Gjykata e Beratit ka dhënë dënimin për Natasha Rombulën dhe Armando Kumarakun, të cilët shfrytëzonin djalin 10-vjeçar për klikime në TikTok. Togat e zeza kanë dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg gjyshen, Natasha dhe 3 vite e 6 muaj babanë e të miturit, Armando Kumaraku.
Po ashtu, gjyqtarja Lumturi Zhupa i ka shtuar edhe dënimin plotësues të kërkuar nga organi i akuzës, duke i hequr shtetasit Armando Kumaraku të drejtën e prindërimit mbi djalin e tij.
Nënë e bir u bënë të njohur në rrjete sociale përmes videove të tyre në TikTok dhe fjalorit denigrues që përdornin. Herë pas herë në live-t e tyre përfshinin edhe djalin e mitur, të cilin e mësonin të përdorte fjalë banale për klikime dhe të ardhura monetare.
Ngjarja u denoncua nga e ëma e djalit dhe më pas nënë e bir u vunë në pranga.
Natasha Rombula dhe djali i saj, Armando Kumaraku, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, kryer në bashkëpunim.