Koment mbi komente

Afrikani që i dha një mësim të mirë shqiptarit

Shkruar nga Anabel

12 Qershor 2019

Afrikani që i dha një mësim të mirë shqiptarit

“Racizmi, kërcënimi më i madh i njeriut ndaj njeriut – maksimumi i urrejtjes për një minimum arsyesh.” – Abraham Joshua Heschel.

Një skenë e xhiruar rastësisht gjatë realizimit të rubrikës “Me Provë” të “Hostel by Anabel” shkaktoi reagimin e jo pak njerëzve në internet. Siç mund ta shihni në vijim, një burrë ndalon pranë vendit ku është vendosur Alberta ndërkohë që një turist i afrohet dhe e pyet “Pse më quajte ashtu?”.

Afrikani që i dha një mësim të mirë shqiptarit

Nisur nga fjalët e afrikanit, duket se shqiptari – në përpjekje për t’i thënë “më hap rrugën” – i është drejtuar me “Blackie” (nga anglishtja, black – ngjyra e zezë). Fill pas u publikua pjesa, të shumtë qenë njerëzit, pa dallim moshe e gjinie, të cilët kritikuan ashpër racizmin përmes komenteve në chat-in e videos livestream.

Ndonjëherë mund të jemi më shumë skeptikë seç duhet për njëri-tjetrin, megjithatë pa përjashtim askush nuk u tall me të huajin, i cili e trajtoi situatën në mënyrën më qytetare të mundshme.

Afrikani që i dha një mësim të mirë shqiptarit

“Njerëzit duhet të bëjnë dallime midis ngjyrave vetëm kur fusin rrobat në lavatrice,” shkroi dikush në chat. “Kur do bëhemi ndonjëherë njerëz,” shtoi i/e revoltuar një tjetër pasuar nga të tjera komente të ngjashme. 

Pavarësisht shijes së hidhur që të lë një moment i tillë, siç u shpreh dikur aktori Denis Leary, “racizmi nuk është i lindur, mësohet”. “E dini çfarë urren djali im 2-vjeçar?”, tha ai. “Gjumin. Dhe me gjumin mbaron lista. Kaq.” Thënë kjo për të theksuar faktin se për fat të mirë, referuar reagimit të menjëhershëm në rrjete sociale, brezi i ri nuk është rritur në një frymë me paragjykime me bazë racën.

“Të urresh dikë nisur nga ngjyra e lëkurës është E GABUAR dhe nuk ka rëndësi se cila racë urren kë. Është thjesht e gabuar." – Muhammad Ali