Depresioni është një sëmundje që të konsumon durimin pak nga pak, të zbeh shpresat se nesër do të jetë një ditë më e mirë. Unë, besoj se vuaj nga depresioni kronik. Në përditshmërinë time jam shumë e qetë, e dashur dhe përpiqem të jem korrekte dhe e mirë me njerëzit që më rrethojnë, kurse brenda meje bëhet luftë. Bëhet një luftë e përditshme me frikën, ankthin, mungesën e vetbesimit, bëhet një luftë që quhet mërzi.
Jam 29-vjeçe, jam e fejuar me një njeri të mrekullueshëm, por kjo s’me mjafton të marr kurajon që t’i tregoj atij si ndihem. Gjithashtu kam një familje dhe prindër që mendoj se më kanë dashur, ashtu siç mendoj se janë shkaktarë dhe ndikues të mëdhenj tek ajo që unë jam sot. Tek çfarë ndjej unë sot!
Do të doja shumë, që prindërit e tjerë të më dëgjonin tani. Ju lutem, mos i kritikoni fëmijët tuaj edhe kur nuk ka arsye. Mos kërkoni gjithmonë të jenë më të mirët sepse ja, prindërit e mi rritën një fëmijë që sot nuk ka besim tek vetja. Një fëmijë që u frustrua gjatë garës për të qenë e para. Një fëmijë që humbi rrugës dhe vetëm u zbraz!
Fëmijë të rritur me modele të imitimit të perfeksionit, janë shumë idealistë për kohën që jetojmë dhe ashpërsinë që na servir shoqëria.
Jam drejtuar tek psikologia që para 4 vitesh, vitin e parë bëra terapi intensive kurse më vonë fillova ta reduktoja. Sot, nuk them dot që e kam mposhtur, por të paktën nuk mendoj më vetëvrasjen si opsion. Kam vendosur që do luftoj derisa ta mposht.
Në përditshmëri, ne as e mendojmë sa rëndon një fjalë e thënë ashtu kot ashtu siç nuk e besojmë sa na ndihmon një laps dhe një letër kur ndihemi të ngarkuar.
Ka ditë, që ndjej që s’do të jem kurrë e lumtur, që jam njeriu më pa fat, por pastaj vazhdoj pasi s’kam zgjidhje tjetër. Vdekja është e sigurtë, s’kam pse e përshpejtoj. Duhet të gjej mënyrën për t’u përshtatur me këtë labirint ku kemi ngecur të gjithë...
*Letra është dërguar në inbox-in e Anabel nga një vajzë gjatë temës së djeshme: "Historia ime me depresionin".