Celebrity

Fenomeni Young Zerka

14 Dhjetor 2014

Fenomeni Young Zerka

Djali nga Korça me theksin e tij xhamajkan dhe me flokët e dendura kaçurrela, është bërë tashmë një artist i pangatërrueshëm në showbiz-in shqiptar. Pioneri i muzikës reggae në Shqipëri, Donald Najtellari, ose Young Zerka siç njihet nga publiku,  ishte ai që triumfoi një natë më parë në “Kënga Magjike 2014” me bashkëpunimin e tij tepër të suksesshëm më Aurela Gaçen. Kënga e tyre “Pa kontroll” si rrallëherë ngriti në këmbë publikun e Pallatit të Kongreseve. Por karriera e tij muzikore, edhe pse tani është në kulmin e saj, ka nisur shumë më herët.

 Zerka ka plot 17 vjet që merret me muzikë. Hapat e parë i ka hedhur në Angli, ku ka emigruar që në moshë minorene. “Fillimisht jam marrë me futboll, por si i thonë asaj fjale, po nuk u bëre futbollist, do bëhesh këngëtar,” shprehet me humor. Por ajo që ka qenë vendimtare në formimin e profilit të tij si artist, ka qenë pikërisht, bashkëjetesa me një familje xhamajkane në kohën e qëndrimit në Angli. “Duke qenë në moshë minorene, shteti anglez më caktoi që të jetoja me një familje xhamajkane, nga ku kam huazuar edhe stilin e të kënduarit në një dialekt “broken english,” thotë ai. I pyetur për këngëtarët që e kanë influencuar më tepër, Young Zerka shprehet se i ka dëgjuar gati të gjithë, por ata që kanë patur ndikim më të madh kanë qenë këngëtarët e rë të rrymës reggae si Bob Marley, Peter Tosh, UB 40 por edhe mbreti i pop-it Michael Jackson.

 “Kur s’bëj muzikë, mendoj të bëj muzikë prap,” thotë ai. Ajo që sipas Young Zerkës ka qenë bumi i tij në industrinë muzikore shqiptare, ishte bashkëpunimi me këngëtaren Dhurata Dora në këngën “Roll”. “Dhuarata dhe unë jemi pjesë e së njëjtës shtëpi diskografike që është ‘Max Production’ dhe ajo m’u duk e përshtatshme për këtë bashkëpunim,” shprehet ai. Më pas, bashkëpunimi i tij me Alban Skënderaj në këngën “24 orë” që arriti 4 milion shikime në YouTube dhe rikthimi i tij i suksesshëm me Dhurata Dorën në këngën “A bombi” u provoi të gjithëve që ishin mosbesues, se publiku shqiptar e donte stilin e Zerkës. Ai thotë se fillimisht njerëzit ishin skeptikë mbi futjen e elementeve të muzikës reggae në muzikën shqiptare edhe për shkak se kjo rrymë shpesh asociohet me konsumimin e marijuanës, por një gjë e tillë sipas tij, nuk është normale.

I pyetur për kuptimin e emrit të tij të artit, ai thotë se Young i referohet llojit të zërit të tij që në dëgjim duket një zë tepër i ri. “Edhe pse ne nuk jemi më dhe aq të rinj,” thotë duke qeshur Young Zerka, që për moshën, thotë se është gati 30 vjeç. Ndësa Zerka është një bashkim inicialesh të emrave të gjyshërve që e kanë rritur, ndërkohë që prindërit kanë qenë në punë.

Donaldi shprehet se kjo është një periudhë mjaft të ngarkuar me punë për të. Krahas pregatitjes për publikimin e albumit të tij të parë, ai po punon edhe për disa videoklipe dhe bashkëpunime të reja, që Zerka vendos t’i lërë surprizë për publikun.