
Pas publikimit të deklaratës së menaxheres së Tayna-s dhe debatit publik mbi projektin “Thana”, çështja nuk mbetet vetëm një përballje deklaratash mes palëve. Në thelb, ajo prek një fushë shumë më të gjerë: mënyrën si funksionojnë të drejtat e autorit në Shqipëri, çfarë kërkon ligji në rast ripërdorimi të një kënge dhe kush janë realisht titullarët e të drejtave.
Për të shmangur interpretimet subjektive dhe për të kuptuar mekanizmat ligjorë, Anabel Media kontaktoi Albautor, agjencinë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit në Shqipëri.
Çfarë është Albautor?
Albautor është organizatë mbledhëse e të drejtave të autorëve, kompozitorëve dhe botuesve të veprave artistike, letrare dhe muzikore. Themeluar në vitin 1992 si shoqatë e autorëve, kompozitorëve, artistëve dhe botuesve, Albautor është agjencia e parë dhe më e rëndësishme që vepron në fushën e të drejtave të autorit në Shqipëri.
ANABEL: Kush konsiderohet mbajtësi i të drejtave të autorit për një këngë?
ALBAUTOR: Mbajtës i të drejtave të autorit janë vetem autorët e këngës, pra kompozitori, poeti tekstshkrues dhe orkestruesi i këngës. Përveç të drejtave të autorëveve, në ligj ekzistojnë edhe të drejta të tjera të lidhura me këngën, siç janë të drejtat e interpretuesve/instrumentistëve (në rastin konkret Alida Hisku), apo të drejtat e prodhuesit të fonogramit/videogramit (në rastin konkret RTSH).
Nëse vepra është krijuar dekada më parë, a janë ende në fuqi të drejtat e autorit dhe për sa kohë zgjasin ato sipas legjislacionit shqiptar?
Të drejtat e autorit zgjasin deri 70 vjet pas vdekjes se autorit të fundit të këngës. Pra, edhe pse është këngë e disa dekadave më parë, ajo ende mbrohet nga ligji për të drejtat e autorit dhe do të vazhdojë të mbrohet edhe për 70 vite të tjera pas vdekjes së autorëve, dhe në këtë rast titullarë të të drejtave do të jenë trashëgimtarët e tyre.
Në rastin e ripërdorimit të një pjesë të këngës (refren, zë origjinal apo sample), cilat janë procedurat standarde që duhen ndjekur?
Për çdo përdorim të këngës, qoftë ky regjistrim i ri i plotë apo edhe i pjesshëm (refren, zë origjinal apo sample), kërkohet detyrimisht autorizim/leje nga mbajtësit e të drejtes së autorit, ndërsa marrja e autorizimit/lejes për të drejtat e lidhura me të drejtën e autorit (interpretuesit dhe fonogrami) është i kushtëzuar nga fakti nëse do të përdoret, ose jo, regjistrimi origjinal i këngës, dhe në këtë rast duhet marrë patjetër edhe ky autorizim, ndërsa në rastin kur kënga do të regjistohet nga e para, pra do të kemi një ri-regjistrim të këngës së vjetër që do të përdoret në veprën e prejardhur, nuk nevojitet autorizim per të drejtat e lidhura.
Si trajtohet juridikisht përdorimi i një pjesë të veprës si “sample” në një këngë të re?
Nuk ka ndryshim nëse do përdoret e gjithë kënga apo vetëm një pjesë e saj, në çdo rast do të nevojitet autorizim/leje/miratim nga mbajtësit e të drejtave.
A ka detyrim ligjor për të specifikuar kreditet (autor, kompozitor, tekstshkrues) në publikimet digjitale dhe në platformat streaming në raste të tilla? Në rastin e “Thana”, në YouTube shkruhet “Lyrics by: Tayna”.
Së pari, duhet të kuptohet që kënga “Thana” konsiderohet nga ligji një vepër e prejardhur, pra një vepër e re artistike që realizohet duke u bazuar në një (ose disa) vepra që kanë ekzistuar më parë. Si e tillë, duhet që autorët e veprës së parë ekzistuese së bashku me autorët e rinj (Tayna), të bien dakord për ndarjen e përqindjeve për të drejtat e autorit mbi këtë krijim të ri. Pra nuk mund të thuhet që Tayna është tekstshkruesja (poete) e këngës “Thana” sepse gjithashtu është dukshëm edhe Zhuliana Jorganxhi tekstshkruese për një pjesë të këngës “Thana”. Përsa i përket detyrimit ligjor të pasqyrimit të plotë të autorëve në platformat streaming, kjo hyn në të drejtat jopasurore të autorit i cili ka të drejtën të njihet dhe të përmendet si autor i veprës.
Kush figuron aktualisht si autor i “Thana”?
Nga kontrolli që kryem në regjistrin ndërkombëtar të këngëve (CIS-Net) rezulton se autorë të vetëm të këngës “Thana” janë regjistruar Doruntina Shala me 50%, Shpend Hajredini 25% dhe Vasyl Kozma 25%. Fakti që autorët e tjerë të këngës, Enver Shëngjergji dhe Zhuljana Jorganxhi, nuk figurojnë në këtë regjistrim mund të jetë shkelje ligjore nëse palët nuk kanë nënshkruar një kontratë për miratimin e kësaj skeme të ndarjes së të ardhurave nga e drejta e autorit. Kjo sjell pasoja të rënda ligjore dhe pasurore në dëm të autorëve të këngëve të vjetra dhe për këtë ata kanë plotësisht të drejtë që të kërkojnë gjyqësisht dëmshpërblim.
A do të thotë kjo automatikisht se kemi shkelje?
Ka dy aspekte të rëndësishme që duhen sqaruar. Së pari, duhet kuptuar natyra e veprës së krijuar nga Tayna: ajo, siç thamë, hyn të kategoria e veprave të prejardhura (pra që përdor një vepër të mëparshme). Në këtë kuptim, prodhuesit e këngës së Taynës duhet të marrin autorizimet përkatëse për përdorimin e saj, që nga artikulli juaj, rezulton se një përpjekje e tillë është bërë.
Së dyti, duhet patur parasysh se autorizimi për të përdorur një këngë të mëparshme, si rregull, duhet të bëhet nëpërmjet një kontrate të shkruar. Në të përcaktohet se prodhuesi i këngës fiton të drejtën për të përdorur këngën ekzistuese (e drejta e riprodhimit) me qëllim inkorporimin e saj në këngën e re. Me anë të këtij, autorizimi, efektivisht, prodhuesit (producentët) e këngës mund të përdorin këngën e vjetër. (I njëjti arsyetim vlen edhe për interpretimin e zonjës Alida Hisku).
Çështja e përcaktimit të vlerës së shpërblimit është çështje që u takon palëve, megjithëse, në mendimin tonë, vlerat e përmendura dhe vlerat që dëgjojmë në përgjithësi në tregun muzikor janë shumë të ulëta. Por ajo që është më e rëndësishmja, marrëveshjet që lidhen me autorët dhe interpretuesit e këngëve të vjetra anashkalojnë dhe nuk trajtojnë fare një të drejtë shumë të rëndësishme për ta, atë të komunikimit në publik të veprës.
Çfarë është “komunikimi në publik” dhe pse është i rëndësishëm?
Po e jap me një shembull shumë konkret: nëse kënga e Taynës komunikohet në publik në radio, në televizor, në lokale, bare e kështu me radhë, personat përgjegjës të tyre (pra televizionet, radiot, pronarët e bar-eve, lokaleve e kështu me radhë) kryejnë një veprim të komunikimit në publik të veprës dhe për këtë, ata duhet të marrin autorizim pranë agjencive të administrimit kolektiv (Albautor dhe agjencive të tjera, si për shembull, agjencia e interpretëve) dhe të kryejnë pagesën përkatëse për veprat që transmetojnë ose komunikojnë në publik. Tarifa që ata duhet të paguajnë në Shqipëri është gjëja më transparente në botë dhe e vendosur nga një organ publik, siç është Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit. Përdorimi dhe shpërblimi për komunikimin në publik të veprave është parashikuar në ligj (tjetër gjë, madje në fakt, më problematikja, që një numër shumë i vogël radiosh, televizione dhe lokale e kuptojnë dhe e zbatojnë, që është fatkeqësi e madhe për autorët dhe kulturën në Shqipëri).
Kush përfiton konkretisht nga këto pagesa?
Shpërblimi që përmenda më lart për komunikimin në publik nuk varet vetëm nga pagesa e të drejtës së autorit që palët kanë bërë për regjistrimin e këngës, por edhe e regjistrimit (deklarimit) të veprës në agjencitë përkatëse. Për shembull, Z. Enver Shëngjergji është regjistruar në Albautor dhe, për përdorimin e këngës së tij në këngën e Tayna-s ai duhet të marrë shpërblimin që i takon (por kjo nuk ndodh nëse Tayna e deklaron këngën sikur të gjithën e ka krijuar ajo). Gjithashtu, i takon shpërblim dhe Taynës (dhe autorëve të tjerë të këngës), nga komunikimi publik i këngës, me kusht që të regjistrohen dhe ata në agjencitë e administrimit kolektiv (në rastin konkret, autorët do të jenë ata dhe Z. Enver Shëngjergji dhe Znj. Zhuljana Jorganxhi sipas përqindjeve që janë dakordësuar). E njëjta logjikë do të vlejë dhe për interpretuesit.
Nëse një interpretues (në këtë rast Alida Hisku) i dhuron materialin e një artisteje tjetër, a ndikon kjo në të drejtat e autorëve të tjerë të veprës?
Siç sqaruam me sipër, ligji për të drejtat e autorit nuk e njeh Alida Hiskun në cilësinë e autorit të këngës, por vetëm mbajtëse e të drejtave të lidhura me të drejtat e autorit (konkretisht si interpretuese) dhe sipas ligjit shqiptar, autorizimin për performancën e saj duhet ta japë mbajtësi i të drejtës tjetër të lidhur me të drejtat e autorit, që është mbajtësi i të drejtës së fonogramit, në rastin konkret është RTSH. Pra, RTSH duhet kontaktuar sepse lejen per përdorimin e regjistrimit të vjetër ku këndon Alida Hisku e jep RTSH që ka kryer regjistrimin e fonogramit, dhe më pas RTSH duhet të paguajë Alida Hiskun dhe instrumentistët e tjerë (sepse kanë të drejta edhe instrumentistët e orkestrës) që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e këngës, sipas kontratave që palët lidhin mes tyre. Duhet të kuptoni që ligji shqiptar për të drejtat e autorit është marrë nga eksperienca dhe ligjet ndërkombëtare ku funksionojnë rregullisht shtëpitë diskografike të cilat mbajnë të drejtat mbi fonogramet që prodhojnë dhe me të ardhurat që sigurojnë paguajnë edhe këngëtarët dhe instrumentistët e tjerë që kontribuojnë për regjistrimin/materializimin e këngës.
Në praktikë, a është e zakonshme që në raste të tilla pagesa të jetë simbolike, apo zakonisht përcaktohet një marrëveshje me përqindje mbi të ardhurat e këngës së re?
Pagesa përcaktohet nga palët dhe është tërësisht në vullnetin e tyre. Përgjithësisht, kush ka aftësi negociuese më të fortë, arrin të marrë një shpërblim më të madh. Por siç e thamë më lart, kjo lidhet me të drejtat e riprodhimit të këngës (pra të bërjes së këngës si vepër të prejardhur). Mund të ndodhë gjithashtu që një autor të mos jetë dakord që kënga e tij të bashkohet me një tekst tjetër me natyrë raciste (ta zëmë) dhe në këtë rast për asnjë vlerë, sado e madhe qoftë, ai nuk jep autorizimin dhe bashkëpunimi nuk mund të ekzistojë.
A mjafton vetëm pagesa për të qenë gjithçka në rregull?
Duhet kuptuar edhe një element tjetër thelbësor: nga ana e autorëve duhen dhënë dy autorizime, autorizimi i parë për regjistrimin dhe shpërndarjen e këngës dhe autorizimi i dytë për përqindjet e autorësisë që do të ketë kënga e re e prejardhur, që nënkupton ndarjen e të ardhurave që do të vijnë më pas nga përdorimi publik i këngës së prejardhur (këto të fundit janë edhe të drejtat që administrohen nëpërmjet agjencive kolektive si Albautor).
Nëse nuk është ndjekur procedura e duhur për autorizim, cilat janë pasojat ligjore të mundshme për palën që ka ripërdorur veprën?
Mbajtësi i të drejtës së autorit, për shkelje të të drejtave të autorit, mund të bëjë kallëzim penal dhe të kërkojë dënimin e shkelësve, dhe njëkohësisht mund të paraqesë padi civile per dëmshpërblim.
A duhet që një marrëveshje për përdorimin e veprës të regjistrohet diku për të qenë e vlefshme juridikisht, apo mjafton kontrata mes palëve?
Jo, nuk ka. Por vepra DUHET të regjistrohet/deklarohet pranë agjencisë kolektive (Albautor), ku të percaktohet përqindja e pjesëmarrjes për secilin autor (të prejardhur dhe të tanishëm) dhe kjo për dy arsye: t’u njihet autorësia dhe të përfitojnë shpërblim nga përdorimi publik i veprës së tyre.
A menaxhohet kjo vepër nga Albautor dhe a ka pasur një kërkesë zyrtare për autorizim në këtë rast?
Përgjigjja e shkurter është po, si kënga e parë “Vajzat e fshatit tim”, si kënga “Thana” “menaxhohen” nga Albautor, por duhet kuptuar se çfarë nënkupton kjo, sepse do të thotë vetëm që nëse në një koncert, apo në një radio, lokal etj., luhet njëra nga këngët, Albautor e di (nga regjistrat ndërkombëtarë ku janë të deklaruara këngët) se cilët janë mbajtësit e të drejtave, në rastin e parë Enver Shëngjergji dhe Zhuliana Jorganxhi, dhe në rastin e këngës “Thana” Tayna dhe dy të tjerët, dhe çdo pagesë që bën nje radio apo organizatori i nje koncerti do të shpërndahet rrjedhimisht (pavarësisht se mbajtësit e të drejtës së këngës "Thana" mund të mos jenë deklaruar saktë, por është fakt që kështu rezultojnë sot që flasim në “Kadastrën” e këngëve).
A do të thotë kjo që Albautor ka dhënë leje për përfshirjen e këngës së vjetër në “Thana”?
Albautor, sipas ligjit, kryen administrimin e detyruar kolektiv të të drejtave të autorit, që do të thotë (më së shumti, sepse në të vërtet është më e komplikuar) se nëse një këngë komunikohet në publik, të themi në radio, televizion apo bar-kafe etj., pagesat dhe autorizimi per përdorimin e muzikës duhet bërë te / dhe nga agjencia Albautor. Po përveç përdorimit në publik të muzikës (autorizimin e së cilës e jep Albautor), ekzistojnë edhe përdorime të tjera këngës të cilat administrohen individualisht nga autorët, dhe autorizimi për krijimin e këngës “Thana” futet në keto të fundit, për të cilat vetë autori i këngës e jep autorizimin. Me pak fjalë, Albautor nuk ka dhënë autorizim për përfshirjen e këngës “Vajzat e fshtatit tim” në këngën “Thana”, sepse nuk mund ta japë këtë autorizim i cili administrohet individualisht nga secili autor.
Ku qëndron problemi real sipas Albautor?
Siç e shikoni, mekanizmat ligjorë dhe praktikë ekzistojnë. Nga ana jonë vëmë re dy gjëra: (i) zbatim shumë i ulët (në nivele dramatike do të thoshim) i të drejtës së autorit nga përdoruesit (radiot, televizionet, lokalet etj.) që përmendëm më lart dhe (ii) ndërgjegjësim jo në nivelet e duhura të autorëve për të kuptuar si funksionojnë këto mekanizma dhe të drejtat që zotërojnë dhe në ç’formë i zotërojnë. Ne si agjenci po bëjmë ç’është e mundur që të alarmojmë autorët në lidhje me situatën aktuale si dhe po bëjmë luftën tonë me ato mundësi që kemi për të rritur nivelin e zbatimit të ligjit.
Çfarë tregon kjo për industrinë kulturore në Shqipëri?
E kuptoni qartë tashmë që në Shqipëri nuk mund të flasim për industri kulturore kur hallka të tëra të kësaj industrie që duhet të bëjnë detyrën e tyre i shmangen vullnetarisht duke dëmtuar, autorët, interpretuesit, tregun fonografik dhe kulturën në përgjithësi në Shqipëri. Treguesi më domethënës për këtë është fakti që në problematikën më sipër, me sa duket, është anashkaluar një institucion i tërë siç është RTSH, që tregon se në ç’nivel është niveli i njohjes ligjore nga palët dhe nga vetë institucionet shtetërore të cilat duhet të ishin të parat në kërkesën për respektimin e ligjit.

