
Gëzuar Shën Valentini! Me këtë po të paralajmërojmë se dje prime iu dedikua plotësisht çifteve të shtëpisë. Çfarë the? “Aty s’ka asnjë çift?” E dimë, e dimë, thjesht produksioni po përpiqet me shpirt ta krijojë një.
#1. Janë puthur apo jo Brikena dhe Mateo

Brikena heq dorë nga çmimi i madh dhe nga goja e saj s’dalin ndonjëherë fjalët se mund të jetë puthur me Mateon.

Këtij të fundit nga ana tjetër, s’iu desh shumë presion që të tregonte gjithë versionin e tij të historisë me Brikenën. Dhe sipas tij, pas një viti komunikimi me mesazhe me Brikenën, shkoi ta takonte në Kosovë, u puthën, më pas duke vozitur me kerr e pritën ca të njohur të Brikenës dhe i thanë të mos i afrohet më dhe kështu u ndalua një dashuri në tentativë. Gjithmonë sipas Mateos.
Gjithashtu, ai shprehu se nuk e dinte se Brikena do të ishte pjesë e Big Brother, derisa e pa të hynte natën e parë, duke u ndier në siklet për shkak të historisë së tyre. Kjo s’ka edhe aq shumë kuptim përderisa që natën e parë Mateo e tërhoqi pas vetes në Akuarium Brikenën, po nejse.
Për faktin që Mateo dje ishte në televotim vetëm falë zgjedhjes së Brikenës, ajo tha se s’kishte të bënte me “hakmarrje” të saj ndaj tij.
#2. Hyn Krusita

Ca nga ju e njohin nga Kënga Magjike me këngën “Akull”, ca nga "Love Likes Tirana", prapë për këngën “Akull”. Si Dash që është Krusita, shpresojmë mos të na lërë akull dhe me hyrjen aty brenda. Një xixë e ndezi në fakt kur tha që e njihte Mateon nga jashtë. Se mos thotë javës tjetër që kanë shkëmbyer ndonjë puthje në faqe more!
#3. Plas një dashuri mes Keijsit dhe Inës
Në një zhvillim dashuror me më pak interes ky, dy të nominuarit nga zarfi i zi se ç’patën dhe iu betuan njëri-tjetrit këtë javë.
Keijsi i tha Inës “po më ike ti, më iku gjysma ime”. Po thuaj një e treta më mirë o Keijsi.

Ina, duke qenë se e kuptoi që e teproi me ulërimat herën e fundit, dje u zbut plotësisht, shprehu “besim të plotë te Keijsi”, mes ndrojës gati-gati.

#4. Miri bëhet xheloz për Selin dhe Mateon
Selin s’ta përton shumë dhe duket që flet atë që mendon, ndaj vrojtimi i Kristit ishte i vërtetë: Selin ka thënë plot fjalë të mira për Mateon. Por, si babai i historisë së parë (Mateos dhe Brikenës), edhe babi Miri s’do e lejojë këtë dyshe të ekzistojë kaq lirshëm.

Mateo u shpreh se e ka vënë re dhe ai që Miri ndërhyn në marrëdhënien e tyre, krejtësisht shoqërore meqë ra fjala.
Selin, patjetër që e ironizoi çështjen e xhelozisë së Mirit.
#5. Hyn një banor i ri
Rogerti, i cili u përpoq të lërë mbresa me shakatë e veta, po në këmbim na dha një siklet të paparë që përtej ekranit.

#6. Eliminohet Eriku
Fatkeqësisht për Brikenën.

#7. Eliminohet Aleksandra
Mos pyesni kush është sepse s’jemi të sigurt. Nga një televotim brenda natës për të preferuarin, Aleksandra u votua më pak nga të gjithë.
#8. Zinxhiri i shpëtimit
I zgjedhur nga publiku si i preferuari, Mateo nisi zinxhirin e shpëtimit. (Dhe shpëtoi Brikenën.)
5 të fundit nga zinxhiri, në televotim për herën tjetër, janë: Lorna, Keijsi, Ina, Miri dhe Selin. Pyetja është kë doni të largoni dhe parashikojmë që po vjen radha e Lornës.