
Pas shumë kohësh, Top Channel ka hapur arkivat e Top Fest, festivalit që në vitin 2004 bëri revolucion në skenën e muzikës shqiptare. Një festival ndryshe, frymëzuar nga MTV Music Awards nga ana vizuale por edhe fryma moderne që solli në skenë. Sidoqoftë, formula e konkurrimit i qëndroi asaj klasikes shqiptare, me këngë të krijuara për të marrë pjesë në këtë festival, dukë u publikuar për herë të parë në këtë skenë.
Në Top Fest u bënë të njohur shumë prej këngëtarëve më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, si Alban Skënderaj që fitoi Top Fest 2 e bashkë me të dashurinë e publikut; Lindita Halimi fitoi për herë të parë një festival në Shqipëri pikërisht në këtë skenë; Elhaida Dani përpara se të nisej për të konkurruar tek 'The Voice Italia' u shpall fituese e Top Fest; një sërë këngëtarësh që janë ndër më të njohurit tani, si Vedat Ademi, Dafina Zeqiri, Ledri, Nora Istrefi, Blero, Erik Lloshi, apo Tuna e cila për herë të parë u ngjit në një skenë shqiptare në Top Fest, kanë publikuar këngë që do të bëheshin hit, në skenën e Top Fest.
Një festival i nisur me pasionin e përkushtimin e Dritan Hoxhës, dhe të stafit që punoi me orë të tëra për përzgjedhjen e këngëve, skenografinë e deri tek detajet më të vogla. Për shumë vite Bojken Lako ishte drejtori artistik i këtij festivali që solli këngë të shumë zhanreve të ndryshme e rrymave që pak ishin eksperimentuar në vend. Ato prezantoheshin në një fazë të parë maratonë për t'u përmbyllur në një natë finale në Pallatin e Kongreseve, të drejtuar për vite resht nga Arbana Osmani e Alban Dudushi.
Me qindra pjesëmarrës kanë konkurruar me këngë që tani janë publikuar në kanalin zyrtar në Youtube...disa prej të cilave janë harruar.
Genti Pjetri njihej si moderatori i 'Fiks Fare', por asokohe pak njerëz e njihnin si kantautor rroku i brezit të viteve '90, që njihej ndryshe si 'Brezi i djegur':
Shumë njerëz e mbajnë mend hitin 'Me ngadalë' të Anjeza Brankës me Nikun në Top Fest 3, por më herët Anjeza Branka, e sapokthyer nga Gjermania, do të ngjitej në skenën e Top Fest 1 me një baladë, e do të shprehej se 'ishte një këngë që tregonte shtrirjen time vokale':
Flori Mumajesi ishte një kantautor i ri që tentoi në Top Fest 1 me një këngë të shkruar vetë, por nuk arriti të shkonte në finale. Kënga ishte një baladë pop me vargje melankolike, që shumë pak njerëz mund ta kujtojnë:
Nëse ju kujtohet shprehja 'vajza metropoli', 'çuna metropoli', është ngaqë Rozana Radi habiti kur filloi të reponte në skenën e Top Fest:
Por reperet e vërteta ishin vajzat 'bobe' të Top Fest, që megjithëse u shfaqën në skenë për pak vite për t'u zhdukur më pas, këngët e tyre u kthyen në hite.
'Crazy Girl' prezantoi disa këngë që u pëlqyen shumë nga të rinjtë, ndër to kënga 'Mes çunave':
Po kështu edhe Mc Mimo, 'në karrigë, si gjithmonë çikë me taktikë', siç repon ajo në vargjet e këngës-hit 'Na jem' me Viagra:
Vajzave 'bombë' shqiptare u kushtoi një këngë Mr. Elvis, që thoshte pak a shumë kështu: 'Edhe Miss Botën të ma ofrojnë, nuk e dua pranë'. E përse kur kishte 'femrat shqiptare'?
Në Top Fest 1, një djalë 15-vjeçar nga Lushnja me emrin Erikson Lloshi, u ngjit në skenë me këngën 'Sa e vështirë të thuash të dua'. Miqtë e thërrisnin shkurt 'Erik':
Dikur Mimoza Ahmeti publikoi disa këngë, dhe e nisi tek Top Fest 1, ku kënga 'Humsja' nuk fitoi të drejtën për të shkuar në finale, sadoqë ishte një nismë e guximshme:
Ermal Fejzullahu ishte vetëm 16 vjeç kur u bë i njohur për baladat e tij, të cilat i prezantoi në Top Fest. E para prej tyre ishte ajo e vitit 2004, 'Në mendje të kam' që do të pasohej nga 'Për një dashuri' që e bëri akoma më të famshëm. Një Ermal krejt ndryshe nga ai që njohim tani, jo vetëm sepse ishte shumë trupimët, por edhe sepse tani i është përkushtuar një rryme krejt tjetër, turbofolk:
Ndaç thirreni 'King', ndaç 'Mbret', por jo 'Skillz', se thuhet se marrëdhëniet me Skivin, ish-partnerin në skenë nuk i ka edhe aq mirë. Sidoqoftë, 'Krejt i kom' u kthye në hit duke i bërë çunat- Ledri e Skivi- të njohur për publikun shqiptar:
Pasi u shpall Miss Shqipëria, Zajmina Vasjari u bë e njohur për bukurinë e saj natyrale, trupin e hollë dhe në formë. Ajo i hyri muzikës dhe konkurroi në Top Fest 2. Në video duken buzët e saj natyrale, kur ende nuk kishte bërë ndërhyrje:
Nora Istrefi nuk ishte ende e njohur në Shqipëri, derisa në 2005-ën prezantoi në Top Fest këngën 'Taxi' që u pëlqye nga publiku ashtu si edhe Nora, asokohe vetëm 18 vjeç por me një trup plot forma të kolme:
Dhe meqë po flasim për forma dhe vajza të kolme, asnjë nuk e fitoi simpatinë e publikut si Big Mamma, një vajzë e shëndetshme plot energji, humor e autoironi, dhe me një stil shumë ekstravagant:
Por kishte edhe djem si Blero apo Shpat Kasapi, që duke ndërthurur ritmet orientale me muzikën pop, u bënë të njohur dhe shumë të pëlqyer prej vajzave.
Ja përshembull kënga 'Bashkë' e Bleros, me kërcimin e tij karakteristik:
Këmishat e bardha kanë qenë trendi i çunave! Shikoni Shpat Kasapin 10 vite më parë në skenën e Top Fest me 'Lila laj':
Çuditërisht me motive orientale u prezantua edhe Noizy, atëherë kur OTR nuk ishte akoma kaq i njohur, prandaj Noizy i kthyer nga Anglia ndjente nevojën për ta prezantuar: 'Jemi OTR':
Ndërsa Kastro ia njihte vlerat Cuba Libre-s shumë kohë përpara se Kuba të kthehej në atraksionin kulturor e turistik të momentit:
Malda Susuri ra menjëherë në sy me stilin e saj në Top Fest, ku debutoi me këngën 'Dashuri e Hidhur'. Një prej këngëtareve të para shqiptare, në mos po një prej të rrallave që shfaqej me një look kaq androgjen:
Një prej këngëve më të njohura të Top Fest është padyshim 'Si Trëndafil' e Ponit. Një këngëtare folku që për herë të parë prezantohej me një baladë, edhe pse aty mbeti ky eksperiment:
Në po këtë vit, kompozitori i 'Si Trëndafil', Stine, mori pjesë me këngën 'Ishe ti', pasi e kishte fituar Top Festin e parë me këngën 'Lady' me Abin. Kënga u kthye në hit, kurse flokët që ka në këtë performancë në fazën e parë të Top Fest, i ndryshoi në finale:
Në 2005-ën, Lindita Halimi ishte ende e njohur deri diku për vokalin e saj, por jo si 'këngëtarja që hoqi 35 kilogramë'. Dhe në Top Fest 5 nuk u paraqit vetëm, por si vokaliste e grupit 'Ngroba' që do të thotë: Ngrohje Globale.
Një vit më vonë, do të fitonte Top Fest me këngën 'Ëndërroja':