
Trump paralajmëron Iranin: “Jepi fund luftës, ke vetëm 2 javë kohë”
Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se do të vendosë brenda dy javësh nëse SHBA do të përfshihet drejtpërdrejt ushtarakisht në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Ai u shpreh se dy javë do të jenë të mjaftueshme për të kuptuar nëse një zgjidhje diplomatike është ende e mundur.
Konflikti mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e tetë, me të dyja palët që kanë shkëmbyer qindra sulme me raketa. Dhjetëra izraelitë janë vrarë nga sulmet iraniane përtej kufirit, ndërsa Irani ka pësuar qindra viktima.
Përplasja nisi javën e kaluar, në orët e para të mëngjesit të së premtes, kur Izraeli kreu një sulm të befasishëm në Teheran, duke goditur objekte ushtarake dhe bërthamore.
Irani: “Përfshirja e SHBA-ve në luftë do të sjellë ferrin”
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Saeed Khatibzadeh, paralajmëroi se përfshirja e SHBA-ve në luftë do të shkaktonte “ferr për gjithë rajonin”.
Në një intervistë për BBC-në, ai tha se “kjo nuk është lufta e Amerikës” dhe se nëse presidenti Trump vendos të ndërhyjë, do të mbahet mend gjithmonë si “një lider që u fut në një luftë që nuk i takon”.
Komentet e tij vijnë pasi një raketë iraniane goditi spitalin Soroka në jug të Izraelit. Mediat shtetërore iraniane raportuan se objektivi ishte një bazë ushtarake pranë spitalit, dhe jo vetë objekti shëndetësor.
Zelensky thirrje aleatëve: “Bëjini presion Rusisë”
Një sulm rus me raketa mbi një ndërtesë banimi në kryeqytetin Kiev është cilësuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, si një sinjal se duhet ushtruar më shumë presion ndaj Moskës për të pranuar armëpushimin.
Sulmi me dronë dhe raketa që ndodhi të martën në mëngjes, dhe që konsiderohet si më i përgjakshmi në Kiev për këtë vit, vrau 28 persona dhe plagosi 142 të tjerë.
Zelensky, së bashku me shefin e zyrës presidenciale Andrii Yermak dhe ministrin e Brendshëm Ihor Klymenko, vizituan të enjten vendin ku ndodhi sulmi. Ata vendosën lule dhe nderuan kujtimin e 23 personave që humbën jetën pasi raketa goditi drejtpërdrejt ndërtesën.
Spanja refuzon udhëzimin e NATO-s për të rritur sigurinë e brendshme
Spanja ka refuzuar një propozim të NATO-s për të shpenzuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për nevojat e mbrojtjes, duke e cilësuar atë si “të paarsyeshëm.”
Kryeministri Pedro Sánchez, në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, tha se Spanja “nuk mund të angazhohet për një objektiv specifik shpenzimesh në përqindje të PBB-së” në samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Hagë.
Çdo vendim për të miratuar një udhëzues të ri shpenzimesh duhet të merret me konsensusin e të gjitha 32 vendeve anëtare të NATO-s.
Vendimi i Sánchez rrezikon të tronditë samitin ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, si dhe mund të krijojë pasoja afatgjata për aleancën.