
Ace Frehley, kitaristi legjendar dhe bashkëthemeluesi i grupit KISS, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare pas një rrëzimi në shtëpinë e tij në New Jersey. Lajmin e konfirmoi familja e tij, e cila tha se artisti u nda nga jeta i rrethuar nga njerëzit që e donin.
Frehley, i njohur si “Spaceman”, ishte një nga figurat më të veçanta të rokut amerikan. Ai themeloi KISS në vitin 1973, përpara se të largohej në vitin 1982 për t’u fokusuar në karrierën e tij solo. Me hite si “New York Groove” dhe albumin Ace Frehley, ai arriti sukses të madh si artist i pavarur, madje ishte i vetmi anëtar i grupit që arriti në Top 10 të Billboard-it me një album solo.
Prej disa javësh, muzikanti ishte në gjendje kritike shëndetësore pas një hemorragjie në tru të shkaktuar nga një rrëzim. Ai kishte njoftuar fansat në fund të shtatorit se do të anulonte disa koncerte për shkak të gjendjes shëndetësore, duke i quajtur problemet “të vogla”, por më pas anuloi të gjithë turin e vitit 2025.
Frehley u rikthye për pak kohë në KISS në vitin 1996 për turneun e ribashkimit dhe u fut në Rock & Roll Hall of Fame në vitin 2014, ku u vlerësua si një nga kitaristët më me ndikim në historinë e muzikës. Në intervistat e fundit, ai tregonte se ishte krenar për trashëgiminë e tij:
“Shumica e kitaristëve më thonë se morën kitarën për herë të parë për shkakun tim dhe ky është nderi më i madh që mund të kem.”
Frehley la pas bashkëshorten Jeanette, vajzën e tij Monique dhe familjarë të tjerë që e përshkruan si një njeri me zemër të butë, humor të pafund dhe shpirt të lirë, njësoj si muzika e tij.