
Në një deklaratë të gjatë në Instagram, atletja Luiza Gega, ka shpjeguar arsyet pse ka vendosur të mos marrë pjesë në Kampionatin Europian të Shteteve, që zhvillohet nesër në Slloveni, një nga aktivitetet më të rëndësishme për Federatën Shqiptare të Atletikës.
“Sot më është dukur sikur vetëm unë isha në Tiranë, kaq bosh ishin rrugët,” e nis postimin e saj Luiza. “Në fakt, si rregull, unë tani duhet të isha në Slloveni sepse pasnesër mbahet Kampionati Europian i Shteteve, ku ne bëjmë pjesë në divizionin e tretë, divizioni i fundit për fat të keq, sepse është një nga aktivitetet më të rëndësishme të Federatës tonë.”
Gega shpjegon se ky kampionat nuk jep medalje, por pikë për renditjen e shteteve:
“Funksionon në këtë formë, nuk ka medalje, thjesht ka renditje ku sportistët mundohen të pozicionohen sa më mirë në fund të garës për t’i dhënë sa më shumë pikë shtetit të tyre, sepse 2 shtetet që grumbullojnë më shumë pikë kalojnë në një divizion më lart e kështu me radhë.”
Duke qenë në formë pas kampionatit kombëtar, Luiza kishte menduar të ndihmonte ekipin shqiptar:
“Pas kampionatit kombëtar, duke qenë se shkoi shumë mirë dhe me pak stërvitje, thashë 'pse të mos ndihmoj ekipin?', duke qenë që për mua është shumë e lehtë të fitoj në këtë divizion sepse është divizioni i shteteve të dobëta.”
Por mënyra si ishte organizuar udhëtimi për këtë event e bëri të tërhiqej:
“Kur pashë se sa me pak seriozitet ishte marrë vajtja në këtë aktivitet, vendosa të tërhiqem, sepse pjesa më e madhe e delegacionit do të shkonte me autobus, pra duhet të bënte 20 orë rrugë dhe më pas të garonte. M’u rikthye vetja këtu e 20 vite para, ku ka qenë rruga ime e fundit me autobus. Jo se ka ndonjë gjë të shkosh me autobus, por është shumë e lodhshme dhe më shumë se 10 orë rrugë është rraskapitëse që një sportist t’i marrë maksimumin garës.”
Luiza rikujton se ky aktivitet zhvillohet çdo dy vite dhe Shqipëria pati një renditje historike në edicionin e kaluar:
“Para 2 vitesh, sepse një herë në dy vite bëhet ky aktivitet, arritëm të pozicionoheshim të 7-ët, ishte renditja më e mirë që ne kemi pasur ndonjëherë dhe mendova që 'pse jo?', ndoshta këtë vit do arrijmë të pozicionohemi akoma më mirë.”
Më tej, ajo e quan shumë zhgënjyese sjelljen e presidentit aktual të federatës, Izmir Smajlaj:
“Ishte shumë zhgënjyese sepse në momentin që presidenti erdhi, tha që 'gjëja e parë që do bëj është të mbështes sportistët, sepse kam qenë sportist vetë' dhe gjëja e parë që bën është që të rikthen këtu e 20 vite përpara. Pastaj shkruan një ‘mos harroni uniformat’.”
Problemi nuk qëndronte vetëm te mënyra e transportit, por dhe diskutime absurde mbi mundësimin e uniformave për sportistët:
“Ndërkohë që nuk ka blerë asnjë uniformë, uniformat e vetme që ne kemi pasur janë para 2 vitesh, të cilat trajneri im i bleu nga xhepi, sepse sigurisht kur një president vjen në krye, gjëja e parë që bën është të bëjë një ndryshim. Dhe presidenti duhet të derdhë nga xhepi kur nuk është mundësia për të blerë me fondet e Federatës. Sepse një president këtë bën, duhet të jetë gati, qoftë nga ana financiare, për të marrë një federatë përsipër.”
Në fund, Gega përmbyll deklaratën me një mesazh të qartë dhe personal:
“Prandaj jo çdokush mund ta bëjë presidentin, qoftë dhe unë nuk e bëj dot sot për 1,2,3,4 arsye. Uroj shumë që gjërat të ndryshojnë sepse është për të ardhur keq. Jo për mua, e kam thënë, unë i kam marrë këtij sporti më shumë se ç’kam ëndërruar, por për brezat që do vijnë.”