Letra e ditës

A më fale që ika?

Shkruar nga Anabel

15 Maj 2019

A më fale që ika?

Dje, kur lexova temën e hapur këtu tek Anabel, mendova për ty. “Ai/ ajo u bë shkak i ndarjes sonë!” Mendova që nëse ti do ta shihje, emri i parë që do të vinte ndër mend isha vetë unë.

Unë isha shkaku që u ndamë apo jo? Që sipas teje i dhamë fund 6 viteve të kaluara bashkë, pa arsye, thjesht sepse krejt papritur unë u zgjova dhe doja të ikja nga ty.

Nuk e di nëse ende mendon kështu, por nëse më ke njohur, ti e di që s’është kështu. Ndarja s’erdhi krejt papritur dhe as për ndonjë kapriço timen. Ne u lidhëm herët, i premtuam shumë gjëra njëri tjetrit dhe për aq kohë u deshëm siç mund të duhen dy të rinj me ndërgjegje dhe zemër të pastër. Ndoshta, s’do ta kem më shansin që dikush të më dojë po aq sa ty. U rritëm bashkë, por u rritëm ndryshe. Ti këtë s’e kuptove dhe kishte krijuar tek unë dikë që s’ishte. Kishte krijuar portretin e asaj vajze që s’mund të ishte njësoj si 17 dhe 26-të.

Ika, sepse ishte gjëja më e mirë që mund të bëja si për ty ashtu dhe për vete. Ndoshta më ke urryer, më ke quajtur të pabesë, mosmirënjohëse e qindra epitete të tjera, por thellë e di që s’isha asnjëra prej tyre. Lidhja jonë kishte mbaruar dhe s’po e kuptonim. Rrinim bashkë për inerci, për hir të viteve, respektit për familjet respektive dhe rrethanave të tjera të mjedisit jashtë.Po ne të dy?!

Në çdo fjalë kuptohej acarimi yt, i imi. Mungesa e një puthjeje pasionante, por jo e një përqafimi të njerëzishëm. Unë të doja, por s’të dashuroja më. Ndoshta s’të kam dashuruar kurrë, ose ndoshta u humbëm përgjatë rrugës...

Ika sepse s’mund të të lëndoja duke ndejtur. Do rrinim për këdo tjetër, por jo për ne të dy. Pse të ta bëja këtë ty? Po vetes pse? A nuk është mëkat t’i mohosh vetes dhe të tjerëve lumturinë vetëm për të shmanguar habinë e atyre që thanë: “Uaa, po ata kishin kohë bashkë, si ka mundësi!”

Ja që ka mundësi. Kur gjërat mbarojnë është më mirë të mbyllen pa u zvarritur e pa lënë dhimbje pafund. “Për hir të kohës!” S’e kam kuptuar kurrë këtë justifikim. Pra, më mirë t’i mohoja vetes një jetë me emocione dhe mbushje shpirtërore sesa të hidhja poshtë 6 vite me ty. Përkundrazi.

Të respektoja dhe s’doja të rrije me dikë që thjesht mendoje se e dashuroje. As ti s’më dashuroje më. Dashuroje vajzën që imagjinove tek unë që kur isha ende 16-të. S’isha më ajo dhe kjo ty s’të pëlqeu. U bë kohë që s’të shoh. Kam dëgjuar që ke dikë. Ndoshta, më mban ende inat që ika, por bëra mirë. Një ditë do ta kuptosh pse. Deri atëherë, uroj të më kesh falur...

Shënim: Kjo letër është dërguar në redaksinë e Anabel.al