
Miss Universe ka shpallur fituesen e re. Të enjten, më 20 nëntor, konkursi ndërkombëtar i mbajtur në Bangkok, Tajlandë, kurorëzoi Fátima Bosch, përfaqësuesen e Meksikës.

Më shumë se 130 vende garuan në finalen e edicionit të 74-t, me temën “Fuqia e Dashurisë”.
Kurorëzimi i Bosch vjen pas disa javësh polemikash që përfshinë organizatën Miss Universe.
Vetëm pak javë më parë, më 4 nëntor, një transmetim live u bë viral kur drejtuesi i konkursit, Nawat Itsaragrisil, e qortoi publikisht Bosch-in, duke e akuzuar se kishte refuzuar të merrte pjesë në një seri fotosh për rrjetet sociale.
Edhe pse ajo mohoi akuzat, Miss-i vazhdoi të sulmohej verbalisht dhe disa konkurrente e ndoqën duke dalë nga salla në shenjë solidariteti.

Pas incidentit, Bosch tha për median:
“Drejtori juaj nuk është respektues. Më quajti budallaqe.”
Presidenti i organizatës, Raul Rocha Cantu, doli publikisht në krah të konkurrenteve.
Pak ditë para garës, gjyqtari Omar Harfouch dha dorëheqjen, duke pretenduar se ishte krijuar në fshehtësi një “juri e përkohshme” që zgjodhi 30 finalistet pa praninë e asnjë prej tetë gjyqtarëve zyrtarë. Ai pretendoi gjithashtu se kishte konflikt interesi mes disa anëtarëve që kishin lidhje personale me disa konkurrente.

Organizata e mohoi kategorikisht, duke deklaruar se nuk kishte asnjë juri të paligjshme dhe se të gjitha vlerësimet po ndiqnin protokollet zyrtare të mbikëqyrura.
Megjithatë, më shumë largime pasuan: ish-futbollisti francez Claude Makélélé dhe presidentja e komitetit të përzgjedhjes, Princesha Camilla di Borbone, u tërhoqën gjithashtu.
U caktuan gjyqtarë të rinj, mes tyre edhe Natalie Glebova, e cila më vonë rezultoi se kishte trajnuar personalisht Miss Kanadanë, duke shtuar edhe një tjetër polemikë.

Fátima Bosch mori kurorën nga fituesja e vitit të kaluar, victoria Kjaer Theilvig, e cila bëri histori si danezja e parë që fitoi Miss Universe.