
Kaosi i sezonit të festave nuk do të ishte i plotë pa ndërhyrjen e Mërkurit, që këtë herë ka zgjedhur të ecë mbrapsht për të shtuar pak më shumë dramë. Planeti që sundon komunikimin dhe logjistikën ka nisur zyrtarisht prapavijën më 9 nëntor dhe do të vazhdojë në këtë kurs deri më 29 nëntor. Të gjithë do ta ndiejnë disi efektin e kësaj lëvizjeje planetare, por disa shenja të horoskopit do ta përjetojnë më fort se të tjerat.
Përveç Hënës, Mërkuri është planeti që lëviz më shpejt, gjë që ka kuptim duke qenë se ai sundon çdo detaj të vogël që përbën rutinën tonë të përditshme: komunikimin, transportin, oraret, planet, dhe informacionin në përgjithësi. Por çdo disa muaj, Mërkuri “ndalon” dhe nis të lëvizë mbrapsht për disa javë, duke ngadalësuar ritmin e tij. Gjatë kësaj kohe, gjërat që ai kontrollon, nga mesazhet dhe marrëveshjet, tek udhëtimet apo teknologjia, kanë prirje të vonohen, të ngatërrohen ose të ngecin. Prandaj është mirë të lëvizni me kujdes, të kontrolloni gjithçka dy herë dhe të merrni frymë thellë para se të shtypni “dërgo”.
Këtë herë, prapavija e Mërkurit nis në shenjën optimiste të Shigjetarit, duke sjellë mundësinë për të reflektuar mbi qëllimet e mëdha, por edhe rrezikun për të harruar detajet e vogla që çojnë drejt tyre. Mos u zhyt aq shumë në “pamjen e madhe” sa të humbësh hapat konkretë.
Më 18 nëntor, Mërkuri do të kthehet në shenjën intensive dhe misterioze të Akrepit, duke lehtësuar disi kaosin praktik, por duke hapur derën për ngatërrime emocionale. Sekrete mund të dalin në sipërfaqe dhe mistere të vjetra mund të zbulohen, sidomos më 19 nëntor, kur Dielli bashkohet me Mërkurin. Të nesërmen, Hëna e re do të përkojë me këtë Mërkur që ecën mbrapsht, një moment i mirë për të mbyllur çështje të papërfunduara e për të hapur një faqe të re.
Lexoni më poshtë nëse jeni ndër shenjat që do ta ndiejnë më shumë këtë prapavijë të Mërkurit në nëntor.
Demi
Nëse je Demi, përgatitu, kjo prapavijë e Mërkurit do të të provojë durimin.
Në pjesën e parë të periudhës, mund të përballesh me vonesa, keqkuptime në punë apo plane që duken sikur përmbysen. Kontrollo tri herë afatet dhe takimet, mos u beso kujtimeve të turbullta.
Më 18 nëntor, kur Mërkuri të kalojë në Akrep, do të përballet direkt me Uranin që ndodhet në shenjën tënde, dhe këtu fillojnë surprizat. Keqkuptime të vogla mund të çojnë në zbulime të papritura ose në ndryshime të menjëhershme në marrëdhënie. Mund të gjendesh në mes të ndonjë drame emocionale, por në fund, gjithçka po ndodh për të të hapur rrugë për fillime të reja. Mos i shmang diskutimet e vështira; ndonjëherë ato janë pikërisht çfarë duhet për të pastruar ajrin.
Akrepi
Nëse je Akrep, kjo prapavijë do të të gjejë në fazë reflektimi të thellë, dhe ndoshta edhe me ndonjë tronditje financiare.
Në gjysmën e parë të nëntorit, ki kujdes me shpenzimet e tepruara. Tendenca për të “fituar me veten” gjatë sezonit të ditëlindjes mund të të çojë në blerje impulsive që do t’i pish më pas me dhimbje koke. Nëse vendos të shpenzosh, mbaj faturat.
Gjysma e dytë e prapavijës, megjithatë, do të jetë më personale. Më 18 nëntor, Mërkuri kthehet në shenjën tënde, dhe menjëherë pas kësaj, Dielli dhe Hëna e re do të përkojnë me të. Do të ndihesh sikur gjithçka po të shtyn drejt një rishikimi të thellë të vetes: çfarë do, çfarë ndjen, kush je në të vërtetë. Shprehja e emocioneve mund të mos vijë lehtë, por reflektimi që po bën tani do të të ndihmojë të shohësh qartë se çfarë dëshiron të tregosh në botë.
Shigjetari
Prapavija e Mërkurit nis pikërisht në shenjën tënde, ndaj, për fat të keq, ti do ta ndjesh më fort se kushdo.
Java e parë do të jetë më e ngarkuara, me shumë luhatje mendimesh dhe reagime të nxituara. Do të kesh dëshirë të veprosh menjëherë, por mëso të ndalesh, të marrësh frymë dhe të reflektosh. Jo çdo ide që të entuziazmon në moment është gjeniale. Nëse vlen, do të të duket po aq e rëndësishme edhe pasi kjo periudhë të ketë kaluar. Kjo nuk është për të të bërë të dyshosh te vetja, është për të të mësuar durimin që ndihmon të shohësh me qartësi.
Në gjysmën e dytë të prapavijës, drama do të zbutet, por mund të ndihesh sikur po noton në mjegull. Truri dhe emocionet mund të duken të paqarta, por nëse i lë vetes hapësirë për të përpunuar çdo ndjesi, do të kuptosh se qartësia që vjen më pas është e pakrahasueshme.





