Ditën e djeshme (27 qershor, ora 20:00) pranë Galerisë Kombëtare të Arteve u hap ekspozita dedikuar artit dhe veprës së Kolë Idromenos.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 8 shtator të 2019-ës.
Dy fjalë mbi Kolë Idromenon
Nikollë Idromeno (Kolë Idromeno) u lind në Shkodër, më 15 gusht të 1860-ës. Idromeno ishte i pari piktor realist shqiptar dhe talenti i tij spikati që kur qe fare i vogël. Biri i Arsen Idromenos, një shqiptar nga Parga i lindur në Korfuz dhe nënës shkodrane, Roza Saraçi. Në prirjen e tij për vizatimin, ka ndikuar shumë puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra dhe projekte arkitekturore, fushë të cilën artisti do ta njihte shumë mirë vite më vonë. Përpos piikturës dhe arkitekturës, Idromeno ishte skulptor, fotograf, butaforist, skenograf dhe muzikant i zoti.
Pikturat më të famshme
"Autoportreti" është një prej pikturave më të famshme të artistit. E realizuar në 1938-ën, kur Idromeno ishte plot 71-vjeç. Çfarë donte të arrinte përmes këtij portreti ishte vetë vetja e tij. Ai thoshte se duhej të dukej ashtu siç ishte; as më i veshur, as më i bukur, as më i ri.
"Portreti i së shoqes"
Idromeno i ka bërë vetëm një portret në pikturë gruas së tij. Ai e pikturoi portretin kur ishte shtatëdhjetë vjeç. Fatmirësisht ai na ka lënë edhe disa fotografi të gruas së tij. Ato fotografi më shtynë të shkruaj për gruan e rilindasit tonë të madh, për Gjyzepinën e Kol Idromenos. Idromeno u martua në moshën 24 vjeçare. Po jo me atë vajzë që zgjodhi në fillim. Nga kujtimet e miqve të tij mësojmë se ai donte fort një vajzë shkodrane, që ndoshta e kish njohur që kur kishte qenë foshnjë e lidhur në djep.
"Motra Tone" (1883)
Kjo pikturë është një nga portretet më të realizuara në pikturën shqiptare, madje është më shumë se thjesht një portret.
Ajo u bë simboli i fillimit të pikturës realiste shqiptare, pasi përmbledh në portretin e një gruaje atë që shqiptarët dinë dhe duan për gruan, fisin dhe familjen.
Për të parë veprat dhe artin unik të një prej artistëve më të shquar shqiptar, mos ngurroni të vizitoni ekspozitën, që në fakt është pasuri për vendin dhe këdo që bëhet pjesë e saj.