Puna në RTSH vijon të ngjallë shumë polemika, ndërsa është larguar një tjetër gazetar, Ermal Peçi, i cili ka deklaruar se do të flasë për faktin që është larguar papritur nga emisioni i tij, duke mos respektuar procedurat ligjore të nevojshme.
“Unë nuk do të hesht dhe as nuk do të ndalem. Të gjithë ata që përpiqen të fshehin të vërtetën, le të kujtojnë se drejtësia është ende aty. Dhe do flasë. Shumë më shpejt se sa e mendojnë. Transparenca në një media publike është jo vetëm e nevojshme, por e detyrueshme. Dhe publiku ka të drejtë të dijë arsyet e vërteta të çdo vendimi që prek programet që ndjek, përqafon, shikon dhe klikon.”
Përpos deklaratës së tij, edhe të tjerë personazhë të njohur kanë shprehur pakënaqësitë dhe kritikat e tyre nga puna në RTSH. Nisi me Bledi Strakoshën, i cili u largua pas 8 vitesh nga RTSH, ku drejtonte emisionin “Me Bledin”. Ai, përmes një njoftimi në Instagram, u shpreh:
“Tetë vitet e fundit në RTSH për mua u mbyllën. Asgjë e re dhe asgjë tronditëse për dikë që prej 32 vitesh punon në media. Me lëvizjet e tregut, me ndryshimin e shijeve të audiencës e ndoshta edhe me tekat e drejtuesve a me të kujt u gjendet pranë në zyrë a gjetkë në çaste të caktuara të ditës e të natës, jemi mësuar dhe nuk kapemi të papërgatitur”.
Bledi bëri një pasqyrim të situatës brenda RTSH-së dhe u shpreh se televizioni është në një gjendje të tillë, ku profesionistët kanë bërë një pakt të heshtur për t’u trajtuar siç trajton qytetari një shtëpi me qira. Ai vazhdoi postimin dhe tha se ëndërron që RTSH të ketë një fat mesatar.
Më pas, gazetarja Elona Jaçellari zbuloi se më 31 dhjetor të vitit 2024, përmes burimeve të treta, ajo u lajmërua se drejtoresha e RTSH-së, Aurora Polo, se ishte vendosur pezullimi i menjëhershëm dhe i paparalajmëruar i emisionit që ajo drejtonte, “Jetë Shqiptare”. Transmetimi i emisionit u ndërpre gjithashtu pa asnjë lajmërim dhe shpjegim për publikun.
Elona u shpreh në një deklaratë në rrjetet sociale:
“Sot mes nesh dua të ndaj një mesazh të rëndësishëm të shkeljes së dinjitetit tim profesional dhe njerëzor. E gjendur në situatën ku prej dy muajsh jam e papunë në rrethana nga më absurdet dhe çnjerëzoret, zgjodha të flas përballë kësaj padrejtësie, edhe pse përgjithësisht në situata të tilla zgjedh të hesht, të marr mësimin edhe të vazhdoj përpara,”
Anabel kontaktoi me Elona Jaçellarin, e cila na informoi më gjerësisht lidhur me reagimin e saj publik. Gazetarja u shpreh se edhe pse emisioni “Jetë Shqiptare” ishte më i ndjekuri në të gjithë televizionin, drejtoresha e RTSH-së mori vendimin e ndërprerjes së kontratës në periudhën e rishikimit të saj, që ishte saktësisht muaji dhjetor i 2024-ës.
Alban Dudushi, i ftuar në “The Dalina Show” dha gjithashtu ca detaje nga ndërprerja e kontratës së tij pa asnjë sqarim nga RTSH.
“Aty u ndërprenë edhe dy emisione që ishin të suksesshme, si në shikueshmëri, ashtu edhe në YouTube - emisioni i Elonës dhe emisioni im,” u shpreh ai.
Sipas Dudushit, e gjithë kjo histori është një kombinim i absurditetit dhe mungesës së logjikës.
“Është një histori edhe qesharake, edhe banale, edhe irrituese. Në këtë profesion kemi kaluar shumë, kemi njohur shumë. Normalisht, intriga ka, është një botë që për hir të së vërtetës ka konkurrencë brenda saj dhe kjo është normale. Nuk është fushë me lule, nuk është gjithmonë ashtu siç duket në ekran. Por kur ndodh diçka që nuk ka kuptim në vetvete, kjo është ajo pjesa që të shushat dhe të acaron.”
Dudushi e përmblodhi këtë situatë si një absurditet të pastër.
RTSH është përfshirë në një situatë tejet kaotike dhe nisur nga reagimet e figurave publike, edhe stresuese, duke qenë se ndërpriten emisione dhe kontrata në mënyrë te pashpjegueshme dhe duke mos respektuar legjislacionin përkatës. Vendimet e paqarta, pasiguria në punë për punonjësit dhe më tej, në emisionet që i serviren publikut, i cili paguan taksat për të parë emisionet që pëlqen (referuar shikueshmërisë), është e padrejtë jo vetëm për stafin e RTSH-së, por edhe për njerëzit që marrin kohën dhe mundin t’i ndjekin këto emisione.
Që punonjësit duhet të lajmërohen paraprakisht për largimin nga puna, kjo dihet afërmendsh, por përpos kësaj, duke qenë se RTSH financohet nga kontributet e shtetasve të Republikës së Shqipërisë, është e detyruar që të japë një shpjegim për ndërprerjen e emisioneve dhe programeve që transmeton. Kaosi i shkaktuar nga kjo neglizhencë kundrejt stafit dhe publikut është i papranueshëm dhe edhe një herë ngre diskutimin mbi mënyrën e trajtimit të punonjësve në ambientin e punës, si dhe mbi trajtimin e publikut dhe mungesës së informacionit që shikuesit duhet të marrin.
Anabel ka kërkuar informacion nga stafi drejtues i RTSH-së dhe drejtoresha Aurora Polo më 24 shkurt 2025, por nuk morëm kurrë një përgjigje, pavarësisht se e kanë detyrim ligjor bazuar në Ligjin Nr. 119/2014, "Për të Drejtat e Informimit".