Historia e mësueses Shigjeta Canaj është padyshim një ndër historitë më të veçanta të trajtuara te “E diela shqiptare”. Fill pasi historia u transmetua në rubrikën “Kam një mesazh për ty”, të shumtë qenë njerëzit që reaguan online duke përgëzuar Shigjetën për misionin e rrallë. Rasti i saj na kujtoi edhe njëherë sa e rëndësishme është mënyra e mësimdhënies dhe roli i mësuesit.
Përfaqësues të klasave të ndryshme rrëfyen gjatë bisedës me Ardit Gjebrean se mësuesja e gjeografisë dhe historisë e shpjegon mësimin në forma të veçanta. “Ndonjëherë na e tregon si përrallë dhe vetëm në fund ne e kuptojmë se shpjegoi mësimin,” u shpreh një prej nxënësve. Në edukimin bashkëkohor, këto quhen *strategji të reja të mësimdhënies* dhe nënkuptojnë përdorimin e teknikave joformale për të shpjeguar lëndën në mënyrë që të përthithet më mirë nga nxënësit.
Po kështu, një element i rëndësishëm për mësuese Shigjetën është përfshirja e nxënësve gjatë shpjegimit. Për shembull, pasi iu kërkua nga Gjebrea të shpjegonte Betejën e Salaminës midis anijeve greke dhe perse, ajo ndau nxënësit në dy “kampe” – grekë dhe persë – dhe përdori bankat për të krijuar një ide për luftën dhe arsyen pse persët u shkatërruan në ngushticën që lidh gjirin Saronik me atë të Eleusit.
Për ta shpjeguar më qartë se çfarë dua të them me "përfshirja e nxënësve gjatë mësimit", po i referohem librit "Si një roman" të shkrimtarit francez Daniel Pennac. Në esenë që shërben si një guidë me pyetje-përgjigje për letërsinë, edukimin dhe mësimdhënien, Pennac, nisur nga përvoja e tij si profesor, merr shembullin e një mësuesi i cili në vend që t'u flasë nxënësve në përgjithësi për një vepër, vendos që t’ua lexojë atë. Kështu, ai mbledh gjithë nxënësit që nuk mësonin shumë dhe nis të lexojë dy kapituj e parë të një libri. Në fillim, ata bëjnë uf e buf dhe tallen. Pasi përfundojnë dy kapitujt dhe mësuesi u thotë “shihemi herën tjetër”, të gjithë i luten që të lexojë edhe një kapitull.
Pra, nuk mjafton vetëm se çfarë do të shpjegosh, por si do ta shpjegosh.
Tjetër aspekt i rëndësishëm për marrëdhëniet midis nxënësve me njëri-tjetrin dhe mësuesve janë aktivitetet jashtëshkollore, të cilat përpos argëtuese dhe kryesore për socializimin me të tjerët, janë edhe të rëndësishme për prekur nga afër vende të ndryshme historike. Nxënësit rrëfyen si mësuesja i kishte ndihmuar për të realizuar ekskursionet.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, roli i mësuesit nuk përfundon me “një të shpjeguar të mësimit”. Mësuese Shigjeta theksoi se “ka raste kur i merr në shtëpi nxënësit” në mënyrë që të kuptojë më mirë ndonjë sjellje jo fort të zakonshme. Sikur të mos mjaftonte, kontribuon edhe me ushqim për nxënësit që kanë nevojë, pasi “nuk mund t’u flasë për Skënderbeun, kur ata e kanë barkun bosh.”
Sigurisht që të ushqyerit e nxënësve nuk është përgjegjësi e arsimtarëve, megjithatë dëshmon edhe njëherë se misioni i tyre nuk mbaron pasi bie zilja. Shigjeta, bashkë me shumë mësuese të tjera që janë model frymëzimi për nxënësit, dëshmoi se në një profesion të tillë nuk mjafton një diplomë.