Eja shohim pak Tv

Big Brother VIP 4: Mes frustrimit, sajesave dhe famës

Shkruar nga Anabel

19 Prill 2025

Big Brother VIP 4: Mes frustrimit, sajesave dhe famës

Duke qenë një media që e ka ndjekur dhe mbuluar çdo zhvillim të Big Brother VIP Albania 4, Anabel ndau me ndjekësit në Instagram një përmbledhje reflektuese mbi këtë edicion të katërt - një koment mbi dinaminat, përmbajtjen dhe figurat që u shfaqën gjatë këtyre muajve.

Ky mendim nuk synon të imponojë një të vërtetë absolute, por të hapë një diskutim mbi natyrën e spektaklit, mënyrën se si trajtohen temat sociale, ndikimin tek publiku dhe transformimin e vazhdueshëm të konceptit të famës në realitetin shqiptar.

E mirëpresim çdokënd që mendon ndryshe ta ndajë mendimin e vet në komentet e postimit më poshtë. Dialogu është gjithmonë i vlefshëm - sidomos kur bëhet me respekt dhe qëllim për të kuptuar më mirë ngjarjet që na rrethojnë.

Komenti ynë:

“Në prag të finales, dy fjalë: Ky edicion i Big Brother nuk ishte as si i pari dhe as si i dyti. Por ishte më interesant se 3-shi. Ky nuk ishte Big Brother-i i banorëve në garë për t’u bërë si Luizi, por Big Brother-i i frustrimit dhe i sajesave alla-Për’Puthen. Frustrim, sepse që nga dita e parë e deri në javët e gjysmëfinales, përsëriteshin pafund garat për status: “Kush je ti?”, “Kush jam unë?” Banorët dukeshin sikur kishin ardhur për të mbrojtur CV-në dhe aq qesharakë u bënë kur vazhdonin të mbronin statusin e tyre jashtë, sa filluam të dyshonim se ndoshta edhe e meritonin atë sulm. Për të mos folur për romancat false, duke nisur nga romanca mes Laertit dhe Valbonës, që kishin aq kimi sa kam unë me lëngun e selinos. Një tallje publike e dy të rriturve që shprehnin ndjenja e “vështirësoheshin” nga prania e njëri-tjetrit.

Ky ishte edhe Big Brother-i që vuri përfundimisht alarmin mbi shëndetin mendor. Ku ndahet dashuria nga obsesioni? Ku ndahet kujdesi ndaj shëndetit tënd mendor nga etja për famë? Dhe ku ndahet loja nga të qenit njerëzor? Më vjen keq të them, por lidhja Gjest-Egli nuk i la asnjë shije të mirë askujt. Ata që e panë si romancë, ndoshta kanë nevojë vetë për terapi.

Ky Big Brother tregoi se “burrëria” nuk matet me shpulla, o Joz trimi, nuk matet as me dredhi, duke hedhur gurin e fshehur dorën, o Gjest figura. Në fakt, Bigu rrallë nxjerr figura të forta burrërore, por të paktën t’i nxjerrë të vërteta. Minimumin kërkojmë, një minimum që vështirë të bëhet realitet në këtë mësyemje për famë, për të qenë dikush pa qenë nevoja të kesh integritet e dinjitet.

Ky Big Brother nxori në pah edhe një problem tjetër që tashmë është bërë i pashmangshëm: injoranca kolektive që po zë rrënjë në shoqërinë tonë, dhe tashmë i palexuari, i painformuari, i paartikuluari, i padituri, i patakti dhe mendjengushti, mjafton të ketë animacionet dhe veshjet e duhura dhe bëhet idhull. Gjesti nuk ka asnjë faj për famën që ka dhe e meriton atë famë, sepse i përket tashmë, fatkeqësisht, një shumice të brezit të tij. Gjesti është pjellë e kësaj kohe dhe kjo kohë krijon këtë Big Brother që pamë e të tjera që do vijnë më pas.

Dhe në fund: Big Brother VIP po bëhen shumë serioze. Nuk qeshet më! E trishtë!”

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Anabel Entertainment (@anabel.entertainment)