I mbijetuari i vetëm nga përplasja tragjike e avionit Air India rrëfeu se për një moment mendoi se kishte vdekur. Dhe me të drejtë — gjithçka përreth tij shpërtheu në flakë.
Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, britanik, ishte mes pasagjerëve të fluturimit që u përplas me një ndërtesë në Indi dhe shpërtheu në flakë, duke i marrë jetën 241 personave të tjerë në bord. Ai është i vetmi që i mbijetoi ngjarjes.
Duke folur nga shtrati i spitalit për televizionin indian DD News, ai tha:
“Avioni dukej sikur kishte ngecur në ajër vetëm pak sekonda pas ngritjes. Dritat nisën të pulsonin jeshile dhe të bardha dhe më pas ndodhi. U përplasëm me një ndërtesë dhe gjithçka shpërtheu."
Në rrëfimin e tij tronditës, Vishwash kujton momentet e para pas përplasjes:
“Mendova se kisha vdekur. Por kur hapa sytë dhe pashë përreth, kuptova që isha gjallë. Kishte një çarje në trupin e avionit. E zgjidha rripin, shtyva me këmbë përmes hapjes dhe u zvarrita jashtë. Nuk e di si shpëtova.”
Ai tregon se pa njerëz të vdisnin rreth tij – stjuardesa, udhëtarë të tjerë – dhe ende nuk e beson që është gjallë.
“Pashë njerëzit duke vdekur para syve të mi dhe unë thjesht dola nga rrënojat.”

Çfarë ndodhi në fakt?
Avioni Boeing 787 Dreamliner u përplas me një ndërtesë të një kolegji mjekësor në Ahmedabad të Indisë, vetëm pak minuta pas ngritjes.
Kjo është një nga përplasjet më tragjike për sa i përket numrit të njerëzve të vrarë dhe aksidenti i parë fatal i këtij modeli avioni.
Kryeministri indian, Narendra Modi, vizitoi vendin e ngjarjes dhe e takoi Vishwash-in në spital. Ndërkohë që autoritetet po vijojnë hetimet, dyshimet e para janë për një defekt teknik ose dështim të motorëve.