Në një intervistë për “Pop Culture”, protagonistja e #Love #Likes #Tirana, Megi Pojani, rrëfeu në një intervistë paksa ndryshe, përmes një live në Instagram, disa çështje personale që lidhen me karrierën, planet e ardhshme për Hostel by Anabel, televizionin dhe jo vetëm.
Megi dhe Hosteli
“Hosteli është angazhimi im i vetëm. Tani që është drejt fundit dhe ka ndryshime, u ndjeva shumë nostalgjike. Isha në Vorë dhe shkova me idenë se nuk më njihte njeri. Si përfundim, mbarova me një ushtri me njerëz nga mbrapa. Ishte një eksperiencë aq e bukur që më kujtoi pse e krijuam Hostelin dhe çfarë më tërhiqte te ai në fillim. Se me fillimin e #Love #Likes #Tirana unë sikur u distancova pak nga ai qëllimi i vërtetë, të cilin e kisha shumë të rëndësishëm dhe doja me të vërtetë që ta vazhdoja.”
Megi dhe televizioni
“Më ka ndodhur të më bëjnë oferta disa televizione, por çështja është që mua më pëlqen shumë Hosteli. Ofertat kanë nisur që në momentin e parë të Hostelit. Nuk jam tunduar, sepse besova instiktin. Edhe pse kisha oferta që mund të më tundonin, nuk e mendova asnjëherë të hiqja dorë. Më duket sikur televizioni të kushtëzon dhe unë dua të jem e lirë. Nëse do ta kem në mendje një ide të qartë se çfarë dua të bëj, mund ta provoj në televizion. Tani për tani, jam shumë rehat këtu ku jam.”
Megi dhe paragjykimet
“Ka shumë njerëz që më kuptojnë, si vajza dhe djem, që e kanë kuptuar që në fillim se çfarë dua të them dhe jam shumë e qetë me këtë pjesë. Mund të ketë paragjykime, por nuk më shqetësojnë. E di se kush janë njerëzit që dua të më kuptojnë.”
Megi dhe shoqëria
“Nuk kam shoqe; shoqet e mia janë motrat e mia. Sigurisht që ka njerëz që dal dhe kaloj mirë, por vetëm aq. Ndonjëherë njerëzit mendojnë se unë e dokumentoj gjithë jetën në Instagram, por në fakt nuk dinë asgjë për jetën time. Ata dinë atë që dua unë.
Megi midis filmave dhe serialeve si protagoniste
“Më pëlqejnë serialet më shumë. Më duket sikur zhvillohen më shumë gjëra, ka të papritura.”
Megi dhe të papriturat e Hostelit
“Po, ka pasur momente të sikletshme dhe mendoj se njerëzit e kanë kuptuar. Ka qenë i sikletshëm një episod në veçanti, sepse ai kërkonte kontakt fizik dhe refuzonte të largohej."
Intevistën e plotë e shihni në vijim: