Shefi i NATO-s paralajmëron për armë të mundshme bërthamore ruse në hapësirë
NATO është e shqetësuar se Rusia mund të jetë duke konsideruar vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë për të synuar satelitët. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përdorimi i armëve bërthamore kundër satelitëve në hapësirë do të ishte një shkelje e Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967.
Megjithëse armët nuk do të synonin Tokën, rrëzimi i satelitëve mund të ketë pasoja serioze, pasi shumë sisteme që ne përdorim mbështeten në satelitë, duke përfshirë sistemet e navigimit dhe komunikimit, si dhe monitorimin e mjedisit.
Irani dhe SHBA do të zhvillojnë bisedime për të nisur negociatat mbi programin bërthamor
Irani dhe SHBA ranë dakord të vazhdojnë negociatat javën e ardhshme mbi programin bërthamor të Teheranit që po avancohet me shpejtësi, njoftoi televizioni shtetëror iranian të shtunën.
I dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araghchi, "folën shkurtimisht në prani të ministrit të jashtëm të Omanit", sipas mediave iraniane.
Aragachi tha se raundi tjetër i bisedimeve do të zhvillohet në 19 prill. Ai i përshkroi negociatat si konstruktive.
Gjermani: Kancelari i ri do të zgjidhet me 6 maj
Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, pritet të zgjidhet më 6 maj, duke u bërë kancelari i ri i Gjermanisë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat vendase, të cilat shkruajnë se përgatitjet përkatëse në Bundestag tashmë kanë filluar.
Miratimi nga SPD dhe CDU i marrëveshjes së koalicionit është parakusht për zgjedhjen e kancelarit. CDU-ja do ta bëjë këtë në një kongres partie, ndërsa SPD përmes procesit të votimit të anëtarëve të partisë. Forumet e CSU (partia kristiansociale si motër e CDU-së) e miratuan që të enjten (10.04.2025) marrëveshjen e koalicionit.
Vrasje e Ilaria Sulës: Gjenden prova të reja
Detaje të reja kanë dalë në pah nga vrasja e shqiptares Ilaria Sula në Itali. Sipas mediave vendase gjetjet e hetimeve implikojnë persona të tjerë, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar në fshehjen e krimit.
Provat e reja janë gjetur në jastëkë, në kabinën e dushit, një njollë në murin e korridorit dhe shenjat të tjera të dyshimta në lavaman, në pjesën e pasme të karriges, në derën e makinës dhe një kuti sipër një dollapi.
Të gjitha provat janë gjetur në shtëpinë e autorit Mark Samson, ku dyshohet se të afërm apo familjarë mund të kenë ndihmuar në fshirjen e gjurmëve të gjakut të viktimës. Autori është shprehur se ka vepruar i vetëm, por ngjarja është ende nën hetim.