde: 2 herë sold out pa dalë ende në kinema

Shkruar nga Anabel

8 Prill 2025

“Luli & Goni i Lemes" thyen rekorde: 2 herë sold out pa

Për herë të parë në historinë e kinemasë shqiptare, një film arrin të shesë të gjitha biletat dy herë radhazi, pa u shfaqur ende në kinema. Komedia e shumëpritur “Luli & Goni i Lemes” ka ngjallur kureshtje të jashtëzakonshme te publiku, duke detyruar rrjetin e kinemave Cineplexx të shtojë orare të reja për të përballuar kërkesën.

Komedia do të shfaqet premierë më 11 prill. “Luli & Goni Lemes” është një nga komeditë që ndërthur humorin e pastër me emocione të forta, tregoi skenaristja Klaudia Brahimaj për Anabel.

“Luli & Goni i Lemes" thyen rekorde: 2 herë sold out pa

Në film, Goni (Deivis Myslymi), një djalë mami tipik dhe Lemja (Aurela Gaçe), nëna e tij autoritare, kthehen nga emigrimi për të gjetur një nuse shqiptare tradicionale. Mirëpo, planet e tyre prishen kur Luli (Margent Caushi), një personazh komik dhe naiv, bashkohet me ta në udhëtimin e tyre. Edhe pse Luli ka si qëllim të ndihmojë, ai shpesh e bën situatën më të vështirë. Pjesë e kastit është edhe Fjoralba Ponari, e cila do të sjellë një surprizë të këndshme me interpretimin e saj.

Klaudia tregoi për Anabel se një nga pikat më të forta të filmit është kasti i aktorëve, të cilët do të befasojnë me performancën dhe kiminë e tyre. Margent Caushi, i njohur për rolet e tij dytësore që gjithmonë kanë spikatur, shfaqet për herë të parë si protagonist. Deivis Myslymi, i suksesshëm në “Portokalli”, sjell një interpretim krejt ndryshe në film. Fjoralba Ponari shfaqet në një rol të ri për të, ndërsa Aurela Gaçe tregon se di të shkëlqejë jo vetëm në muzikë, por edhe në kinema.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Klaudia Brahimaj, Krijo Productions (@klaudia.brahimaj)

Përzgjedhja e aktorëve është bërë bazuar në përputhjen me rolin dhe kiminë mes tyre, duke shmangur konceptin e përzgjedhjes së emrave thjesht për të tërhequr vëmendje. Çdo aktor ka testuar veten përpara se të bëhej pjesë e projektit dhe kjo ka sjellë një harmoni të natyrshme në ekran.

Ndryshe nga komeditë e zakonshme, “Luli & Goni Lemes” nuk është thjesht një film me batuta. Përveç të qeshurave, filmi do t’ju bëjë të emocionoheni, të dashuroheni dhe të reflektoni. Në thelb, ai vendos në lojë disa fenomene të shoqërisë shqiptare duke përcjellë mesazhe përmes gjuhës universale të humorit – që në fund të fundit, është aftësia për të qeshur me veten.