Koment mbi komente

Situatat më gallatë të shqiptarëve në aeroport

14 Mars 2018

Situatat më gallatë të shqiptarëve në aeroport

Si çdo komb tjetër, edhe ne shqiptarët kemi disa karakteristika, që na bëjnë ta dallojmë njëri-tjetrin nga disa metra larg. Situatat nëpër aeroporte janë padyshim super gallatë, prandaj hapëm edhe një temë me ndjekësit tanë dhe erdhën pafund letra. Ja disa nga momentet më gazmore të shqiptarëve para, gjatë dhe pas udhëtimit me avion.

Së pari, janë situata para udhëtimit:

Situatat më gallatë të shqiptarëve në aeroport

“Ishim tek check in-i dhe një shqiptar bënte sikur mbante radhën, por me lezet mundohej të dilte para të tjerëve. A thua se ne të tjerët nuk shihnim nga sytë, nuk dinim dhe ne të dilnim para”, shkruan dikush.

E drejtë kjo! Ne sikur kemi një gjë personale me radhën, sikur s’na ngjit shumë. Por nuk përfundon këtu; edhe valixhja është hall më vete.

“35 kg peshonte valixhja, 20 lejoheshin dhe aty filloi sherri ‘pse duhet të paguaj unë më shumë?’. U hap valixhja dhe nisën të nxirrnin gjërat, por ç’të linte më parë: gjelin që i kishte dhënë mami, turshitë, reçelin, rakinë e dajës?”, shkruhet në një tjetër letër.

“Pip-pip! Çelsat, çakmaku, rripi i pantallonave dhe përsëri pip-pip! Dreq, kishte 10 lekë nga kusuri i byrekëve, kështu më tha.”

Ok, gjëra që ndodhin se ajo pjesa e pip..pip..pipppp është shumë e bezdisshme, se nuk di njeriu i shkretë çfarë ka harruar!

Një vajzë na solli ndërmend atë momentin kur dikush, i cili s’të njeh fare, papritur bëhet mik jete me ty dhe të pyet për çdo gjë. Mund të jetë udhëtimi i parë dhe e kuptueshme që s’ndihet mirë vetëm.

“Isha duke pritur radhën dhe një grua më kap tek krahu dhe më thotë që po shkonte tek vajza në Milano (ok, nuk e pyeta, por për mirësjellje vendosa t’i shkëmbej dy fjalë). Ajo vazhdonte ‘ja sa të nisemi dhe do ulemi bashkë dhe flasim, mos të jem vetëm’. Më tregonte nga cili qytet vinte, sa fëmijë kishte dhe ku po shkonte. Sado i shpjegova se vendet s’i përcaktojmë ne, vazhdoi me të sajën...derisa dikush tjetër i tha që të ngrihej.”

Mirë, kemi kaluar gjithë “peripecitë” dhe më në fund jemi gati për të hipur tek autobusi. Për pak do rehatohemi në avion, por...

“M’u kujtua kur do të shkoja me studime në Bari dhe sapo erdhi autobusi një grua nisi të konflikohej me disa policë aty rrotull, sepse kujtoi se do udhëtonte me autobus: ‘Djali ma ka prerë biletën me avion, ka harxhuar qimet e kokës. Pse duhet të iki unë me autobus?’.

Së dyti, kalojmë tek situatat gazmore në avion: 

Situatat më gallatë të shqiptarëve në aeroport

“S’e kam kuptuar kurrë pse e kemi me merak kush të futet i pari në avion. Të gjithë do hipim, secili ka vendin e tij, nuk jemi tek linja e Tiranës së Re”.

“E di ç’më ndodhi njëherë? Unë si njeri s’i kam me qejf shumë fluturimet dhe më përzihet zakonisht. Sapo ishte nisur avioni drejt Lubjanës, dhe personi ngjitur nxjerr nga çanta një tost. Filloi era e sallamit kudo. E tmerrshme. Unë volla, sigurisht”, shkruan dikush për faktin që ne marrim ushqimet me vete.

Tjetër situatë e përhershme është rripi i sigurimit ose telefoni. “Ne e kemi keq me rripin dhe telefonin. Duhet të thotë mbi 5 herë stjuardesa e shkretë pa t’i bindemi” thotë një vajzë.

Por këto s’janë gjë fare para një rasti me cigare.

“Daja do të udhëtonte në Amerikë dhe, në mos gaboj, ishte 12 orë fluturim. Ai nuk rri dot 2 orë pa ndezur cigare, jo më 12 orë. E kështu mendoi se mund t’ia hidhte duke shkuar të pinte cigare në banjë. Sistemi i alarmit e kapi direkt tymin dhe filloi një gjullurdi në avion. Njerëzit u trembën, nisën të ulërisnin dhe menduan se kaq e kishin, do vdisnin...I morën pasaportën kur zbriti, e mbajtën nja 2 orë në pyetje dhe e liruan pastaj, por një gjobë e hëngri normal se ku të fal amerikani”, ishte historia e dikujt që donte ta shijonte një cigare në maj të qiellit.

E si përfundim, ngjarjet kur përfundon udhëtimi – para se të ulet avioni dhe pasi është ulur.

Situatat më gallatë të shqiptarëve në aeroport

“Një duartrokitje për pilotin që bëri uljen e avionit? Këtë s’e kam kuptuar asnjëherë! Piloti paguhet për ketë gjë. Isha nisur për në Paris, por zbritja e parë ishte në Frankfurt. Jam habitur kur njerëzit filluan të duartrokisnin për pilotin që po bënte punën e tij në fund të fundit. Duartrokita dhe unë, ç’të bëja tjetër."

Dhe pastaj ne normalisht duhet të tregohemi sa më të shkathët se kush zbret i pari – shtyhu sa andej-këtej. Por që në fund të gjithë presim 40 minuta valixhet.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.