Eja shohim pak Tv

Më falni, por s’besojmë se jemi të vetmit që mendojmë se takimi Egli-Olsi ishte paksa pasiv-agresiv

Shkruar nga Anabel

9 Prill 2025

Më falni, por s’besojmë se jemi të vetmit që

Mbrëmë (në vigjilje të 9 prillit), ne, por më shumë Egli, u surprizuam nga takimi i saj i beftë me ish-të dashurin, Olsi Bylykun. Ata shprehën mirënjohje dhe respekt për njëri-tjetrin dhe Olsi e falenderoi për faktin që ajo ka folur gjithnjë mirë për të.

Megjithatë, edhe pse takimi i tyre u duk si një mesazh i bukur, ku njerëzit edhe pas ndarjes, mund të ruajnë marrëdhënie të bazuara në respekt dhe konsideratë, sërish nuk mund të mos e vinim re sikletin që Egli dhe Olsi përjetuan. Duke nisur që nga gjuha e trupit dhe më pas, faktit që Eglit iu zgjidh gjuha dhe i zhyti ca kunja, le ta analizojmë takimin më të përfolur të momentit, sipas kronologjisë.

Fillimisht, e nisim me përqafimin e sikletshëm, ku Egli, e cila u shpreh se e kishte pritur takimin që prej 2 vitesh, pati një moment ku truri i bëri refresh. Më tej, pasi Olsi e pyeti nëse mundej ta përqafonte, Egli shkoi drejt tij. Dukshëm, të dy ishin shumë në siklet dhe natyrisht, e justifikueshme nga fakti që kishin vite pa u takuar, si dhe një histori disavjeçare që tanimë ka përfunduar.

Olsi e theu pak akullin duke thënë se kishte “abuzuar me ushqimin" pak dhe Egli, duke pasur të njëjtin qëllim, ia priti “si gjithmonë”. Më tej, Olsi, dukshëm mori një posturë që e tregonte edhe më shumë në siklet dhe shpeshherë e shmangte kontaktin direkt me sy me Eglin. Herë shihte majtas-djathtas dhe herë bënte kontakt me sy me ish-partneren. Nga ana tjetër, edhe Egli e ndërpriste herë pas here Olsin, pasi qartazi, donte të plotësonte fjalitë e tij. Ajo nuk hezitoi të thoshte “qartë, qartë” disa herë.

Egli, në një pjesë të madhe të takimit, i mbajti duart të kryqëzuara, veprim ky që tregon se lidhet me ndjenjën e parehatisë dhe pozicionin e vetëmbrojtjes. Egli, në disa raste u përpoq edhe t’ia priste shkurt Olsit, duke i thënë një “faleminderit” të ftohtë.

Më pas, situata u ngroh pak, sidomos kur Olsi nisi të tregonte me gjeste (pa qëllim për të përdorur emrin e Gjestit ju mendje të liga) dhe fitoi pak më shumë prezencë dhe vetëbesim në këtë përballje. Takimi vijoi me një mirëkuptim nga të dyja palët dhe fiks këtu, u hodh një kunjë.

Egli u shpreh se e kishte pritur gjatë këtë takim pas ndarjes, por nuk ndodhi kurrë, ndaj afërmendsh, po zhvillohej në atë mënyrë konfuze. Më vonë, Olsi nisi të ngrinte vetullën dhe të tregonte se në fakt, e kishte në dorë situatën.

“Unë nuk i harroj të mirat, për një apo dy të këqijat. Kam zgjedhur të kujtoj të mirat nga ti, sepse në fund të ditës, i bëj mirë shpirtit tim”, u shpreh Egli në një fragment të takimit, duke treguar se edhe pse mban mend të mirat, sërish i ka te xhepi i sedrës edhe të këqijat.

Ajo vijoi duke thënë se nuk do të kujtojë gjërat që e çuan drejt ndarjes, por ato që e çuan drejt lidhjes.

Më falni, por s’besojmë se jemi të vetmit që

“Ne gjithë jetës do jemi duke kërkuar dashurinë e vërtetë. Asnjëherë nuk do ndalojmë për ta gjetur”, tha Olsi, i cili me shumë gjasa s’e priste përgjigjen e Eglit, e cila shtoi: “Ti e ke gjetur!”. Olsi tha se është rregulluar dhe mesa shihte, edhe Egli po ndiqte hapat e tij. Nejse, kjo si ai momenti kur takon ish-in dhe do t’i tregosh që je shumë mirë pa të, madje, ke gjetur një person tjetër 100 herë më të mirë. Në një moment prisnim të thoshin: “Ja, shyqyr që më le ti!”.

Ata u përqafuan edhe një herë, këtë radhë më ngrohtë. Me ndërhyrjen e Ledionit, nervozizmi u kthye tek Olsi, i cili nisi të prekte mjekrën, duke treguar se po procesonte situatën, si dhe po rivlerësonte pozicionin e tij në atë moment. Egli gjithashtu po rregullonte flokët, duke treguar gjithashtu se ishte në të njëjtën situatë si Olsi, i cili në ca raste foli edhe shpejt, sikur kishte frikë se mos i harronte fjalët.

Egli, sigurisht, nuk e la pa kaluar një thumb tjetër.

“Ajo që di me siguri është se ky djalë më ka dashur dhe këtë nuk e kam dyshuar këtë, paçka se në shumë raste, gabime ndodhin”, duke shtuar se ndonjëherë gabimet ndodhin edhe pse mund të nisemi nga qëllimi i mirë.

Olsi e justifikoi, duke thënë se të gjithë jetojmë jetën e parë.

Aktori i humorit falenderoi partneren e vet, sepse normalisht, duhej bërë adeti dhe ai tha se ajo këmbënguli që të ndodhte ky takim, kur ndërhyri Egli dhe tha se në fakt, ajo “ia kishte pak borxh” këtë pjesë. Nuk e dimë pse dhe si ia ka pasur borxh Eglit partnerja aktuale e Olsit, por ja ku jemi, në një planet ku ndodhin veç të papritura.

Më falni, por s’besojmë se jemi të vetmit që

Meqë ra fjala te planetet, duam të shtojmë që të gjithë ne siç jemi, diku te 8 miliardë njerëz jetojmë te planeti i Jozit, e cili s’e ka haberin fare ç’ndodh përreth, i fut edhe një “tra la la” me “Janë do dit’” (kënga e Oslit dhe Eglit), merr ca vështrime vrastare, por hej, është hera e parë që jetojmë, gabimet ndodhin.

Artikuj të sugjeruar: