Marrëdhëniet “tërhiq e mos e këput”, të cilat në rrjet njihen me fjalën anglisht “situationship”, po bëhen gjithnjë e më popullore.
Kur Taylor Swift publikoi albumin “The tortured poets department”, ajo pikëlloi të gjithë fansat me disa nga tekstet më zemërthyese që ka shkruar ndonjëherë, me sa duket për një marrëdhënie që zgjati rreth një muaj. Që atëherë, natyra shkatërruese e të tilla marrëdhënieve është bërë objekt i shumë diskutimeve në internet. Ndonjëherë, nuk është lidhja gjashtëvjeçare ajo që të bën të shkruash 31 këngë për ish-të dashurin, por mund të jetë një raport që u kthye në një flirt intensiv, por mori fund krejt papritur.
Pse këto marrëdhënie janë kaq të dhimbshme? Çfarë është aq e paqartë, por jashtëzakonisht intime që mund të na çojnë drejt paranojës romantike?
Dr. Morgan Anderson, psikolog klinik shpjegoi se çfarë ndodh saktësisht në këto situata dhe pse ato na mundojnë kaq shumë.
Ndihemi të pavlerë
Sipas Dr. Morgan, një marrëdhënie e tillë mund të shkaktojë emocione negative.
“Pavarësisht se sa shumë përpiqemi të mos e shfaqim, një pjesë e jona mendon dhe beson se nuk jemi tërheqës mjaftueshëm sa për të na zgjedhur”.
Kjo mund të shkaktojë probleme në lidhje me vetëbesimin dhe vetëpranimin tonë.
“Kjo na bën të mendojmë se nëse do vlenim, do të ishim të denjë për dashurinë e tyre," tha Dr. Morgan.
Të tilla situata mund t'ju izolojnë
Nëse keni luftuar ndonjëherë me ndjenjën e vetmisë së thellë që vjen pas përfundimit të një marrëdhënieje të tillë, nuk jeni vetëm. Ju jeni duke mbajtur zi për një lidhje që nuk arriti kurrë një nivel të caktuar romantik dhe që nuk ishte kurrë zyrtare. Kjo mund t'ju bëjë të ndiheni të vetmuar.
"Nëse ndiheni të trishtuar ose të pikëlluar për fundin e një raporti të tillë aq të paqartë dhe të shkurtër, nuk mund të prisni shumë mbështetje nga miqtë tuaj, sepse ata nuk do ta kuptojnë se sa e rëndësishme ishte ajo marrëdhënie për ju. Bëhet fjalë për fundin e një marrëdhënieje që ishte, në dukje, e parëndësishme, por në realitet mund të ketë shkaktuar një ndikim emocional të fortë," tha eksperti.
Ky raport mund të jetë i dëmshëm për shëndetin mendor
Ka diçka në këto marrëdhënie të papërcaktuara që mund t'ju bëjnë të ndiheni shumë keq. Të tilla raporte janë “zona gri” dhe kjo paqartësi mund të ndikojë seriozisht në shëndetin tuaj mendor. Kjo, pasi mund të na përballin me situata jo të shëndetshme dhe të pakëndshme, veçanërisht nëse mendonim se ishim gati për një marrëdhënie serioze.
Mund të jenë një fantazi
Ajo që i bën të tilla marrëdhënie kaq të zakonshme është koha e pacaktuar. Mund të zgjasë javë, muaj apo edhe vite. Megjithatë, ekziston një lloj raporti që është shumë i vështirë për t'u kapërcyer, dhe kjo është ajo që quhet "marrëdhënie fantazi". Këto situata janë shumë të shkurtra dhe emocionalisht intensive.
"Ne e vendosim këtë lloj marrëdhënieje në një piedestal, pasi zgjati pak dhe ishte shumë intensive, ndaj kështu jemi në gjendje të imagjinojmë të gjitha gjërat që mund të kishim bërë me atë person, por pa u përballur kurrë me realitetin se si do të ishte të ndërtoje realisht një marrëdhënie me të."
Truri ynë ka tendencë të plotësojë boshllëqet rreth asaj se si mund të jetë një situatë, kështu që nëse kalojmë shumë kohë në këtë botë imagjinare, kjo mund ta bëjë shumë më të vështirë harresën. Në këtë mënyrë ne imagjinojmë situatat më ideale me atë person, duke e bërë të duket në mendjen tonë si personi më perfekt, ndonëse realiteti me të do mund të ishte krejt e kundërta. Në këtë mënyrë ne imagjinojmë situatat më ideale me atë person, duke e bërë të duket në mendjen tonë si personi më perfekt, ndonëse realiteti me të do mund të ishte krejt e kundërta.
Pra, pse fundi i një marrëdhënieje të tillë është kaq i ngarkuar emocionalisht?
Ka shumë arsye pse fundi i një marrëdhënieje mund të na dëmtojë, por ka shumë të ngjarë të ketë të bëjë me të paktën një nga këto tre gjëra: fundi i paqartë, mungesa e mbështetjes nga njerëzit e dashur dhe fantazia e pashëndetshme.
Të ndihesh plotësisht i/e shkatërruar për një marrëdhënie të papërcaktuar nuk është kurrë një ndjenjë e këndshme. Ndërsa kaloni këtë ndarje, jini të durueshëm me veten, kërkoni ndihmë nga të tjerët dhe mos harroni: Ju meritoni dikë që ju bën të ndjeni fluturat në stomak.
Burimi: Marie Claire