Letra e ditës

Vëllait tim, që s’më foli më që kur adoptova djalin

Shkruar nga Anabel

8 Qershor 2019

Vëllait tim, që s’më foli më që kur adoptova

Atë ditë, teksa organizonim funeralin e xhaxhait, kaluam shumë kohë bashkë – diçka e rrallë në moshën tonë, edhe pse kemi vetëm një vit diferencë. Ishte një ndodhi e trishtë, por më pëlqeu që ndenja me ty.

Asokohe, pata pasur disa trajtime të pasuksesshme in vitro dhe në fund të asaj dite të vështirë doja të të tregoja diçka pozitive: unë dhe bashkëshorti im kishim vendosur të adoptonim një fëmijë dhe ishim në hapat e parë të procesit.

U shokova nga reagimi yt. “Pse po e bën këtë tani? Thjesht do vështirësosh gjërat mes meje dhe time shoqeje,” më the.

Ti ke dy fëmijë nga një lidhje e mëparshme dhe je i martuar me një grua më të madhe në moshë që deri më tani, s’ka mundur të mbesë shtatzënë. E njihja dhimbjen e saj sepse edhe unë, porsi ajo, prisja një fëmijë prej më shumë se një dekade.

Pastaj më the, “nëse adopton, s’dua të kem të bëj me ty.” Fjalët e tua më lënduan, por ia vura fajin ditës dhe binda veten se s’e kishe seriozisht.

Por ti vërtet s’doje të kishe të bëje më me mua. S’më fole më. Edhe kur të dola përballë në një festë, pe përtej meje, sikur s’isha fare aty.

Një vit më vonë, morëm djalin tonë në shtëpi. Ishte një moment shumë i lumtur, familja dhe miqtë na uruan. Ti erdhe që ta takosh – s’jam e sigurt pse, ndoshta ishe kurioz. Shkurtimisht më pas, të ftova në ditëlindjen e tij të parë. Ti erdhe bashkë me gruan, por ishte një situatë e sikletshme. Dhe aq ishte –  asnjë kontakt mes nesh.

U përpoqa t’i bëj prindërit tanë të ndërhyjnë dhe t’i jepnin fund këtyre gjepurave. Pastaj babi tha se nëse ti kishe vendosur të mos më flisje më, ndoshta kishe një arsye. Në atë moment, kuptova se thjesht po lodhesha kot.

Tani kam edhe një vajzë, gjithashtu e adoptuar. Fëmijët e mi janë të mrekullueshëm, siç do të thoshte çdo prind për fëmijët e vet dhe më vjen keq që nuk je pjesë e jetëve të tyre sepse po humbet kaq shumë.

Tani e kam lënë pas këtë gjendje mes nesh. Nuk e fal sjelljen tënde dhe nuk ta jap mundësinë të më lëndosh. Gjashtë vite më vonë, ti refuzon të më flasësh thjesht sepse adoptova dy fëmijë, por nëse do të kthehesha pas në kohë, do të kisha vepruar njësoj.

Shkruar nga një grua anonime për The Guardian.