
Përshëndetje Anabel-ista! Prej kohësh i rrotullohesha idesë për një ditar javor, por siç jemi ne femrat gjithmonë neglizhente në të shkruar dhe të shkathta nga goja, ideja ish bërë copë akulli. Do thoni ju kush e shkriu akullin? Asgjë e madhe! Një grua e vogël mbase?!
Mjaft të hapësh facebook-un dhe kupton se çfarë ka ndodhur. Referuar adresës në FB apo Instagram, t’i mund të kuptosh edhe shkallën e vanitetit por edhe të gomarllëkut njerëzor.
Është e vërtetë se bota virtuale mbart në vetvete një arsenal të pavërtetë të jetës së dikujt. Askush nuk është aq i lumtur sa duket nga udhëtimet në Milano, Paris dhe Maldive. Madje as ato që ju duken se janë shoqe të një aleance nuk e duan njëra-tjetrën, pavarësisht një fotoje të publikuar dhe komentet si më poshtë; “Ua çfarë ylli mi”...”hë moj e paske publikuar direkt”...”uh zemër do na duhej të të shpiknim, nëse nuk do ekzistoje.” Pafund nga këto dhe kur takon ndonjërën në rrugë e ja kujton që e ke ndjekur në Facebook (atë dhe bipolaritetin e saj), ajo sillet indiferente, jo se është vërtet e tillë, porse e di që pikërisht me ty ka sharë treçerukun e atyre që ju thërret Yll në Fb.
Para se t’ju tregoj për një grua që e adhuroj, gati vdes të jem ajo, dua t’ju paralajmëroj së unë jam një nga ato gocat e fotografive që shihni në FB. Preferoj të më thërrisni gazetarja e vetmuar dhe pa shoqe. E dini pse nuk kam asnjë shoqe? Sepse shoqja më e mirë nuk pret të të shes kur ndahet me ty, por direkt dërgon tëtjerave Screenshot në fraksion të sekondit, bisedën me ty. Fundja nuk është se nuk kam shoqe. Kam plot në FB.
Ditët e fundit jam ndjerë mirë në shoqërinë virtuale me gruan e një miliarderi. Gratë e të pasurve janë fantastike për rolin që marrin në jetën publike. Mes komikes dhe shtrigës së Borëbardhës, ato i japin ngjyra këtij qyteti kaotik dhe shpesh pa jetë. Gruaja e miliarderit e adhuron këdo që i rastis në rrugën e jetës. Është një lajkatare e lindur ose e bërë, e cila për hir të së vërtetës nuk e ka as të nevojshme të sillet mirë. Ajo madje do dukej më e kuptimtë në një teh të arrogancës, të paktën do dukej e pasur. Do ishte dikushi! Kështu ajo ka sjelljet inferiore që asnjë pastruese në redaksinë time nuk e ka. Madje Nuria jonë, është një supër-grua me të cilën duhet ta matësh mirë gojën se nuk pranon kurrë respekt në formë mëshire. Mund të them, që Nuria duhet të ketë prejardhje bejlereshe, nga ato që stërgjyshërit i kanë lindur në Voskopojën e 1700-tës. Por Nuria nuk jeton me atë sindrom, madje as nuk e përmend një fakt të tillë.
Ju nuk e dini se çfarë do të thotë të duash të jesh dikush, edhe pse je i pasur. Të jesh dikush, kur edhe pse të qëllon të ulesh në tavolina të rëndësishme, je askush. Nuk e merrni me mend se pas veshjeve të shtrenjta, nën kujdesin e make-up dhe të një pudre të mirë nga Mac, ajo prapë ndjen se përskuqja e mollëzave po duket, sepse burri i xixon sytë kur dëgjon a takon një femër që ngjan si Maria de Filipi.
Sa do donte miliarderja ime të ishte si Maria...Ah sa inat! Por ajo gjithmonë ja tejkalon imagjinatës time. Sa filloj e bëhem merak për të, ajo fap ndrit si fener. Ndërkohë që unë rropatem për të nxjerrë rrogën e muajit, dërrmohem në punë, dhe shqetësohem për humorin e miliarderes time, kur takoj atë dhe e dëgjoj teksa më tregon sesi ajo u bë brenda natës më e mirë sesa Maria De Filipi, qetësohem dhe mbushem me shpresë. Dikush madje i kish perifrazuar një shprehje franceze; Sa ta mendojë i mençuri, budallai e bëri!
E dini? E kish kuptuar si do duhej ta kuptonte edhe një i mençur po të mos kish fatin e budallait. Ishte gëzuar! Ajo është muza ime këto kohë. Sepse blen rroba edhe kur nuk ka lekë. Bëhet e mençur edhe kur s’ka tru. Bëhet më Maria se vet Maria. Miliarderja ime veç të tjerash është aq e dhembshur sa i do të gjithë ata që takon. Ajo me të njëtin pasion artikulon fjalët “Shpirt” e “zemër” si për asisentin ashtu dhe për të birin. I keni besoj parasysh femrat që fjalën shpirt dhe zemër e kanë bërë si urën e Tabakëve, mbi të cilën të gjithë kalojnë dhe s’e vënë re.
Unë me gjasë jam e zilepsur prej fuqisë dhe guximit të saj. Ajo është rebele dhe nuk ndalon para asnjë vështirësie, sepse francezët nuk janë budallenj që besojnë tek budallenjtë! ( do thoshte ajo) Ajo vetëm bën, bën, bën...nuk ndalet asnjë çast. Madje dhe mes çasteve ajo hedh një status të fuqishëm dhe bëhet e famshme sa herë i do zemra. Disa kohë isha e mërzitur me të, sepse ftonte ne shtëpi për darka Glamour këto “shoqet” e mia. Më kish thënë vetë që gazetaret janë pak kuçka dhe duhen mbajtur afër. U tërbova fare njëherë kur mora vesh që dhuronte ç’ti kërkoje në garderobë, deri dhe stoli. Unë për vetë edhe për një palë UGGS do isha marrë shumë mirë vesh me të. Disa nga ato shoqet silleshin mirë, edhe i jepnin mend, shoqëri, pak konfidencë por disa ama thjesht i merrnin stolitë.
Unë e dua vërtet miliarderen time. Ajo pluskon më lumturi se askush tjetër, edhe pse në momente kthjellimi shpesh mendoj se kjo grua meritonte një tranzicion më të qetë. Majfton të mos garonte me punonjëset e kompanisë së burrit, vajza normale që bëjnë karrierre me shtyllën e tyre kurrizore. Më së paku ta linte të qetë Marian.
Ajo është e mirë dhe nuk ka asnjë arsye të vjedh jetët e të tjerave për të mbushur jetën e saj, sepse mbi të githa rrezikon të humb edhe të vetmit aset që ka “Delirin”.
Është mirë që gratë e pasura nga burrat, të mos konkurrojnë më me gratë që burrin e kanë në vend të stolive. Unë për vete do doja të isha thjesht e pasur, të shijoja familjen dhe fëmijët e mi të mrekulluesëm në bahçen vilës në fshat. Nuk do lodhesha asnjë ditë të Zotit në konkurrencën e tmerrshme për të realizuar ëndrrat. Ëndrrat janë të vështira për tu mbajtur në realitet. Kërkojnë më shumë nga ajo që japin. Ëndrrat të pushtojnë jetën e cila ndonjëherë është më e mirë pa ato. Ëndrrat janë më kurva sesa shoqet...
Nuk thonë kot, femrat nuk gjejnë rehat në këtë botë.
Dhe këtu nuk bën përjashtim as miliarderja ime!