Letra e ditës

E dashur, dashuri e madhe!

Shkruar nga Anabel

30 Maj 2019

E dashur, dashuri e madhe!

E dashur, dashuri e madhe!

Dashuri që mbushi plot zemrën time e njëkohësisht e la bosh e pa frymë. E dashur dashuri që më bëri të buzëqesh thjesht me një mendim,dashuri që më bëri të buzëqesh me një buzëqeshje të kthyer, dashuri që më bëri të dridhem thjesht me një prekje e më bëri të qaj me një shikim. E dashur dashuria ime e madhe, si të ta ve emrin? Të të quaj tamam dashuri,apo më shumë se aq? Të të quaj ndjenjë sublime, turbullirë gjaku e rrahjesh të çmendura zemre në çdo shikim? Apo më bukur të të quaj dashuri të pastër, si ajo e një fëmijë.

Sa gjëra të bukura paskam për ty.

Dua të të falenderoj! Të falenderoj për çdo shigjetë me dhimbje që më hodhe, e prita me mburojën e dashurisë. Faleminderit për çdo fjalë inati, e për çdo pergjigje që s’e ktheve, u mësova të pres prej dashurisë. Faleminderit për çdo fjalë të rrallë të dashurisë që më the, mësova se fjalët e bukura kanë më shumë vlerë kur thuhen me zemër. Faleminderit për çdo largim e kthim, dashuri. Mësova se kur njeriu dashka koha dhe sjelljet s’paskan rëndësi. Faleminderit për çdo të qeshur që më dhurove, po po më ke bërë të qesh. Atëherë kuptova se kur jam me ty, me mua është e gjithe bota. Faleminderit dashuri e madhe për çdo lot që më bërë te derdh; mësova të fshij lotët e të shfaqem para të tjerëve e lumtur.

Sa i dobët dhe sa i fortë njëkohësisht është njeriu kur dashuron. Është aq i dobët sa krevati i duket shpëtimi i tij i vetëm, e aq i fortë sa të të buzëqeshë në fytyrë ty çdo ditë.

Të dua shumë, e kam thënë e do ta rithem derisa zemra të lodhet e unë e dëshpëruar më në fund të të harroj. Ty të gjeta disa emra, po kësaj historie si t’ia vë? “Vajza që dashuronte me shpirt njeriun qe s’dinte të dashuronte!”

E bukur kjo, fiks për ty “dashuri e madhe”.

Shënim: Letra u dërgua në llogarinë tonë në Facebook dhe u redaktua nga ne.