Paditë në gjykatë midis Johnny Depp dhe ish-gruas së tij Amber Heard morën një tjetër kthesë, pasi së fundmi raportohet se avokati i Johnny-t dëshiron prova dhe dëshmi nga miqtë e aktores, përfshirë këtu edhe ish-të dashurin e saj, Elon Musk.

Gazeta britanike Metro ishte e para që raportoi këtë të premte se avokati i Depp ka lëshuar një urdhër-thirrjeje për Musk, CEO i Tesla. Faqja e New York Post “Page Six” pasoi një orë më vonë me një histori të ngjashme.
Përfaqësuesi ligjor i Depp u shpreh se “kanë lëshuar urdhëresa për Amber Heard, miqtë e saj, Elon Musk dhe dëshmitarë të tjerë për të shpjeguar disa foto, video dhe prova të tjera”. Një burim u shpreh për Page Six se Musk “nuk e ka marrë ende një thirrje të tillë”.

Ai dhe Heard u ndanë në shkurt të vitit 2018. Ajo tha për The Hollywood Reporter në dhjetor se gëzojnë “një miqësi që bazohet tek idetë dhe dashuria e përbashkët për shkencën”. Ndërsa Amber Heard dhe Johnny Depp u ndanë në 2016-ën, 15 muaj pas martesës së tyre.

Gjatë këtyre ditëve, janë bërë publike dëshmi të reja që aktorja ka deklaruar kundër ish-bashkëshortit. Në një dokument gjykate ajo u shpreh se Depp shndërrohej në tjetër njeri, e kërcënonte se do ta vriste. “Atë version të Johnny-t e quanim ‘Përbindëshi,’” tha ajo.

Në një intervistë për “GQ” në tetor të 2018-s, Johnny Depp foli për herë të parë mbi akuzën e ish-bashkëshortes.
“Pse ky person [Amber Heard] nuk foli me policinë? Dua të them se ata folën me policinë, por policia nuk pa asgjë dhe i ofruan ndihmë mjekësore. Ajo tha jo. Policia nuk pa asnjë shenjë tek ajo, nuk pa asgjë të thyer dhe më pas i thanë se do të sillnin një ekspert, por ajo refuzoi. Disa ditë më vonë kishte një plagë. Kishte një shenjë të kuqe dhe më pas një plagë në ngjyrë kafe”, sqaron Depp versionin e tij të ngjarjes dhe vazhdon me pas me të tjera detaje. “Ditën tjetër shkoi në festën e 44-vjetorit të Amanda de Cadenet. De Cadenet postoi një foto me të dhe fytyra dukej shumë mirë.” – theksoi ai duke iu referuar fotografisë së mëposhtme.
“Ditën tjetër ajo u shfaq në një tjetër festë. I kishte flokët mbi sy, por mund të shihej se syri nuk kishte shenja. Isha 7 metra larg saj, si dreqin mund ta godisja?! Edhe sikur të isha afër, do të ishte gjëja e fundit që do të kisha bërë. Mund të dukem budalla, por s’jam.”
Aktorja dëshmoi në gjykatë në 2016-n se Johnny, me të cilin kishte 15 muaj martesë, e goditi me një iPhone në fytyrë. Sipas Heard, përpara se ajo të ngrinte kërkesën për divorc, ai i kishte ofruar para në këmbim të heshtjes, mirëpo preferoi të zgjidhte sa më shpejt martesën, pasi druhej për jetën e saj. Në deklaratën e Amber në gjykatë, të publikuar nga DailyMail, thuhej se abuzimi i Depp me alkoolin dhe narkotikët e kishte bërë atë të humbte qetësinë, duke e bërë të dhunshëm dhe paranojak: “Ai tregohet shumë paranojak, temperamenti i tij më frikëson pasi më ka treguar shumë herë se është i dhunshëm fizikisht. Pranë tij jeta ime ishte në rrezik.”
Pak ditë më parë, ajo paraqiti edhe screenshot-e të mesazheve që Depp i dërgonte pas episodeve të dhunshme. “Më vjen turp dhe keq. Sigurisht që të kërkoj falje. Nuk e di ç’ndodhi, por di që s’do të përsëritet,” i shkruante Depp, ndër të tjera.