Nëse ke kaluar ndonjëherë në autostradën Tiranë–Durrës, të ka zënë syri një ndërtesë që s’ngjan me asgjë tjetër rreth e qark: një pallat masiv, klasik, i stolisur me kolona blu, statuja, dhe një kupolë të madhe, në majë të një kodre që sheh vetëm… rrugë, rrugë dhe më shumë rrugë.
Nuk është hotel (s’ka funksionuar kurrë si i tillë). Nuk është muze. Nuk është pallat mbretëror (megjithëse sillet si i tillë). Është pallati Amadeus, pronë e një biznesmeni të pasur me origjinë nga Kosova, Besim Elshani, që ka vendosur të lërë pas një “trashëgimi”, siç bënin dikur sulltanët e perandorët.
View this post on Instagram
Dhe ja ku jemi sot, përballë një ndërtesë që të bën të ndalesh dhe të pyesësh: “Pse? Për kë?”
Merr një stil të madh dhe historik – le të themi otoman, romak, apo barok – përzieje me ndonjë element nga bota e Disney-t, pastaj shto një kupolë, 40 kolona dhe një portret tëndin në holl... dhe bujrum: Kemi stilin kitsch.
Kitsch është një stil që “e terpon” dhe është krenar për këtë! Është gjithnjë *ekstra*, më shumë se ç’duhet! Kur themi më shumë, e kemi në kuptimin e parë të fjalës! Më shumë dekor, më shumë ar, më shumë imitime!
Nisur nga ky pallat madhështor, që askush nuk e di pse përdoret, të tregojmë pak më shumë për stilin kitsch.
Arkitektura në stilin kitsch i referohet një qasjeje në dizajn që është qëllimisht e ekzagjeruar apo tejet dekorative—dhe shpesh në njëfarë mënyrë, shihet si tregues i shijes së keqe, por në raste të tjera, edhe interesante.
Karakteristikat e stilit kitsch
Më shumë dekorim!
Arkitektura kitsch ka tendencën të teprojë me zbukurimet. Për shembull: kolona të mëdha dhe të rreme, zbukurime me ngjyrë ari, apo motive klasike të përdorura në mënyrë jo shumë të mirëmenduar.
Risi? Jo!
Imitim? Po!
Stili kitsch shpesh imiton stile të tjera, qoftë ai klasik, barok, apo edhe futurist, por duke i lënë pas parimet origjinale që këto stile sjellin. Në rastin e kitsch, funksionaliteti nuk është primar, por është pamja.
Ngjyra të forta
Ngjyrat në stilin kitsch janë shumë të ndezura ose të ngarkuara. Qëllimi është të tërheqin vëmendje dhe jo të jenë në harmoni me mjedisin përreth.
Ndjesia sikur je në një sallë teatri
Ndërtesat kitsch mund të duken si skena teatri, me elemente të ekzagjeruara.
Pallati Amadeus, madhështor, por për çfarë?
Rasti i Amadeus Palace është një risjellje e pastër e stilit kitsch. Z. Elshani nuk ka kursyer asgjë për këtë ndërtesë: Mermeri më cilësor që mund të gjendet. Llambadarë Murano. Tavane të pikturuara me dorë. Karrige të gdhendura me shqiponjë, Skënderbe dhe gjithçka që kujton historinë shqiptare.
Ndërtesa ka qenë e mbyllur për publikun për më shumë se 15 vite. Asnjë klient, asnjë vizitor, përveç disa produksioneve muzikore që e kanë përdorur si sfond. Normalisht, kjo ka zgjuar edhe kuriozitetin se për çfarë përdoret apo se si duket nga brenda.
Ky nuk është një hotel. Është një panteon personal. Një ego trip i bërë prej guri, kolone dhe gdhendje. Një mënyrë për të thënë: “Unë isha këtu.”
Sepse kitsch është si një filxhan me dekor prej floriri: ndoshta nuk pihet më mirë kafeja, por duket sikur jeta po të ecën. Në vende si Shqipëria, ku historia arkitektonike ka ndërprerje, vjen tundimi për të “krijuar” madhështinë nga hiçi.
Nëse mendon se jemi unikalë, le të ndalemi për një sekondë në Shkup.Projekti “Shkupi 2014” ishte një mega-investim shtetëror për të krijuar identitetin kombëtar maqedonas përmes... ndërtesave historike që nuk ishin historike.
U ndërtuan: Pallate të reja në stilin e vjetër romak, Statuja gjigande të Aleksandrit dhe Filipit, Kolona dorike në çdo cep të qytetit, Luanë prej bronzi.
Gjithçka dukej si një studio xhirimi për “Game of Thrones”, por pa skenar.
Një këndvështrim i arkitekturës në Shqipëri
Në një Tiranë që sot po projekton të ardhmen me studio si Zaha Hadid, Boer dhe MVRDV, ndërtesa si Amadeus Palace duken si mbetje të një ëndrre të kaluar.
Por ndoshta ky është çelësi: Arkitektura kitsch nuk ndërtohet për të ardhmen. Ajo ndërtohet për të mos u harruar.
Kjo ndërprerje stilesh – nga romakët, tek otomanët, fashistët dhe më pas komunizmi – ka krijuar një boshllëk identiteti. Dhe ndoshta për këtë arsye, sot, disa njerëz përpiqen të krijojnë “trashëgimi të reja”, të bazuara më shumë në iluzion sesa në nevojë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist solli ndërtimin e lagjeve të tëra sipas modelit sovjetik – apartamente kolektive, pallate uniforme dhe funksionale, pa dekor, pa identitet. Ishin vite të betonit dhe praktikës, ku bukuria personale e arkitekturës u zëvendësua nga doktrina e barazisë së përçuar përmes uniformitetit.
Në shekullin e XX, arkitektura shqiptare mori një kthesë të re me ndërtimet e periudhës fashiste gjatë kohës së pushtimit italian. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ministritë dhe disa godina publike mbajnë ende stilin monumental racionalist të frymëzuar nga Mussolini – ndërtesa me fasada të pastra, të drejtpërdrejta dhe me qëllim propagandistik.
Pastaj vjen periudha e pushtimit osman – arkitektura u përqendrua në xhami, hamame, ura dhe pazare. Shembujt më të mirë janë pazari i Gjirokastrës, kalaja e Beratit apo Xhamia e Plumbit në Shkodër.
Shqipëria nuk ka pasur ndonjë vazhdimësi të fuqishme arkitektonike. Nga njëra anë, trashëgimia romake dhe ilire është e çmuar, por fragmentare – amfiteatro, rrënoja, mozaikë, që na kujtojnë një të kaluar perandorake që sot mund ta shohim vetëm në copëza.
Por që ta kuptojmë pse ndërtesa si Amadeus Palace ngjallin kaq shumë reagime, duhet të hedhim një sy më të gjerë mbi historinë e arkitekturës në Shqipëri.
Në një vend të varfër që sapo ka dalë nga një regjim i hekurt komunist, është e kuptueshme pse ka një nevojë e thellë për madhështi. Për dekada me radhë, shqiptarët jetuan në pallate gri, identike, pa zbukurime, pa ngjyra, pa personalitet – ku funksioni ishte gjithçka dhe estetika konsiderohej luks borgjez.
Sot, kjo dëshirë për të “shpërthyer” nga kufijtë e së kaluarës shihet edhe në mënyrën si ndërtojmë apartamente. Kemi apartamente 100 metra katrorë, me tavane të ulëta, por me dekor viktorian. Tavane të gdhendura, mure me piktura false, kolona, mermer dhe mobilje që s’kanë asnjë lidhje me përmasën apo funksionin e shtëpisë. Apartamenti është bërë vendi ku ‘shfaqim veten’, ku kompensojmë për gjithçka që nuk patëm dikur. Një skenë e vogël personale ku përpiqemi të bëhemi princër, në vend të qytetarëve që dikur jetonin në uniformitet total.