Eja shohim pak Tv

Rrëfimi i jashtëzakonshëm: Nëna bëri foto me beben e pajetë - pse kjo gjë ka rëndësi?

Shkruar nga Anabel

19 Prill 2025

Rrëfimi i jashtëzakonshëm: Nëna bëri foto me beben e

Një histori dhimbjeje dhe force

Eugena Molla, një grua shqiptare që zgjodhi të flasë në një intervistë me Dalina Buzin, në "The Dalina Show", rrëfeu historinë e saj tronditëse të shtatzënisë së parë në jetë.

"Unë mbeta shtatzënë në muajin shkurt të vitit 2019 dhe kisha datën e lindjes më 8 nëntor 2019," nisi të tregonte Eugena. Shtatzënia shkonte mirë, me gjithë vështirësitë fizike dhe emocionale. 

Por, vetëm katër ditë para datës së lindjes, Eugena nisi të ndjente se diçka nuk shkonte. Bebi, së cilës i vendosën emrin Luna, nuk po lëvizte më si më parë në barkun e saj. Vizita në spital konfirmoi më të keqen: bebi nuk kishte më rrahje zemre.

“Ai moment ka qenë fundi i botës,” thotë Eugena. “Bota shembet, një tërmet gjigant... pastaj erdhi një lloj adrenaline që të mban gjallë: ‘Ok, kjo ndodhi, po çfarë do bëjmë tani?’”

Rrëfimi i jashtëzakonshëm: Nëna bëri foto me beben e

Lindja u bë natyrale, për arsye mjekësore, edhe pse Eugena e përjetoi si një përvojë jashtë natyrës dhe logjikës. “Ke shtyrë një fëmijë që e di që nuk jeton,” i thotë Dalina dhe Eugena përshkruan momentin si një përzierje dhimbjeje dhe lehtësimi: “Ndoshta, ok, mbaroi, e përfundova edhe si femër këtë udhëtim.”

Por asaj iu desh të përballej me një tjetër momet të vështirë...

“A doni të bëjmë foto me beben?” – Rrëfimi që të thyen zemrën

Pasi Luna erdhi në jetë, prindërit e saj patën mundësinë ta mbanin në krahë. “Ajo ishte shumë e bukur,” kujton Eugena. “E kemi mbajtur derisa dola nga spitali.” Në ato momente zie dhe tronditjeje, iu ofrua mundësia që t’i bëheshin foto me beben. Ishte një organizatë fotografësh në Belgjikë që ndihmonte prindërit në situata të tilla.

“Reagova shumë keq. Thashë ‘nuk dua, nuk dua ta kujtoj.’ Ishte faza e mohimit. Doja vetëm të mbaronte gjithçka, sa më shpejt.”

Por falë këmbënguljes së tyre, Eugena pranoi. Dhe sot, nuk i ndërron ato foto me asgjë.

“Kemi flokët e Lunës, kemi dy fëmijë pas saj dhe tre fëmijë gjithsej. Por fotot me Lunën më kanë ndihmuar jashtë mase të përpunoj dhimbjen. Po të mos i kisha bërë, do të më kishin mbetur merak gjithë jetën.”

Fotot me të porsalindurit e pajetë - Një traditë që po normalizohet në botë

Fotografitë me foshnjat që nuk jetojnë janë një praktikë që aplikohet në shumë vende të botës, si një mënyrë për të përballuar dhimbjen e humbjes. Organizata të specializuara ofrojnë falas shërbime fotografike për familjet që humbasin një fëmijë para, gjatë apo pas lindjes. Ato krijojnë një kujtim të prekshëm, për një jetë që, edhe pse e shkurtër, është e përjetshme për prindërit.

Rrëfimi i jashtëzakonshëm: Nëna bëri foto me beben e

Pse këto fotografi kanë rëndësi

Fotografitë e bebeve të lindura pa jetë kanë një domethënie të thellë për shumë familje, për disa arsye:

Nderimi i një jete, sado e shkurtër të ketë qenë

Bebet vërtet nuk jetuan jashtë barkut të nënave të tyre, por ishin reale, u deshën dhe u pritën me gjithë zemër prej prindërve. Fotot janë dëshmi e ekzistencës së tyre.

Kujtime të prekshme

Shpesh, prindërit në të tilla situata kanë vetëm pak minuta apo orë me foshnjën e tyre. Një foto është një kujtim që nuk zbehet, një lidhje me fëmijën.

Legjitimon dhimbjen

Dhimbja e lindjes së një foshnjeje pa jetë është shpesh një dhimbje e heshtur. Ndërsa, një foto thotë: “Kjo bebe ekzistoi.” Është një mënyrë për të pranuar dhe për të respektuar të drejtën për të mbajtur zi.

Ndihmon procesin e shërimit

Fotot mund të bëhen pjesë e ceremonive, mund të ruhen apo ndahen me të afërmit. Ato shpesh bëhen themeli i një rruge të gjatë drejt përpunimit të humbjes.

Pjesë e historisë së familjes

Disa prindër vendosin t’i ndajnë këto foto për të ngritur ndërgjegjësimin, për të thyer heshtjen dhe për të ndihmuar të tjerët që përjetojnë të njëjtën humbje.

Lidhja me familjarët dhe motrat/vëllezërit

Fotot janë një mënyrë për t’i treguar vëllezërve e motrave që s’patën mundësi ta njohin motrën/vëllain e tyre, që ajo ekzistoi dhe ishte pjesë e familjes.

Eugena është një nga shumë nëna shqiptare që kanë kaluar një dhimbje të tillë, por rrallë e flasin me zë të lartë. Me zërin e saj të qetë por të fortë, ajo na kujtoi se edhe atëherë kur të duket sikur bota shembet, dashuria mbetet. Dhe ndonjëherë, ajo dashuri jeton në një foto – një kujtim i çmuar që i jep forcë prindërve të ecin përpara, duke mbajtur gjithmonë me vete një pjesë të fëmijës së tyre.

Emisioni i plotë për humbjen në "The Dalina Show":