Kinema & TV

Sugjerimet e Anabel: Pse duhet ta shohësh me patjetër serialin “Niçe”

Shkruar nga Anabel

14 Prill 2025

Sugjerimet e Anabel: Pse duhet ta shohësh me patjetër serialin

Seriali “Niçe” erdhi si një frymë e re në prodhimet kinematografike shqiptare. Seriali u transmetua në Top Channel e në YouTube dhe komentet ishin goxha pozitive, për shkak të një qasjeje të re, ku personazhi kryesor është një njeri “i dështuar”, me situata plot humor, por që të bëjnë edhe t’i vësh gishtin kokës dhe të mendosh gjatë për zgjedhjet në jetë.

Pse duhet ta shohësh “Niçe-n”?

Personazhi kryesor, antihero i kohës moderne

Sugjerimet e Anabel: Pse duhet ta shohësh me patjetër serialin

Niçe, i luajtur nga Brendi Bega, është një personazh unik që nuk e kemi parë zakonisht, veçanërisht në prodhimet kinematografike shqiptare. Niçe është një djalë tipik shqiptar, i cili është “99-ç”, e ka batutën dhe përgjigjen në majë të gjuhës, është i mençur, dembel, i çrregullt dhe shumë herë, i pabesueshëm. Pikërisht të gjitha këto “cilësi” e bëjnë një antihero fantastik dhe të paharrueshëm!
 
2 djem, secili me “huqet e veta”

Të prezantojmë me:

Kuqo – Shok për kokë, por deri diku!

Sugjerimet e Anabel: Pse duhet ta shohësh me patjetër serialin

Kuqo është gjithashtu një personazh goxha interesant dhe arrin të vjedhë vëmendjen në çdo skenë ku paraqitet. Margent Caushi ka “veshur petkun” e një personazhi krenar, të rafinuar dhe nuk përton kurrë kur vjen puna te skemat.

Niko – 32-vjeçari realist

Sugjerimet e Anabel: Pse duhet ta shohësh me patjetër serialin

Niko (i luajtur nga Silvio Goskova) është personazhi më realist në këtë serial dhe u bën gjithnjë një “reality check” të gjithëve. Ai i rikthen çunat në botën reale dhe me këmbë në tokë. Niko është si ai bulkthi i ndërgjegjjes që të rri te supi, por nuk ka shumë durim.

Surpriza në çdo javë – histori dhe VIP-a!

Sugjerimet e Anabel: Pse duhet ta shohësh me patjetër serialin

Episodet e “Niçe” prezantojnë gjithnjë personazhe të rinj, histori unike dhe performanca që rrëmbejnë vëmendje. Karakteret e tyre nuk kanë nevojë fare për shumë kohë në ekran për t’u mbajtur mend nga publiku. Aktorë relativisht të rinj si Donald Shehu, Urim Aliaj, Joana Omeraj, Kejdi Gishto, si dhe aktorë të njohur si Ervin Bejleri, Neritan Liçaj, Marin Orhanasi dhe Renada Ceci janë bërë bashkë për të ndërtuar situata me humor dhe shpeshherë edhe të thella.
 
“Niçe” sjell edhe personazhe befasues, të cilët s’i pret fare. Egla Ceno, Kastro Zizo dhe Ledion Liço vijnë në role surprizuese dhe të këndshme. Paraqitjet e tyre janë shumë spontane dhe shumë shpesh qesharake. I mban mend të ftuarit e beftë te “Friends”? I njëjti vibe!
 
Për më tepër, karakteret zhvillohen. Në serialin “Niçe” deri diku rregullohet një tjetër problematikë e filmave dhe serialeve shqiptare: Zhvillimi i personazheve. Në serial, personazhet përballen me situata të ndryshme, filozofojnë, frymojnë në të njëjtin realitet me ne dhe rriten e zhvillohen. Personalitetet thellohen, duke të të përfshirë në tematika të ndryshme dhe çështje të ndërlikuara që ne i përjetojmë çdo ditë.

Largoni fëmijët nga ekrani! Humori është për të rritur

Sugjerimet e Anabel: Pse duhet ta shohësh me patjetër serialin

E kemi thënë shpesh: Filmat dhe serialet shqiptare vuajnë për dialog dhe batuta të mira. Fatmirësisht, antiheroi i serialit s’ka fare frikë nga e vërteta dhe i thotë gjërat përherë troç. Humori i tij është për të rritur, s’ka filtra dhe vjen gjithnjë shqeto. Bravo për guximin, sepse të jemi të sinqertë, askush nuk flet me miqtë si akademik.

Cili është zhaneri?!

Nga një episod në tjetrin, ti mendon se je në një komedi, më tej, në një seancë terapie. Seriali ka një ritëm që s’e pret dhe gjithnjë ke kuriozitetin të shohësh se ç’do të ndodhë ne serinë e ardhshme.

Paleta e ngjyrave

Tani, që të jemi të sinqertë, edhe fotografia dhe paleta e ngjyrave ka shumë rëndësi në një serial. Ndriçimi urban na sjell një këndvështrim më të gjallë dhe qartazi, skenat janë menduar me kujdes. Në serialin “Niçe”, Tirana nuk është thjesht një qytet dhe një sfond që bëhet “blur”, por një metropol që ka karakterin e vet.

Vazhdimësia e serialit

Për njerëzit që kanë qejf serialet që nuk e ndërpresin historinë në mes dhe të lënë pezull, kemi një lajm të mirë! Historia e “Niçes” do të vijojë, sepse çunat na kanë lejuar tanimë të jetojmë në universin e tyre të vogël, shumë interesant.

Artikuj të sugjeruar: