Pavarësisht se në sipërfaqe paraqitja e Olsi Bylykut në "BBVA 4" për të takuar ish-partneren e tij, Eglin, u duk si një veprim për të shprehur mirënjohje për vitet që kaluan bashkë (ndonëse pa ndonjë lidhje logjike me lojën e tanishme), në thelb mendojmë që ka qenë një lëvizje e menduar mirë biznesi dhe rikthimi në orbitën e Top Channel.
Pas largimit jo pa bujë nga "BBVA 3", dhe më pas publikimit të këngëve ku i referohet direkt Top Channel-it ("Pikë", "Njesoj"), duke përmendur edhe presionin për të ruajtur marrëdhënien me Top Channel ("Mos bab, mos se të duhet Top-i"), Olsi dukej sikur kishte mbyllur çdo derë me këtë platformë. Madje, janë/ishin në proces gjyqësor pasi Top Channel e paditi për dëmtim imazhi, duke e kthyer konfliktin në një përplasje personale dhe institucionale.
Por dalja e tij së fundmi në “The Dalina Show” dha një tjetër këndvështrim për misionin dhe ambiciet aktuale të Olsit: të mbështesë dhe të menaxhojë artistë të rinj, të panjohur, të cilët nuk kanë qasje të lehtë në industrinë e mbizotëruar nga “big names”.
Dhe këtu vjen pikërisht pika e kthesës: ai e ka kuptuar që për t’i dhënë jetë këtij vizioni, nuk mund ta shmangë Top Channel-in. Ky është një kanal i rëndësishëm për:
- promovim muzikor (Top Awards, Top List, Top Albania Radio, emisione muzikore, emisione të tjera),
- pjesëmarrje në formate që prodhojnë viralitet (BBVA, Për’puthen, E Diell etj.),
- dhe, së fundmi, industria e filmit ku Top Channel po investon së fundmi, një fushë që Olsi patjetër ka interes si aktor dhe producent.
Ndaj, takimi me Eglin, sado emocional, është më shumë një kthim në skenën e Topit - ai nuk është thjesht një i ftuar special apo ish-i dashuri perfekt që flet mirë për ty, por një figurë që kërkon të rivendosë marrëdhëniet me industrinë dhe me vetë median që dikur i hapi derën për të nisur karrierën.
E në fakt nuk është vetëm Olsi që përfiton nga kjo, Top Channel gjithashtu ka përfitimet e veta: një rikthim i figurës të tij, sidomos në një “përballje” me Eglin, nënkupton më shumë shikueshmëri.
Për këtë arsye, paraqitja e Olsit në BBVA nuk është (vetëm) për mirënjohje ndaj Eglit. Është negocim (u tërhoq padia?!). Dhe mbi të gjitha: është biznes.
Në fund të ditës, nuk ka asgjë të keqe sepse është një marrëdhënie e dobishme për të dyja palët, megjithëse, për fat të keq, u bë në kurriz të Eglit që me siguri nuk ka kërkuar t’i shfaqet ish-i dashuri në “Big Brother”.