Nëse ke dashuruar penën magjike të Agata Kristit apo Artur Dojëllit, bëhu gati të futesh sërish në një vorbull misteri dhe kriminale, nga mjeshtri i misterit, Riçard Osman. “Ne zgjidhim vrasje” është rikthimi që nuk duhet humbur. Kjo vepër është krejt e re, e freskët, e gjallë dhe po aq inteligjente sa librat e tij të tjerë; një përzierje e përkryer mes humorit britanik, misterit klasik dhe ndjeshmërisë njerëzore.
Kush janë detektivët që na ftojnë edhe ne të zgjidhim vrasjet?
Nuk ka më detektivë alla Sherlock, që mendojnë se me një shikim zgjidhin menjëherë një çështje! Në këtë histori të re, autori na prezanton me Stiv Uilerin, i cili po shijon jetën në pension. Ndonëse bën ende punën e çuditshme të detektivit, preferon të ndjekë rutinën e zakonshme: të shikojë televizor, të marrë pjesë në kuicet e pijetores, të ndihmojë njerëzit kur të mundet, por të kthehet gjithmonë në kolltukun e rehatshëm dhe afër maçokut të tij, Telashin. Ditët e tij plot aventura kanë mbaruar dhe burimi i vetëm i adrenalinës që ka, është puna e nuses së të birit, Emit.
Emi Uileri mendon se adrenalina është ushqim për shpirtin, mirëpo të punosh si truprojë është e rrezikshme. Aktualisht, ndodhet në një ishull të largët, duke ruajtur shkrimtaren e librave best-seller, Rozi D’Antonio, derisa një trup i pajetë dhe një çantë me para sjellin probleme në jetën e tyre. Kështu, ajo i dërgon një mesazh personit të vetëm tek i cili ka besim...
Rozi D’Antonioja është një personazh që nuk kalon pa u vënë re. Me një stil të veçantë, një të kaluar që mbetet e mjegullt dhe një vetëbesim magnetik, ajo i jep ngjyrë dhe tension çdo skene ku shfaqet. Një kombinim i rrezikut, finesës dhe zgjuarsisë, e cila di gjithmonë më shumë seç thotë... dhe s’e ka problem ta përdorë këtë gjë në favorin e saj.
2 fjalë mbi autorin
Riçard Osman është autor best-seller, i njohur për stilin e tij të zgjuar, humorin fin dhe aftësinë për të ndërtuar histori kriminale, që të ngjallin emocione dhe ngrohtësi njëkohësisht. I njohur fillimisht si prezantues televiziv, u bë një sensacion letrar me serinë “The Thursday Murder Club”, e cila fitoi zemrat e miliona lexuesve anembanë botës.
Rreth romanit
Ashtu si në romanet e tij të mëparshme, Osman ndërton një enigmë që të mban të mbërthyer faqe pas faqeje. Çdo pistë është e dyshimtë, çdo personazh fsheh diçka, çdo mundësi duket e dështuar. Lexuesi do të ndihet sikur po e ndjekin një sërë detektivësh me potencial, ku çdo kapitull zbulon një shtresë të re të së vërtetës. Humori, si gjithmonë, është armë e fortë e autorit: elegant, i zgjuar dhe i vendosur në momentin e duhur. Nuk është një histori që të bën vetëm të mendosh, por edhe të buzëqeshësh.
Pasazhe nga libri:
1) “Punonjësi tund kokën dhe i vendos lulet në një tavolinë. Ndërkohë që ai largohet, Maksi merr kartolinën mes luleve dhe e hap. Në të shkruhet: “Je i vdekur!”
2) “Kur ai e pyeti për profesionet sipas talentit dhe ajo nuk e dinte se çfarë ishin, e la me aq. Psikologët nuk mund të bëjnë çdo gjë. Ajo u tregua e zonja për të zbuluar arsyen pse i ati nuk mundi ta donte kurrë vërtet, por jo dhe aq për arsyen pse ai ishte aq ambicioz.”
3) “Mbaje shënim,” - vazhdon Rozi, - “Një maçok i quajtur Telash”.
4) “Po sikur Telashi të shohë fëmijën që Stivi ka brenda vetes, që ne të gjithë kemi kur flemë, dhe të kuptojë se ai ka nevojë për mbrojtje?”