
Si jeni Anabel-ista? Një pjese prej jush u mikluan prej kuriozitetit se kush është gazetarja e vetmuar dhe disa u përpoqën të bënin identikitin tim. Nuk e keni gjetur! Në të Enjtet në vazhdim do kënaqem shumë kur ju të diskutoni mbi fabulën e radhës në Haute kültür.
Më ndodh shpesh të gjendem në biseda me mikesha të famshme dhe me një karrierrë të konsoliduar të flasim për Tiranën. Ideja është gjithmonë; sa ngushtë rri qyteti! Shumë besojnë se qyteti ka një dozë pamjaftueshmërie. Unë dikur e kam dashur shumë Tiranën dhe me gjasë kam grimca ndjenjash ende për të. Madje, sa herë zbres një avion nga një udhëtim diku në Europë, ndjej mallin që largon me butësi kokrrizat e urrejtjes, dhe aq e vogël e pluhurt, Tirana më mjafton. Por kjo nuk zgjat shumë.
Europa është kudo e ngjashme me të njëjtat katedrale, të njëtat sheshe, out let-te, kafene, akullore dhe me erën e metrove . Udhëtimet nuk kanë më aq kuriozitet sa dikur veç domosdoshmërisë së një takimi me veten, tashmë. Kur je larg famës të përpin anonimati dhe ke lluksin të ecësh nëpër rrugë si një njeri i lirë. Aq sa mund të quhet famë ajo e një qyteti si Tirana ku në lagjet e të pasurve nuk janë Vip-at, sa disa zengjin të rinj. Vajzat e famshme në Tiranë mund t’i takosh duke pritur radhë tek parukjerja, mjaft të shkosh tek e përbashkëta. Kjo mund të ketë edhe të bukurën e vet, por kjo j’ua fashit famën. çdo gjë nga afër është normale. E vetmja e tillë në këtë vend meriton të quhet e tillë është Elvana Gjata. Këngëtarja është unike në vet-izolimin dhe distancën që mban. Nuk shfaqet në asnjë event ku nuk është ajo imazhi ose kryefjala. Miq të saj tregojnë se Elvana është e llogaritur në çdo lëvizje publike. Në një intervistë për Ermal Mamaqin më kujtohet kur ajo tregoi për kornizat e ditës së saj. Gjumë në shtëpi, pregatitje për daljet në skena të ndryshme, dhe pothuaj aspak jetë sociale. Kur e dëgjova këtë, jeta e Elvanës mu duk e trishtë por Elvana mu duk e vetmja vajzë VIP në këtë qytet. Pamundësia është shenjë e famës. Po të shkoni në faqen e Instagram-it të Belen Rodriguez, do gjeni të vetmen foto ku Belen sillet si argjentinase e varfër. është një foto krah Maria De Filipit e shoqëruar me shënimin: Mu deshën 4 vjet t’i kërkoj një foto”. Dhe këtë e bën Belen që është bukuroshja që po merr hijsen më të mirë në botën televizive italiane. Merret me mend çfarë distance mund të krijojë një grua e suksesshme dhe me famë si De Filipi. Siç e thashë përveç Elvanës e cila sigurisht edhe ajo jeton me prindërit ende në një lagje të thjeshtë të Tiranës, të gjitha vajzat e tjera janë peng i qytetit. Ndaj them ky qytet është transformues dhe i pamjaftueshëm.
Nëse izolohesh quhesh së nuk di të jetosh, nëse del më të gjithë je pa shtyllë kurrizore. Nëse zihesh më shoqen e marrin vesh të gjithë dhe kohët e fundit vajzat e famshme e kanë kuptuar hilenë dhe nuk tregojnë më asgjë edhe pse janë ndoshta duke urryer njëra-tjetrën dhe ndezin qiri tek Kisha e Laçit. Në Tiranë nuk ndodhin dot histori të bukura. Shumica e vajzave të famshme dhe të martuara nuk i nxjerrin kurrë në publik bashkëshortët dhe të dashurit. Nuk dihen arsyet dhe pse-të shtohen. Disa jetojnë në jetë paralele, disa kanë problem me drejtësinë dhe disa jetojnë thjesht sipas kodit të qytetit. Këtu nuk ekziston Glamour, nuk ndërvepron as qyteti si dramë apo si fejesë, si flirt apo si pasion mahnitës. Nuk do mësoni kurrë një flirt të vajzave të famshme sepse ato e dinë që për shoqërinë duhet të jenë perfekte. Edhe disa vajza garipe do i quaja (disa i quajnë K....) edhe ato janë bërë më katolike se papa në intervistat e daljet publike.
Nuk ka paparaz, jo se nuk ke kë fotografon por se këtu dashuria jetohet si mëkat dhe për më tepër qyteti është aq i vogël sa të gjithë gazetarët e faqeve rozë, janë shoqe më to. Jemi si ujë pa gaz. Nuk ka flluska dhe zogj në ditët tona. Nuk ka skandale apo letra dashurie, dyshime se njëri po ndahet apo tjetri po lidhet. Edhe martesat secrete, shoqërohen me 10 foto të dërguara nga vetë nusja. Në media nuk do gjeni kurrë intervista shpirti dhe rrëfime zemre. Vajzat e famshme janë bërë gënjeshtare dhe jo për zgjedhje sesa imponim. Ky qytet i ha të gjallë nëse bëjnë një gabim dhe ato tani e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Kjo është arsyeja mizerje me foto perfekte në Instagram. Shkoni hidhuni nje sy...janë të gjitha vetëm, kryesisht me foto super të rregullta, super të mira, super vajza. Shkoni dhe klikoni tani. Kërkoni një buqetë lulesh nga i dashuri, një krevat me carçafe të bardhë, një picë me coca cola. Në fotot e tyre do të gjeni vetëm emrat e grimjereve dhe rrobaqepëses. Foto vajzash të famshme që gatuajnë, që rrisin fëmijët, dhe rrallë sa rrallë një puthje në buzë me të dashurin/bashkëshortin. Sigurisht jeta private nuk është kusht për tu bërë publike por ka diçka akullnaje në jetën e vajzave. Ne duam të jemi të gjitha perfekte dhe të paagabueshme deri në mërzi. Fotot tona perfekte, ah fotot tona! Shikojini me vëmendje. Do më besoni që Tirana ka pamjen e një qyteti pa dhomë gjumi. Po po, ka whatssap, viber, instagram e Face Book! Fajin e ka me siguri Tirana, e cila gjithmonë e më shumë më duket si një android që ç’kyçet nga mollëza e gishtit si në atë përpjekjen e lashtë për tu fshehur pas gishtit...!