
Kur themi historike, e kemi fjalën për ato këngë që shkëlqyen në festivalet e RTSH-së përpara viteve 90-të, apo ato që bënë diferencën në muzikën “e çliruar” të Shqipërisë postkomuniste.
Mesa duket, dyndja e përmuajshme e hiteve të reja në YouTube, nuk i ka penguar nostalgjikët t’u rikthehen herë pas here atyre hiteve dhe nga kërkimet tona rezultoi se një pjesë e mirë e tyre kanë kaluar shifrën e 1 milion klikimeve. Dhe imagjinoni sikur YouTube të ekzistonte që në kohën kur kanë dalë këto këngë! E sigurt, që me këtë popullaritet që kanë edhe sot e kësaj dite, do t’ja kishin kaluar edhe superhitit të epokës së tallavasë “Të ka lali xhan”.
Ne zgjodhëm 10 këngët më të klikuara të para viteve 2000. Shumica e këngëve i përkasin fundit të viteve 80-të dhe fillimit të viteve 90-të. Ato nuk janë më të mirat, por janë ndër këngët më të mira dhe të pakontestueshme në vlerat artistike dhe/ose historike që mbartin.