Në mbrëmjen e 12 qershorit, Izraeli ndërmori një sulm të gjerë ndaj Iranit, duke shënjestruar ndër të tjera, objektet bërthamore, komandantët ushtarakë dhe shkencëtarët në Teheran. Pretendimi ishte se Teherani kishte nisur nga ndërtimi armë bërthamore. Forcat mbrojtëse izraelite konfirmuan se 200 avionë luftarakë morën pjesë në këtë operacion, duke sulmuar 100 shënjestra.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), objekti kryesor i pasurimit bërthamor të Iranit, Natanz, u godit nga këto sulme. Ende nuk është konfirmuar se sa i madh është dëmi apo se cilat zona janë cekur. Natanz-i qëndron pjesërisht nën tokë, me salla centrifugash që pasurojnë uraniumin për programin bërthamor.
Duke cituar autoritetet iraniane, IAEA tha se disa vende të tjera të rëndësishme, përfshirë Fordo-n, Isfahan-in dhe centralin bërthamor të Bushehr-it nuk ishin sulmuar.
Izraeli, nga ana tjetër, tha se shkatërroi dhjetëra instalime radarësh dhe lëshues raketash. Ata gjithashtu goditën edhe selinë e Gardës Revolucionare Iraniane, e cila përbën një nga qendrat kryesore të pushtetit në Iran. Pamjet nga kamerat e sigurisë nëpër qytet treguan 2 nga shpërthimet, me njerëz që ulërisnin nëpër rrugë dhe godina në flakë.
Mediat shtetërore iraniane njoftuan se kreu i Gardës Revolucionare, gjenerali Hossein Salami, shefi i shtabit të ushtrisë, gjeneral-major Mohammad Bagheri, komandanti i shtabit të përbashkët Khatam al-Anbiya dhe gjeneral-major Gholamali Rashid, u vranë nga sulmet. Në mes të viktimave ishin edhe gjashtë shkencëtarë bërthamorë, përfshirë Fereydoun Abbasi, kreun e Organizatës Iraniane të Energjisë Atomike nga viti 2011 deri në 2013-ën.
Reagimi i Iranit
Irani lëshoi rreth 100 dronë drejt Izraelit, ndërsa lideri suprem, Ali Khamenei, kërcënoi me “ndëshkim të ashpër”. Zëdhënës nga Iraku thanë se më shumë se 100 dronë iranianë kishin kaluar nga hapësira ajrore e shtetit dhe pak më vonë, Jordania njoftoi se forcat ajrore dhe mbrojtja e saj kishin shpërbërë disa raketa dhe dronë që kishin hyrë në hapësirën e saj, nga frika se mund të binin brenda vendit.
Në një deklaratë të ashpër, qeveria iraniane e akuzoi Izraelin për terrorizëm dhe deklaroi se sulmet tregojnë se Izraeli “nuk respekton asnjë rregull ndërkombëtar dhe si i dehur vepron hapur dhe paturpësisht, duke përdorur terror dhe duke i vënë flakën paqes para syve të botës”.
“Të fillosh një luftë me Iranin do të thotë të luash me bishtin e luanit”, thuhej në deklaratë.
Në deklaratë u shtua edhe një paralajmërim domethënës që tregon se regjimi iranian, nëse i mbijeton sulmeve, tani mund të ndiejë nevojën të ndërtojë armë bërthamore përballë sulmeve të Izraelit:
“Bota tani e kupton më mirë vendosmërinë e Iranit për të pasur të drejtën e pasurimit të energjisë bërthamore dhe të raketave. Armiku na ka dhënë mundësinë të vërtetojmë padrejtësinë dhe të drejtën tonë, se kush është agresori dhe cili regjim po kërcënon sigurinë e rajonit”.
Reagimi i Benjamin Netanyahu
Duke justifikuar sulmin, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Irani jo vetëm që po grumbullonte uranium të pasuruar, mjaftueshëm për të prodhuar nëntë koka bërthamore, por edhe se kishte ndërmarrë hapa të paprecedentë drejt ndërtimit të bombës.
Bordi i IAEA vendosi të enjten se Irani kishte shkelur detyrimet që ka sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore, pasi nuk bashkëpunoi plotësisht me inspektorët e IAEA-s dhe ka mbledhur rreth 400 kilogramë uranium. Vlerësimet e inteligjencës perëndimore, deri tani, përgjithësisht thoshin që, edhe pse Irani po grumbullonte komponentët e një bombe, ende nuk e kishte marrë vendimin për ta ndërtuar.
Një historik i konfliktit
Konflikti Iran-Izrael nuk lindi për çështje kufiri, si shumë nga konfliktet e tjera të Lindjes së Mesme, por nga ideologjia, gjeopolitika dhe frika për sigurinë. Me kalimin e viteve, ai u thellua nga veprimet e të dy shteteve.
1979 – Revolucioni Islamik i Iranit
Irani ndërpret marrëdhëniet me Izraelin dhe mbyll ambasadën në Tel Aviv. Më tej, e deklaron Izraelin si një “armik të islamit”, pasi Ruhollah Khomeini përmbysi monarkinë.
Vitet 1980 – Mbështetja për grupet anti-izraelite
Irani ishte një ndër mbështetësit kryesor të Hezbollahut në Liban dhe organizata të ndryshme palestineze, me qëllim që të përdorte rezistencën e tyre për t’i bërë presion Izraelit.
1990-2000 – Zgjerimi i ndikimit të Iranit
Falë mbështetjes së Iranit, Hezbollahu fuqizohet dhe lufton Izraelin nga zona të ndryshme të Libanit jugor. Më tej, Irani thellon lidhjet dhe vijon të mbështesë edhe Hamasin dhe Jihadin Islamik në Palestinë.
2006 – Lufta e dytë e Libanit
Hezbollahu, me mbështetje të Iranit, sulmon Izraelin në një luftë 34-ditore, e cila solli dëme për të dyja palët, megjithëse më shumë për Hezbollahun.
2010-2020 – Tensionet rriten
Irani zgjeron ndikimin në trerritore të tjera të Lindjes së Mesme, duke u shtrirë në Siri, Irak, Jemen, si dhe Gaza. Më vonë, Izraeli kundërpërgjigjet duke kryer qindra sulme ajrore në Siri, për eliminuar forcat iraniane, armët dhe depot e tyre.
2015 – Marrëveshja bërthamore (JCPOA)
Irani arrin të bëjë një pakt me 6 fuqitë botëore (SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Britani, Gjermani) për të kufizuar programin e tij bërthamor. Izraeli e kundërshton ashpër këtë bashkëpunim, duke e cilësuar si “kërcënim ekzistencial”.
2018 – SHBA tërhiqet nga marrëveshja
Presidenti Donald Trump vendos që të heqë dorë nga marrëveshja dhe madje, vendos edhe sanksione kundër Iranit. Kjo sjell rritjen e tensioneve dhe Irani nis të pasurojë sërish uraniumin.
2020- Konflikti
SHBA, në janar të vitit 2020, eliminon Qassem Soleimani-n, gjeneralin e lartë të Iranit. Ngjarja sjell kulmin e konflikteve. Irani dhe grupimet e tjera të cilësuara si terroriste shtojnë sulmet ndaj Izraelit, ndërsa ky i fundit përgjigjet me sulme ajrore, sulme kibernetike dhe eliminim të figurave të rëndësishme në Iran.
Qershor 2025 – Kulmi i përplasjes
Izraeli sulmon Iranin, duke shënjestruar instalime bërthamore, ushtarake dhe duke vrarë gjeneralë të lartë e shkencëtarë, si përgjigje ndaj programit bërthamor që Irani e ka rinisur. Irani përgjigjet me sulme me dronë dhe raketa, duke përshkallëzuar edhe më tej situatën.