
Gjatë një interviste në emisionin "Mirëmbrëma Yje" me Arbana Osmanin, Kledi Kadiu foli pak më shumë mbi sëmundjen e djalit: momentin e parë kur mësuan problemin që ai kishte, përballjen me mjekët, ndjesitë që e shoqëruan gjatë fillimit, duke zbuluar se pranimi i sëmundjes gjatë fillimit ishte shumë i vështirë.

E para që ishte shqetësuar nga disa lëvizje të çuditshme të djalit ishte bashkëshortja, ajo më pas e kishte njoftuar se ishte mirë të kërkonin ndihmë mjekësore.
"Shkova në ndihmën e shpejtë, ishte edhe akoma koha e Covid-it që s'mund të hynim shumë veta. 'I dashur, më prit sepse duhet të kemi pak kohë,' dhe kjo pritja për mua ishte një vetëvrasje, nuk e kuptoja pse duhet të prisnim kaq gjatë, pse kaq përgjigje e gjatë për të thënë ça po ndodh. Pastaj, se tani e them në një mënyrë shumë normale, por ajo koha e vështirë që kaluam..."

Mjekët i thanë se ishte një rast që prekte një në 70 mijë. E gjitha u shkaktua prej një virusi që shkoi nga hunda në trurin e foshnjes.
"U ndryshua gjithë ajo, si thuhet, gjithë ajo festë që çdo familje bën kur të lind një fëmijë, u shndërrua në një dhimbje. Dhe fakti që ishte kaq i vogël, ai mospranimi i një prindi që pse atij, thashë mund të më ndodhte mua ose një personi tjetër të familjes. Ajo ishte gjëja që nuk mund ta ndalnim dot edhe kanë qenë... Tani ajo kohë kaloi, kaloi edhe mirë për fatin e mirë të Gabrielit, se mund të kishte edhe më shumë reaksione negative."
Dy nga funksionet kryesore që kjo sëmundje ka dëmtuar janë të folurit dhe të ecurit. Kledi tha se djali ende nuk mund të ecë me shpresën që kjo mund të ndodhë pak më vonë, sepse është ende i vogël.
Ai u shpreh se gjatë fillimit refuzonte ta pranonte sëmundjen e djalit.
"Unë dua të jem i drejtë, unë nuk e pranoja në fillim. Thashë pse, pse? Po jo pse mua si person, unë isha i eliminuar si Kledi, thashë: 'Pse Gabrielit?' Edhe nuk e dija ku ta kërkoja këtë pse-në? Nuk kisha asnjë tip përgjigje nga... jo nga mjekët, sepse mjekët ishin pak të ashpër, por në ashpërsinë e tyre thanë një gjë, ne pastaj e kuptuam që çfarë të na thonin, gënjeshtra?"
Më tej ai foli për mënyrën se si kjo sfidë ndikoi në marrëdhënien me bashkëshorten. Sëmundja e djalit solli një sërë emocionesh mes tyre.
"Kishte momente ashpërise, kishte momente të ftohta, kishte momente edhe shumë të afruara. Tani për shembull është momenti që të dy jemi akoma më të lidhur dhe e dimë, të paktën e dimë kush është rrugëtimi që duhet të bëhet, që është gjëja më e rëndësishme."
Për herë të parë, Kledi Kadiu foli për sëmundjen e të birit përmes një postimi në Instagram pak vite më parë.
View this post on Instagram
"13 ditë pas lindjes, Gabriel ka patur temperaturë dhe konvulzione të forta, si pasojë e një diagnoze shumë komplekse: meningo-encefaliti," shkroi ai ndër të tjera gjatë asaj kohe.
Meningo-encefaliti është një sëmundje që ka ngjashmëri me encefalitin dhe meningjitin. Sipas një studimi të vitit 2012, ka rezultuar se është e vështirë të diferencohen në mënyrë të besueshme klinikisht meningjiti dhe encefaliti. Prandaj, termi meningoencefalit akut (AME) përdoret shpesh për të treguar të dyja gjendjet.

