Letra e ditës

Gruas sime, që iku nga kjo jetë 2 javë më parë

Shkruar nga Anabel

20 Maj 2019

Gruas sime, që iku nga kjo jetë 2 javë më parë

“E dashur Fiona,

Shkova në shtrat mbrëmë. Teksa po hiqja pantallonat të dëgjova kur u kollite, por sigurisht, nuk ishte ti. Sepse ti ike nga kjo jetë dy javë më parë. Dy javë tashmë. Dy javë sot. Po kollitej Jojo. Ka ditë që fle me mua.

Dy javë. Dreqi e marrtë, si iku koha. Sa e çuditshme, apo jo? Çdo gjë vazhdon normalisht dhe nuk thuhet asgjë për ty në lajme. S’të kanë ngritur as edhe një statujë. Nuk është e drejtë. Kemi hirin tënd mbi tryezë. Pa problem, kur koha të ngrohet do të të lë të lirë. por nuk besoj se ti dëshiron të jesh atje jashtë. Është shumë ftohtë.

Çfarë mendon për fotografinë që vendosëm mbi varrin tënd? Mendoj se është e mrekullueshme. Zot, sa bukur pozoje! Ishe kaq e bukur. Je. Ishe. Njerëzit më pyesin si jam. U them “mirë”. Po, jam mirë, domethënë gjallë. Përgjigjem njësoj siç kur më pyesnin “Si është Fiona, po bëhet më mirë?”

E di për çfarë kërkon të dish, e di. Fëmijët, të vegjëlit tanë! Jojo ka marrë lule nga drejtoresha dhe shokët. Mësuesen kujdestare e pati në funeral. Pati njerëz edhe nga shkolla e Jacob- it. 

Nejse. Të pëlqeu funerali shpirt? Vetëm unë e di sa shumë besoje ti në Zot. Shpresoj shumë të ketë një Parajsë, sepse nëse ekziston dikush që e meriton, ajo je ti zemër.  

Doja të të jepja lamtumirën e fundit sa më mirë. Të ishte për mua do kisha lënë gjithë kursimet tona atë ditë. Do të të kisha sjellë një bandë muzikore, shumë lule, por jo, ç’kuptim kishte. Pasi ti të ikje Fiona, jeta do vazhdonte. Duhej! Mbaj mend ditën kur të diagnostikuan me kancer. Sa s'dua ta mbaj mend.

Çfarë po bëj tani? Asgjë, rri dhe lexoj letrat tona të dashurisë. Nëse nuk do të ishim martuar bashkë ti do kishe shkuar në Angli e do ishe bërë një producente filmash. Sa i lumtur jam që nuk e bëre. Askush nuk do të donte aq shumë sa unë dhe djemtë. Askush në këtë Tokë. Dashuria jonë jetoi më fuqishëm se e kujtdo tjetër, por s’pati dot një fund të lumtur. 20 vite bashkë.

Edhe 60 vite të tjera do kishin qenë një mrekulli. Sikur dhe 60 ditë.

Ka biskota në kuzhinë. Biskotat që morën në Francë. Mbase do t’i ha një ditë. Pa ty. Janë gjërat e tua kudo. Syzet, fustani, këpucët. Të kishte mbetur një fije floku mbi jastëk. E gjeta tre ditë më parë.

Fiona më fal, nuk mundëm më. Të shkruaj nesër. Harrova të të them; kam nisur të vë kapelet e tua. Po që më shkojnë?

Të dua!"

Përshtatur nga një letër e dërguar në redaksinë "Marie Claire"