
Legjenda e mundjes profesioniste, Hulk Hogan, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur WWE, e cila tha se është "thellësisht e trishtuar për humbjen e një prej figurave më të njohura të kulturës pop".
Hogan, emri i vërtetë i të cilit ishte Terry Bollea, u bë i famshëm në vitet ’80 dhe ’90 falë karrierës së tij në ring dhe personalitetit ekstravagant që e bëri ikonë ndërkombëtare. Me parullën e famshme “thuaj lutjet dhe ha vitaminat”, ai ndihmoi që WWE të shndërrohej në një perandori globale.
Sipas autoriteteve në Clearwater, Florida, Hogan u gjet në gjendje të rëndë dhe u transportua në spital, ku më pas edhe vdiq nga shkaqe natyrore.
Karriera e tij përfshin rivalitete të paharrueshme me emra si André the Giant dhe “Macho Man” Randy Savage. Kalimi në WCW në vitet ’90 dhe transformimi në “Hollywood Hogan” mbeten disa nga momentet më ikonike në historinë e mundjes.
Megjithatë, jeta e tij nuk ka qenë pa polemika. Në vitin 2015, ai u përjashtua nga WWE pas publikimit të një videoje ku përdorte fjalë raciste. Ai më pas kërkoi ndjesë publike për deklaratat e bëra.
Pavarësisht ulje-ngritjeve, Hulk Hogan mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e mundjes dhe kulturës pop. Ai la pas dy fëmijë, Brooke dhe Nick, si dhe gruan e tij, Sky Daily.