Në Facebook, ku publikon të gjitha masat e ndërmarra si pasojë e përhapjes së Covid-19, kryeministri Rama bëri me dije se “do të ndalohen pagesat e qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të koronavirusit”.
“Kush ka humbur punën në të zezë dhe ka këtë hall, mund të përfitojë nga kjo masë vetëm duke denoncuar punëdhënësin! Kjo masë mbështetëse vlen edhe për studentët që jetojnë me qira,” shkroi Rama. “Qiradhënësit do të ndalohen t'u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qirasë përkatëse! Për çdo rast presioni nga qiradhënësit, subjektet qiramarrës të dy kategorive të mësipërme, të drejtohen në faqen online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”
“Qiradhënësit nga ana e tyre janë të mirëpritur të depozitojnë çdo ankesë të mundshme në të njëjtën faqe online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku janë të lutur të bashkëngjisin kontratën me qiramarrësin,” përfundoi Rama.