E doni ose e urreni, Gjesti fitoi edicionin e katërt të “BBVA”, duke marrë në shtëpi çmimin e madh! Ai u shpall fitues pas televotimit kokë me kokë me Rozana Radin, ndërkohë që në finale iu bashkuan edhe Laeri dhe Egli.
Një ndër banorët më të diskutuar këtë edicion, Gjesti e ndau publikun në dy grupe:
- Disa ishin të bindur se do ta fitonte ai garën;
- Të tjerë, thanë “jo”, nuk ka mundësi, pasi ka bërë shumë gabime në lojë.
Për fatin e keq të grupit të dytë, Gjesti fitoi dhe mendojmë se i kemi ca arsye se pse:
Gjesti, një uragan (për mirë ose për keq)
Gjesti hyri furishëm, i ngacmoi të gjithë, ca banorë i nxori me Zarf të Zi (për t’i rikthyer sërish) dhe në shumë raste sfidoi të gjithë durimin e banorëve. Gjatë klipit të linjës së tij në lojë, Gjesti e tha qartë: Loja e tij përkonte me testimin e nervave të banorëve. Ai identifikoi konkurrentët që nuk u mbanin shumë nervat, i provokoi pa u tërhequr dhe Gerta i hodhi birrë; Jozi e ofendoi dhe diskriminoi (në fund, edhe e qëlloi) dhe G Bani e shtyu duke i vendosur dorën në fytyrë.
Veprimet e Gjestit dhe provokimet e tij jo gjithnjë u mirëpritën nga publiku dhe afërmendsh, jo nga banorët, por fundja, kjo është loja.
Mungesa e konkurrencës
Fillimisht, u identifikuan ca banorë të fortë, mes tyre edhe Rozana dhe Gerta, të cilat hoqën dorë nga debatet me Gjestin dhe bënë një gabim strategjik: U morën me njëra-tjetrën dhe e lanë Gjestin jashtë. Me synimin për të eliminuar njëra-tjetrën, Gjesti ishte ai që përfitoi. Mungesa e një konkurrence të mirëfilltë, e debateve konstruktive (sepse të gjithë u lodhëm dhe e fikëm TV në një pikë të sherrit), si dhe të njëjtat drama dhe halle e shpallën Gjestin fitues, sepse publiku s'pati rastin të njihte të tjerë konkurrentë si garues/fitues.
Konkurrentë pa strategji, të cilëve u mungonte mendimi analitik dhe gjakftohtësia, sherret e kota dhe të rreme, situatat po aq të lodhshme dhe të pasqaruara, që në prime trajtoheshin shkel e shko, e bënë "BBVA 4" një edicion kaq të mërzitshëm sa qysh para finales e njohëm fituesin.
Hapa-dollapa me publikun
Gjesti diti si ta menaxhonte kuriozitetin e publikut. Siç e pa edhe në “BBVK”, ku njerëzit kanë interes për romancat (lidhja e tij me Xhenetën), ku ai u ngrit shumë në lojë; edhe në “BBVA 4”, romanca ushqen klikime, të cilat sjellin vëmendje. Veprimi matematikor është shumë i thjeshtë:
Dashuri + Toksicitet në reality show = më shumë vëmendje mediatike, në prime, interes publik (që mund të sjellë edhe vëmendje).
Gjesti e testoi ujin me një këmbë fillimisht, për të parë edhe deri ku mund të provonte të hynte thellë. Më tej, ai e shtoi dozën e toksicitetit dhe uljeve-ngritjeve të një romance, ndonjëherë edhe brenda minutave, duke e lënë publikun konfuz dhe kurioz për të ditur hapin e radhës.
Incidenti me Jozin
Jozi para se të dilte nga shtëpia e "BBVA 4" bëri atë që të gjithë druheshim: Një akt dhune! Ai qëlloi Gjestin me shpullë, duke e çuar drejt fitores. Shpulla ishte një katapultë, e cila e ngjiti Gjestin pak më lart, pasi edhe njerëzit që nuk ishin fansa të tij, dënuan aktin sepse dhuna është në çdo rast e pajustifikueshme. Praktikisht, edhe çdo sulm i bërë më parë karshi Gjestit ishte një arsye për ta çuar drejt fitores.
Shprehjet autentike
“Nub”; “Hajd natën e miiiirëë”; “U kry çdo sen”, u përhapën në “BBVA 4” me shpejtësi, jo vetëm nga banorët, por edhe nga komentuesit dhe vetë Ledioni. Memoria e njerëzve aktivizohet me fjalë dhe shprehje specifike, ndaj në njëfarë mënyre, edhe kur nuk flitej për Gjestin, na kujtohej Gjesti.
Gjithçka për të kapur prime
Gjesti pati një aftësi shumë të mirë dhe fiks për lojën brenda “BBVA 4”, ku arriti të depërtonte në shumë situata që do të ngjallnin diskutime, edhe pse ndonjëherë as nuk bëhej fjalë për të. Megjithatë, kur të gjithë prisnim të shpërthente e të na thoshte diçka të mençur, kjo nuk ndodhte. Gjesti thoshte disa fjalë të vakëta, na thoshte "natën e mirë" që në orën 21:15 dhe ne dëgjonim fjalimet e gjata të Eglit.
I vetëm kundër banorëve
Gjesti u fut paksa vonë në lojë, por e përdori në avantazhin e vet. Ai e luajti mirë kartën e “veçimit” si banor i ri në favorin e tij dhe luftoi fillimisht pa ndonjë aleancë. Gjesti e shpjegoi dje se fillimisht u ndje keq, i papërfshirë dhe në shumë raste i përjashtuar, por publiku ka një dobësi shumë të madhe për njerëzit që “u bien në qafë”, ndaj sigurisht, do të krijonte empatinë e pritshme ndaj Gjestit.
I përkëdhelur nga opinionistët
Le ta themi troç: Gjesti ishte i llastuari i këtij edicioni. Ai kaloi murin, u soll si u soll me Eglin etj, por sërish, në njëfarë mënyre, opinionistët gjetën si ta justifikonin, tkurrnin veprimin e tij, ose i folur në mënyrë të butë. Kujtojmë Nedën, e cila e trajtonte si një fëmijë të vogël që të mos mërzitej (gjatë diskutimit: Gjesti, ku shkon? Të lutem, ulu dhe më dëgjo deri në fund). Edhe Arbri, i cili s’i kursen spicat, me Gjestin qe më i butë dhe po, dallimi në sjellje mes Gjestit dhe banorëve të tjerë ishte i dukshëm.
Artikuj të sugjeruar: