Shqipëria

Vrasja makabre e 22-vjeçares shqiptare: Zbulohen të tjera detaje

Shkruar nga Anabel

9 Prill 2025

Vrasja makabre e 22-vjeçares shqiptare: Zbulohen të tjera detaje

Besojmë se tanimë je njohur me vrasjen shokuese të vajzës 22-vjeçare shqiptare, Ilaria Sula, trupi i së cilës u gjet në një valixhe në një zonë me dendësi pyjesh. Ajo u vra nga i dashuri i saj me origjinë filipineze, Mark Samson, 23 vjeç.

Sipas dëshmisë së vrasësit, ai e kishte gjetur Ilarian duke folur me mesazhe me dikë tjetër. La Repubblica shkroi se Samson tha para hetuesve:

“U futa në dhomë dhe gjeta Ilarian duke folur me mesazhe me dikë. I kërkova të më tregonte telefonin dhe ajo po fliste me dikë tjetër. Më pas ajo më ktheu unazën e fejesës dhe aty e humba. Nuk e pranova dot ndarjen dhe e vrava”.

Kush e ndihmoi vrasësin?

Ka pretendime se e ëma e djalit e ndihmoi atë të fshihte trupin në valixhe dhe të zhdukte gjurmët. Sipas hetuesve, bashkëpunëtorë mund të jenë edhe 2 miq të Samson, të cilët mund të kenë ndihmuar gjithashtu në fshehjen e trupit.

Qelizat e telefonit* me të cilat ishte lidhur celulari i viktimës, i cili përdorej nga vrasësi për të komunikuar me familjarët e saj, që të mos ngjallte dyshime përputhen me vendbanimin e të dyshuarve. Ata janë marrë në pyetje dhe e kanë mohuar lidhjen e tyre me ngjarjen, pavarësisht provave.

Qelizat e telefonit* - Të dhënat e telefonit celular mund të ofrojnë regjistra komunikimi dhe informacione mbi navigimin në internet.

Sipas gjyqtarit hetues, Samson mund të ndikojë te provat, pasi ende nuk ka gjurmë të telefonit të së ndjerës, si dhe është ende e paqartë dinamika e fshehjes së trupit.

Vrasja makabre e 22-vjeçares shqiptare: Zbulohen të tjera detaje

Mesazhi i fundit i vajzës

Prindërit e së ndjerës kanë treguar edhe mesazhin e fundit zanor që Ilaria u kishte dërguar: “Shihni nëse jeni dakord! Pastaj unë do jap paratë dhe i zgjidhim problemet. Ok, më thoni prapë”, shprehej ajo para se të zhdukej, për t’u masakruar nga 23-vjeçari.

Më poshtë do të lexoni një përmbledhje të krimit që tronditi Italinë dhe mbarë vendin tonë.

Deklarata e prindërve

Prindërit e Ilarias, Flamur dhe Gëzime Sula u shprehën:

"Ai duhet të kalbet në burg përjetë! Atë që ai i bëri asaj, nuk ua bëjnë kafshëve. Vajza jonë nuk ishte objekt dhe ai e hodhi si të ishte një e tillë. Nuk ishte një triko, nuk ishte një palë këpucë, ishte njeri".

Më tej, vijuan:

"Jeta jonë, zemra jonë, engjëlli ynë. Ajo kishte aq shumë ëndrra, nuk u ndal kurrë. Ajo studionte për Statistikat Financiare, do diplomoje në tetor. E prisnim atë fundjavë. Vëllai i saj shkoi ta merrte në stacion, treni mbërriti dhe u largua përsëri dhe Ilaria nuk ishte aty. Ne u përpoqëm ta telefononim, por telefoni i saj ishte i fikur. Aty kuptuam se diçka kishte ndodhur. Ata na hoqën një pjesë të zemrës, gjithçka. Vajza jonë është e mbyllur në një vend që nuk mund ta lërë më, nuk mund të kthehet në shtëpi, nuk do ta shohim më kurrë të hyjë në derë, të qëndrojë në dhomën e saj. Ajo na jepte forcë! Ne kemi për detyrë të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend".

Dinamika e krimit

E reja shqiptare ishte një studente, e cila ndante banesën ku jetonte me të tjera vajza. Ajo ishte larguar nga shtëpia më 25 mars, por trupi i saj u gjet më 2 prill. 

Si ra policia në gjurmët e autorit

Autori dyshohet të ketë përdorur një thikë për të vrarë të renë, të cilën më pas e futi në valixhe dhe e hodhi në zonën e pyllëzuar. Pas humbjes së kontakteve, familja e vajzës është alarmuar dhe ka kërkuar ndihmën e policisë për ta gjetur atë.

Ngjarja u zbardh falë tabulateve të telefonit të viktimës, i cili ishte mbajtur nga autori. Ky i fundit postonte herë pas here në rrjete sociale, duke u shtirur sikur ishte viktima. Po ashtu, ai i ka nisur edhe familjarëve të viktimës disa mesazhe sikur ishte ajo, në mënyrë që të mos dyshonin. Më tej, ai mësohet se e ka hedhur telefonin në një pusetë.

Ndonëse familjarët e denoncuan rastin që mbrëmjen e 25 marsit, ku e reja nuk u kthye më në shtëpi, policia mundi të gjente trupin vetëm 8 ditë më pas. Pas gjetjes së trupit, policia ka bërë të mundur, me ndihmën edhe të tabulateve telefonike, identifikimin dhe arrestimin e autorit.

Dëshmia e parë e autorit

“E hodha telefonin e saj në një pusetë në Romë, trupin e ngarkova në makinën time dhe e çova në Poli", ka treguar i riu gjatë dëshmisë së tij.

Nga ana tjetër, mediat vendase raportojnë se shkak mund të jetë bërë kërkesa e të resë shqiptarë për ndarje, gjë e cila nuk është pranuar nga autori.

Vrasja makabre e 22-vjeçares shqiptare: Zbulohen të tjera detaje

Dëshmitë e familjarëve

E ëma e viktimës, Gëzime Sula, ka dhënë dëshminë e saj, ku nënvizon se e kuptoi që diçka nuk shkonte, pasi e bija nuk po i përgjigjej në telefon, por vetëm po i dërgonte mesazhe.

"Menjëherë e kuptova se diçka nuk shkonte. Më pas fola me miqtë që jetonin me të dhe së bashku me bashkëshortin vendosëm të denoncojmë menjëherë zhdukjen e saj, falë edhe inspektorit Moreno Fernandez që më rekomandoi një mik nga Terni. E di që hetimet çuan menjëherë te djali me të cilin Ilaria kishte dalë në të kaluarën, por ne dimë pak për të”, ka thënë nëna, raporton Il Messagero. 

Nga ana tjetër, vëllai i viktimës është shprehur se e reja dhe autori ishin ndarë prej kohësh.

“Me Ilarian fola për herë të fundit dy javë më parë, sepse ajo erdhi të na vizitojë në Terni. Ajo ishte e qetë dhe nuk më tregoi për asnjë problem, pastaj vetëm mesazhe, por nuk jam i sigurt që i kishte shkruar. E njihja, ishin bashkë prej një viti, por ishin ndarë prej kohësh", ka rrëfyer 20-vjeçari.