
Në botën gjithnjë e më të ndërlikuar të takimeve moderne, një trend i ri po merr vëmendje, por jo për arsye të mira. I quajtur "Monkey Barning", ky fenomen përshkruan një sjellje toksike që po ndikon negativisht në marrëdhëniet romantike, duke i lënë shumë njerëz të lënduar, të nënvlerësuar dhe me zemrën e besimin e thyer.
Emri vjen nga sjellja e majmunëve, të cilët nuk lëshojnë një degë pa u kapur më parë te një tjetër. E njëjta gjë, sipas këtij termi, po ndodh në marrëdhëniet njerëzore: një person që është në një lidhje nuk e përfundon atë, për sa kohë që nuk ka siguruar një tjetër lidhje apo partner potencial. Pra, partneri i ri bëhet “garancia” që nuk do të mbeten vetëm. Në thelb, është një mënyrë për të kaluar nga një marrëdhënie në tjetrën pa asnjë pendesë, dhe shpesh, në mënyrë të padrejtë.
Kjo sjellje nuk është vetëm egoiste, por thellësisht manipuluese. Partneri që “lëviz” në këtë mënyrë mban tjetrin të lidhur emocionalisht, duke qëndruar në një marrëdhënie që në realitet e ka braktisur mendërisht dhe emocionalisht. Ndërkohë, ai ose ajo ndërton komunikme dhe marrëdhënie me dikë tjetër, shpesh përmes rrjeteve sociale apo aplikacioneve të takimeve. Kur marrëdhënia e re duket e sigurt, partneri aktual braktiset papritur, pa paralajmërim.
Pasojat emocionale janë të mëdha
Partneri që lihet krejt papritur ndjehet i zëvendësuar, i pavlerësuar dhe i mashtruar. Shumë persona pësojnë ndjenja të forta ankthi, dyshimi ndaj vetes, apo edhe vështirësi për të besuar në lidhjet e ardhshme. Ndërkohë, personi që praktikon “monkey barning” shpesh vepron nga një frikë e thellë ndaj vetmisë apo mungesës së aftësisë për t’u përballur me dhimbjen e ndarjes.
Si ta dalloni këtë sjellje?
Shenjat përfshijnë një distancim emocional të papritur, interes të shtuar për “miq të rinj” ose kontakte të reja, sjellje të dyshimta në telefon apo rrjete sociale, dhe një hezitim të vazhdueshëm për të folur hapur për të ardhmen e lidhjes. Nëse keni ndjesinë se partneri juaj është tashmë “me një këmbë jashtë”, por ende nuk largohet, kjo mund të jetë një shenjë e qartë.
Monkey barning" nuk është thjesht një mënyrë për të shmangur vetminë, është një formë tradhtie emocionale që lë pas shumë plagë. Ndaj, nuk duhet ta aplikoni, sidomos nëse besoni te karma. ;)