Letra e ditës

Unë, naivja e historisë, isha njëra nga të dyja!

Shkruar nga Anabel

18 Qershor 2019

Unë, naivja e historisë, isha njëra nga të dyja!

Unë kam qenë një nga të dyja...Për t’ua treguar gjithë historinë do të duhej një natë e tërë, por do të përpiqem ta përmbledh. Aq sa mund të përmblidhet një histori si kjo e imja. Fillimi është ai klasiku i çdo historie. E njoha për gati 6 muajsh dhe u dashurova çmendurisht pas tij. Nga sjellja e tij, mendova se kishte të njëjtën ndjenjë. Ah sa shumë gjëra i dhurova nga vetja, por s’mund të them se ai më pak. Më kujtohet që flisnim deri në orën 4 të mëngjesit dhe takoheshim çdo ditë. Ai më bëri të besoj tek dashuria, më bëri të besoj se paska një princ të kaltër që vjen në formë e një njeriu të thjeshtë, që mund të bëj gjëra të jashtëzakonshme! Sa naive...Ose jo, s’dua ta dënoj veten kaq shumë. Isha thjesht e dashuruar.

Ai kishte fuqinë që me një buzëqeshje të trondiste themelet e mia. Me një shikim mund të më trazonte jetën. Nuk humbiste asnjë çast për të më treguar se sa me fat ishte që nga dita që më njohu. Në silleshim sikur në jetë kishim pritur për shekuj për njëri tjetrin. Tani e kuptoj, që ndoshta kështu ndodh. Ai dinte dhe dëshirat e mia më të zakonshme, siç mund të ishte një vizitë në Pragë. Kur ja thashë këtë, më tha krejt papritur se do të shkonte të takonte të ëmën dhe për një javë nuk mund të takoheshim. E mirëkuptova sepse kisha besim të plotë, dhe për 2 muaj pas kthimit marrëdhënia e jonë ishte e lumtur.

Ne jetonim në dy qytete të ndryshme, por vetëm 1 orë larg. Gjatë gjithë kësaj kohe, unë njoha vetëm një shok të tijin, pasi ai, princi im i kaltër më thoshte se nuk kishte shumë miqësi. E kujtoj si sot kur një i njohuri i tij më tha që nuk duhet t’i besoja, por s’e di përse e injorova totalisht dhe vendosa t’i besoja ndjenjës sime dhe atij. Verbërisht!  As e mendoja ndonjëherë t’i futesha kërkimeve për të zbuluar diçka rreth tij. Më dukej sikur bëja pabesi.

Më thoshte gjithnjë që nuk përdorte rrjete sociale, prandaj dhe unë s’kisha për çfarë të dyshoja. Erdhi sërish dita kur më tha se do të shkonte për pushime me familjen në mal dhe unë diçka ndjeva ndryshe kësaj here. Më tha të mos i shkruaj sepse në mal nuk ka valë dhe e ka të pamundur të më kthej përgjigje.Sjellja e tij ndryshoi.

Bashkë me një mikeshën time vendosa që për herë të parë të kërkoj rreth tij. Pas shumë kërkimesh në Facebook, zbulova që dashuria ime ishte i dashuri i një tjetre...

Herën e parë, kishte shkuar pikërisht në Pragë me të dhe herën e dytë në det...M’u shemb bota, s’arrija ta kuptoja si isha kaq e verbër, por mbi të gjitha s’e konceptoja dot si dikush mund të luante kështu. Pse më përdori kur e doja me gjithë shpirt?!  Nëse jo dashuria, të paktën mirësia ime duhet t’i bënte përshtypje. Si mundi të më mbante për dashnore kur e doja me gjithë qënien time?! Të gjitha këto pyetje ja kam bërë vetes për muaj me radhë.

Ç’zbulova më pas ishte edhe më e dhimbshme. Ai kishte 5 vjet i fejuar me atë vajzë. Ajo ishte e huaj,  dhe shiheshin rrallë. Pra, këtë periudhë që ishte këtu, kaloi kohën me mua. Prandaj s’më njohu me familjen. Nga fotot që pashë më pas, kuptoja një njeri të dashuruar që s’mendonte fare për mua. Ç’bëra unë?! Vendosa ta mbaj hidhërimin për vete. Vendosa të mos i tregoja të fejuarës historike dhe ta vuaja vetë. Ç’do të zgjidhja nëse bëja keq? Të them të drejtën ndihem bosh, pa motiv dhe ditët më duken pa kuptim. Nuk kam asnjë entuziazëm për jetën, por them që do më kalojë. S’bëra keq, por do të doja të mos e kisha njohur kurrë.

Doni të dini pjesën më të bukur?! Kur i kërkova një shpjegim më tha se ishte faji im që nuk e pyeta nëse ishte i fejuar apo jo. Se isha mjaftueshëm naive që i besoja njerëzve (si ai). E lashë të ikte dhe e bëra të ngjante sikur të ishte e thjeshtë e gjithë kjo histori, kur në fakt nga brenda po vdisja. Ka kaluar 1 vit e gjysmë që nga ajo ditë, por ende e mendoj çdo ditë. Më është kthyer në fiksim, më merr malli për të. S’di për çfarë arsye të kotë do të më kishte zgjedhur mua, por..nejse. Ai është i lumtur, po vazhdon jetën e tij, kurse unë mallkoj çdo ditë veten për “naivitetin” tim.

Shënim*: Kjo letër ka mbërritur në inbox-in e Anabel.al nga një vajzë e cila preferon të mbetet anonim.