
Andrew Mountbatten-Windsor raportohet se është larguar fshehurazi nga shtëpia e tij, Royal Lodge, në mes të natës. Sipas burimeve mbretërore për Daily Mail, ish-princi u largua me makinë drejt një vendi të izoluar në Norfolk, në Angli, për shkak të përfshirjes në skandalin e Jeffrey Epstein.
“Ishte një veprim i nxituar dhe i kryer në fshehtësi të plotë, duke e detyruar stafin e Royal Lodge të paketonte ato pak sende të Andrew-t që kishin mbetur,” tha një burim për Daily Mail të shtunën.

Vendimi sipas një burimi tjetër u mor nga Princi William dhe Mbreti Charles, pas një diskutimi urgjent që ata patën. Skandali në të cilin emri i tij është përfshirë, ka detyruar vëllain dhe nipin të marrin vendime të menjëhershme. Madje, sipas burimeve, edhe pse vendbanimi i tij tani është i përkohshëm, pritet që ai të shkojë edhe më larg familjes mbretërore.

BBC raportoi më herët këtë javë, se ish-princi u pa të hënën duke hipur mbi kalë pranë Royal Lodge në Windsor dhe u fotografua duke përshëndetur kalimtarët teksa largohej me makinë nga Kështjella Windsor. Sipas raportimeve të një burimi për Daily Mail, gjendja mendore e ish-princit nuk është aspak e mirë dhe qëndrimi i tij në pallat nuk do të pritej mirë nga publiku, pasi ai po vazhdonte të shijonte privilegjet mbretërore.

Në tetor të vitit të shkuar, mbreti Charles ndërmori hapin e jashtëzakonshëm dhe i hoqi vëllait të tij, Andrew-t, titujt mbretërorë “Duka i York-ut” dhe “princ”. Sipas një deklarate të publikuar në atë kohë ato masa konsideroheshin të domosdoshme, pavarësisht faktit se ish-princi i mohonte akuzat.
Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi mbi 3 milionë dokumente lidhur me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, në moshën 66-vjeçare.
Mes dokumenteve përfshihen një foto e Andrew-t i përkulur mbi një grua të paidentifikuar, një email që duket se konfirmon vërtetësinë e një fotografie të vitit 2001 të Andrew-t me Virginia Giuffre, atëherë 17 vjeçe, si dhe një email me komente të papërshtatshme nga ish-gruaja e tij, Sarah Ferguson, për vajzën e tyre Eugenie, e cila ishte 19 vjeçe në atë kohë.
Policia e Thames Valley po heton akuzat për një incident të vitit 2010, në ish-rezidencën e Mountbatten-Windsor, megjithëse ish-princi vazhdon të mohojë çdo gjë.


