Mjaftuan katër situata, të cilat mendohet se i përkasin një sesioni trajnues për oficerët në lidhje me investigimin e krimeve seksuale, që të na përplasnin në fytyrë të vërtetën e trishtë: Sot, në 2019-n, ka ende të rinj dhe të reja që justifikojnë abuzimin seksual. Siç mund ta shihni edhe në vijim, faji i viktimës (në këtë rast i vajzës) rritet në varësi të detajeve si: dekolte e hapur, fund i shkurtër, alkool, hotel, flirt etj.
Situata 1: Vajza po kthehet në shtëpi vonë dhe lagjja është shumë errësirë. Një djalë rreth të 30-ave e ndjek nga pak, i kërkon të ndalojë. Ajo nuk ndalon. Ai përfiton nga rruga që nuk ka lëvizje dhe e merr me forcë në një godinë të vjetër aty afër dhe e përdhunon.
Faji: Djali 89%, Vajza 11%
Situata 2: Një vajzë pëlqen të vishet seksi dhe të tërheqë vëmendjen. Ka veshur një fustan të shkurtër dhe dekolte të hapur, po kthehet natën nga club-i dhe në rrugë janë një grup djemsh, të cilët i afrohen dhe njëri i kërkon numrin e telefonit. Ata e prekin dhe ngrejnë fustanin duke e vënë në lojë.
Faji: Djali 77%, Vajza 23%
Sitata 3: Ajo ka pasur shumë marrëdhënie dhe pëlqen që të njohë njerëz të rinj. Të shtunën, në club sheh një djalë simpatik, me të cilin nis të flirtojë. Ai nuk duket shumë i interesuar, por ajo arrin që t’i tërheqë vëmendjen. Pasi pijnë disa pije së bashku, vendosin të pargohen në hotel. Në makinë ajo shikon që ai ka një armë dhe e trembur, i thotë se do të donte të shkonte në shtëpi. Ai i thotë që do të shkojnë në hotel dhe pastaj mund ta çojë në shtëpi. Ajo do që të shkojnë në shtëpi, por ai bën seks me të pa dëshirën e saj.
Faji: Djali 69%, Vajza 31%
Sitata 4: Një vajzë vendos të ndajë dhomën e hotelit me shokun e saj në një udhëtim pune. Ajo e pëlqente atë djalë prej disa kohësh, por nuk kishte gjë mes tyre. Djali nuk ia kishte shprehur ndonjëherë ndjenjat kundrejt saj dhe ftesa për të qendruar në një dhomë hoteli erdhi nga vetë vajza. Atë natë, ata filluan të putheshin, por vajza nuk po ndjente që dëshironte ta çonte më tej marrëdhënien dhe nuk donte të bënte seks. Djali bën seks me të pa dëshirën e saj.
Faji: Djali 66%, Vajza 34%
Ajo që theksojnë shumë ndjekës të tjerë, të habitur nga votimi, është “se në të gjitha rastet, veprimi i djalit (pra seksi) ka qenë kundër dëshirës së vajzës”. Në konceptin e tij më të zhveshur, përdhunimi është pikërisht aktiviteti seksual pa miratimin e njërës palë. Detajet e tjera janë të panevojshme. E thënë më thjeshtë: Një vajzë (ose djalë) mund të veshë ç’të dojë, të flirtojë me kë të dojë, të shkojë në shtëpi në këmbë natën vonë dhe sërish të ketë 0% të fajit në përdhunim.
“Në të gjitha rastet ka faj djali 100%. Ende nuk e kuptoj si përqindja vjen duke u ngushtuar, ku sipas njerëzve nëse vajza vishet seksi, do të flirtoj, por s’do seks, do ta puthë por s’do seks etj.” – shkruan një ndjekëse. “
E tmerrshme, shoqëri që justifikon dhunën seksuale. Kështu ndodh kur në familje dhe në shkollë edukata seksuale është tabu. Është akoma më e frikshme sesa pak i raportueshëm është abuzimi seksual.” – shton një tjetër.
Ndoshta ju dhe pjesa që ka votuar se fajin e ka vajza mund të mos jeni viktimë e përdhunimit apo e një ngacmimi seksual, por ata/ato që janë/kanë qenë e njohin shumë më mirë situatën. Rastet e përdhunimeve kanë qenë sa të tmerrshme aq edhe të ndryshme: janë përdhunuar gra të moshuara, fëmijë, adoleshente me uniforma shkolle, me pizhama, me bikini, janë përdhunuar gra myslimane me burka etj. Pra, është mëse e qartë se përdhunimi apo ngacmimi seksual NUK ka lidhje me mënyrën si vishet një grua, kur del apo kur kthehet nga club-i.

Për t’i mëshuar këtij fakti, një ekspozitë në Molenbeek, Brukses, shfaqi çfarë kishin veshur njerëz të ndryshëm në momentin kur u përdhunuan. Përmes 18 veshjeve të shfaqura u gjendën një bluzë fëmije, xhinse dhe bluzë, tuta, një uniformë polici, një pulovër etj.
Një shkrim i The Independet përmblodhi historitë e grave myslimane të cilat ishin përdhunuar a ngacmuar seksualisht pavarësisht veshjes modeste. Hixhabi, nikabi, veshjet e lirshme tipike të kulturës myslimane kanë qëllim pikërisht këtë: të parandalojnë epshet e burrave dhe “të ruajë dinjitetin” e një gruaje. E tepërt të themi që nuk ishin dhe nuk janë efektive. Përdhunimi s’ka qenë kurrë punë epshi.
Një grua mund të përdhunohet nga një i panjohur, nga i dashuri, nga burri, nga një tjetër grua, për aq kohë sa akti seksual ndodh kundër dëshirës së saj. Të vetmit shkaktarë të përdhunimeve janë përdhunuesit!